TIRANË- Ministria e Financave deklaroi sot se të ardhurat buxhetore për muajin janar 2015 janë 26.4 miliardë lekë nga 25.4 të planifikuar për periudhën, duke u realizuar në masën 103.7% ose 950 milionë lekë më shumë. Realizimi i të ardhurave për periudhën janar 2015 është brenda parashikimeve të Ministrisë së Financave.

Nisur nga deklaratat dhe komentet e fundit për treguesit fiskalë (paraprakë) sipas buxhetit të konsoliduar, Ministria e Financave sqaron publikun se komentet e bëra janë jokorrekte, jo reale dhe nuk i referohen shifrave zyrtare.
Për këtë arsye Ministria e Financave jep një sërë të dhënash mbi të ardhurat tatimore, ato doganore, të ardhurat e mbledhura nga pushteti vendor, etj.
Sipas MF, “të ardhurat tatimore” për periudhën janë 23.7 miliardë lekë, rreth 768 milionë më shumë se parashikimi për periudhën; krahasuar me një vit më parë “Të ardhurat tatimore” janë rreth 2.6% më pak ose rreth 638 milionë më pak.
Të ardhurat e mbledhura për muajin Janar nga administrata Tatimore dhe Doganore arritën në 16.6 miliardë lekë, 766 milionë lekë mbi parashikimin e periudhës dhe 5.4 për qind më pak se një vit më parë ose 946 milionë lekë më pak.
Të ardhurat e mbledhura nga administrata Doganore janë 8.9 miliardë lekë, 660 milionë lekë ose 7.9 për qind më shumë se plani.
Të ardhurat e mbledhura nga administrata Tatimore (pa kontributet) janë 7.6 miliardë lekë ose 1.4 për qind më shumë se plani.
Të ardhurat e mbledhura nga Fondet Speciale për janar 2015 janë rreth 6.5 miliardë lekë, 18 milionë më shume se parashikimi.
Të ardhurat e mbledhura nga pushteti vendor janë rreth 540 milionë ose 290 milionë më pak se parashikimi.
“Krahasueshmëria e të ardhurave të muajit janar të këtij viti me janarin e vitit 2014 nuk është aspak profesionale, sepse vetë parashikimet për periudhën janar 2015 të Ministrisë së Financave kanë qenë më të ulëta krahasuar me një vit më parë, duke marrë parasysh specifikat në sistemin e ri tatimor, i cili u vu në funksionim në fillim të këtij viti. Për këtë arsye për muajt e parë të këtij viti, planifikimi i Ministrisë së Financave për realizimin e të ardhurave ka qenë më i ulët se muajt e parë të vitit 2014”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Financave.

TË ARDHURAT E MBLEDHURA NGA ADMINISTRATA DOGANORE

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar: 

Për Janar 2015, të ardhurat nga TVSH-ja në doganë janë 5.8 miliardë lekë ose 11.6 për qind më shumë se plani.

Akcizat:     

Të ardhurat gjithsej nga Akciza për Janar 2015 arritën në rreth 1.8 miliardë lekë. Të ardhurat nga kjo taksë janë rritur në masën 10.1% për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014 .

Renta në Eksport :

Të ardhurat nga renta për periudhën janar 2015 janë rreth 620 milionë lekë, 55 për qind më shumë se parashikimi

TË ARDHURAT E MBLEDHURA NGA ADMINISTRATA TATIMORE

Të ardhurat e mbledhura nga administrata Tatimore pa kontributet janë 7.6 miliardë lekë ose 1.4 për qind më shumë se plani .

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar:

Të ardhurat nga TVSH-ja në Tatime janë 4.1 miliardë lekë ose 39.4 për qind më shumë se plani. Krahasuar me një vit më parë këto të ardhura janë rritur me 42.1 për qind (1.2 miliardë lekë më shumë).

Tatimi mbi fitimin:

Të ardhurat nga Tatimi mbi Fitimin janë 393 milionë lekë ose -73.6 për qind më pak se plani për periudhën. Kjo ulje e të ardhurave nga tatimi mbi fitimin nuk ka lidhje aspak me uljen e aktivitetit të bizneseve, por me gjenerimin e deklaratave nga sistemi i ri i IT. Nga janar 2015 filloi funksionimin sistemi i ri i IT, një sistem modern tatimor, ndër më të mirët në Evropën Juglindore, i cili ka sjelle edhe një mënyrë të re të deklarimit tatimor, rrjedhojat e të cili u ndjenë vetëm për muajin janar 2015.

Taksa Nacionale:

Të ardhurat nga Taksat Nacionale janë 1.2 miliardë lekë ose 308.5 për qind më shumë se plani

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb