Ish-drejtuesi i policisë Ismail Elezi, në një iintervistë në rubrikën “Opinion” në “News 24”, duke folur për vrasjen nga policia të të riut Klodian Rasha, tha se ka informacione se 25-vjeçari ka ndërruar jetë në vend nga plumbat që ka marrë dhe nuk ka vdekur në spital.

Elezi theksoi se policia ka dalë me disa deklarata, të cilat ndër të tjera janë edhe kontradiktore.

“Dua t’i shpreh ngushëllime familjes për ndarjen nga jeta të djalit, sepse ajo që nuk bëhet më është kthimi i djalit pranë gjirit familjar. Struktura e Posaçme është e trajtuar në këto raste. Kjo është strukturë për të mbrojtur qytetarët dhe në goditjen e personave që janë rrezik i lartë.

Veprimet e policëve lënë shumë për të dëshiruar. Policia dha deklarata kontradiktore. Ku i sajon deklaratat Policia e Shtetit. Ne nuk pamë armë në vendngjarje, nuk pamë asgjë aty. Klodiani ka ndërruar jetë në vend dhe jo në spital, siç është thënë”, tha Elezi.

Më tej, Elezi nënvizoi se polici gaboi, pasi duhet të qëllonte nga mesi e poshtë e jo në kokë.

“Policia e Shtetit ka në përbërje të saj, drejtori të ndryshme, që janë të specializuar sipas fushave të ndryshme.  Kjo është struktura elitë e policisë. Polici ka qenë i ashpër që herën e parë. Punonjësi i policisë ka menduar fillimisht se thjesht ka shkelur karantinën. Njeriu i është trembur shoqërimit dhe ka tentuar të ikë më pas.

Distanca nga ku është qëlluar nuk është më shumë se 4 a 5 metra. Polici të qëllonte nga mesi e poshtë. Jam i bindur se polici do të mbajë përgjegjësi, por ajo që më shqetëson mua është sjellja e Policisë së Shtetit ndaj qytetarëve”, u shpreh Elezi.

Për Elezin, pas ngjarjes së rëndë, ministri Lleshaj duhet të japë dorëheqjen.

“Shumë profesionistë janë larguar nga policia me urdhra politikë. Ministrat, drejtorët ikin e vijnë, policët duhet që të ngelen kur janë profesionistë. Drejtori i Policisë për 3 vjet merr 4 grada, kurse ata që janë 20 vjet aty rrinë në stade të ulëta.

Policia nuk është as e Ramës dhe as e Bashës. Ministri Lleshaj duhet të japë dorëheqjen. Të kenë turp që bëjnë skenarë me policinë. Është e turpshme që policia tentoi të nxijë Klodian Rashën”, përmbylli Elezi.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb