NGA OLA MITRE

TIRANE- Ministria e Shëndetësisë ka shpallur 192 vende vakante për mjekë dhe infermierë, të shpërndara nëpër qendra shëndetësore në Qarkun e Korçës, Shkodrës dhe Elbasanit. Bëhet fjalë për mjekët të përgjithshëm, mjekë specialistë dhe infermierë, ndërkohë që “Gazeta Shqiptare” publikon sot të plotë listën me vendet dhe pozicionet e kërkuar sipas qendrave shëndetësore. Duke iu referuar kësaj liste, në qarkun e Korçës kërkohen 76 mjekë dhe infermierë, në qendrat shëndetësore të rrethit të Korçës, Pogradecit, Devollit dhe Kolonjës. Në qarkun e Elbasanit kërkohen 38 mjekë e infermierë për Librazhdin, Gramshin, Peqinin dhe Elbasanin.

Ndërkohë që për qarkun e Shkodrës në total kërkohen 79 mjekë dhe infermierë. Ndër pozicionet e shpallura vakante ka edhe drejtorë, ndërsa sa u takon specialiteteve, në pjesën dërmuese janë pediatrit dhe obstetërgjinekologët. Sipas MSH-së, kandidatët e interesuar për këto vende pune duhet të kenë mbaruar studimet e larta universitare në një fakultet me program të akredituar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Ndërsa për kandidatët që kanë studiuar jashtë vendit, diploma e tyre duhet të jetë e njohur nga MAS. Dorëzimi i dokumenteve (shih tabelën bashkëngjitur shkrimit) për qarkun e Elbasanit dhe Shkodrës bëhet çdo ditë nga ora 12:00 deri në orën 14:00 deri më datë 25 nëntor 2015, në protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkohë që për qarkun e Korçës afati përfundimtar është 30 nëntori.

PËRZGJEDHJA
Ndërkaq, sipas urdhrit me numër 87, të ministrit Ilir Beqaj, vlerësimi total për mjekët e përgjithshëm është 80 pikë, ndërsa për mjekët e specialiteteve është 100 pikë. Këto pikë mund të grumbullohen nga nota mesatare, njohja e gjuhëve të huaja, grada shkencore, eksperienca në profesion, si dhe diploma e dëshmi të tjera kualifikimesh profesionale me afat mbi 2 javë. Ndërkohë që sa u takon kritereve të vlerësimit për personelin infermieror në qendrat shëndetësore, urdhri saktëson po të njëjtat kritere, por vlerësimi maksimal në këtë rast është 70 pikë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: