TIRANE –Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar projektvendimin për parkingjet publike me pagesë. Sakaq, u miratuan dhe dy projektvendimet e tjera, ajo për “Rritjen e pagave për administratën e bashkisë” dhe “Ndryshimet në menaxhimin e banesave sociale”, që u votuan me shumicë votash.

Para se të fillonte mbledhja e sotme, më radhën e këshilltarëve që ishin kundër miratimit të këtij pr/vendimi, siç ishin të djathtët, të njëjtin qëndrim mbajtën dhe këshilltarët e LSI-së dhe PDIU-së, të cilët pohuan se nuk do ta votonin atë.

Sipas burimeve të News24, këshilltarë të LSI kërkuar ndryshim të tarifave për rezidentët, ndërsa këshilltarët e PDIU-së kërkojnë të dinë detajet dhe arsyetimin e projektit, duke theksuar se kanë përgjegjësi para qytetarëve të Tiranës.

Këshilltarët e djathtë në Bashkinë e Tiranës e kundërshtuan projektvendimin, duke theksuar se duhet konsultim me qytetarët dhe jo votim me forcën e kartonëve, pasi vendime të tilla rrisin shpenzimet mbi qytetarët rezidentë dhe jo vetëm. Për të djathtët ky projektvendim është i pastudiuar dhe diskutuar me grupet e interesit.

Në fillim të mbledhjes, kreu i grupit të këshilltarëve të djathtë, Leonard Olli u shpreh i indinjuar për shtyrjen me dy orë të seancës, ndërsa kërkoi shtyrjen e dy pikave të rendit të ditës, duke përfshirë edhe projektvendimin për parkingjet publike.

“Shpreh indinjate për këtë seancë të papranueshme nga pikëpamja moale por mbi të gjitha njerëzore. Mund të shtyhej mbledhja dhe për nesër. Nuk e kuptoj këtë ngut. Arroganca që ju  ka kapluar nuk ju lejon të kërkoni asnjë lloj ndjese. Ndoshta uronit që ne të mos ishim të pranishëm në këtë mbledhje, ta harroni. Do të mbrojmë të drejtat e qytetarëve. Ju kërkojmë ta shtyni dhe ta rishikoni çështjen e gjobitjes së qytetarëve për automjetet që kanë. Sikur të mos mjaftonte gjobitja me siguracionet, tani e keni kthyer dhe tek parkingjet.”- deklaroi Olli.

VELIAJ: REZIDENTET DO TË KENË PARKIM FALAS, PR/PILOTI SJELL 1 MIJË EURO NË DITË TË ARDHURA
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i bëri thirrje anëtarëve të Këshillit Bashkiak që të votojnë projektvendimin për parkingjet publike me pagesë, duke e parë atë si një mundësi e mirë për qytetarët . Gjatë fjalës së tij Veliaj theksoi se rezidentët do e kenë parkimin falas.

“Shumë njerëz marrin kesh në dorë lekë, që nuk ka sens. Krijuam një vend, si ai i Sheshti Italia. Për njerëz që duan të kenë një vend të sigurt, me kupon tatimor, kemi krijuar një pilot. Të pasurit e një agjencie, si në çdo vend të botës, na duhet një agjenci e mirëfilltë që merret me parkimet e qytetit. Duhet të ndërtojmë një pilo tjetër tek rruga “Dritan Hoxha”.”, tha Veliaj. Nga ana tjetër kryebashkiaku pohoi se e vetmja gjë në të cilën binte dakord me doktor Halim Kosovës ishte korsitë rrugore dhe qarkullimi i mjeteve në kryeqytet.

“Në qytetin tonë, 140 mijë makina, bëjnë shumë korsi rruge në ditë, këtë pikëpamje e kishim të njëjtë me doktor Halimin në fushatë. Lajmi më i mirë është për rezidentët, për ata është falas. Imagjinoni që poshtë pallatit tuaj parkohen 6 makina me targa gjermane, ku thuhet ‘Shiten’. Epo ai nuk mund të jetë rezidentë. Qyteti fiton të ardhura, fiton hapësirë, dhe fitojmë kohë. Shpëtojmë njëherë e mirë nga një kulturë ku njerëzit zënë me vazo, karrige, apo diçka tjetër vendet për të parkuar makinat. Nëse vjen nga jashtë Tiranë, dhe e lë gjithë ditën pa pagesë aty, psh tek zona e Myslym Shyrit, e i zë rezidentëve. Ky model është dhe në vendet e tjera të botës. Kanë menduar jo politikisht, e as partitë, por për qytetarët. Policia e Komunave do të shkrihet me policinë Bashkiake. E fundit do të hapet një llogari bankare për menaxhimin banesave sociale. Në këtë mënyrë gjithsecili mund të kryejë pagesat modeste që janë parashikuar për banesat sociale”, tha Veliaj.

Pas kryetarit të Bashkisë, fjalën e mori anëtarja socialiste në Këshillin Bashkiak Elisa Spiropali, e cila i kërkoi anëtarit Olli që “t’i kërkojë falje këshilltarëve të mazhorancës të cilët i quajti rrugaçë”.

SHTYRJA E MBLEDHJES/OLLI: E PAPRANUESHME, S’MUND TE PRESIM DERISA TE MBYLLIN PAZARET
Në një deklaratë për “News24”, kreu i grupit të këshilltarëve të djathtë në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli tha se “është e papranueshme dhe fyese shtyrja e mbledhjes, deri në përfundim të pazareve.”

“Edhe ne si këshilltarë që jemi paraqitur në sallën e Këshillit Bashkiak, jemi po aq të paditur për arsyen e kësaj vonese. Eshtë një situatë e paprecedent, një veprim i turpshëm. Për 60 minuta këshilltarët nuk kanë asnjë lloj informacioni dhe më pas vjen një gjysmë njoftim që thotë se mbledhja do të fillojë në orën 19:00, është një akt totalisht i papranueshëm. Në vite të tëra nuk kemi patur një rast të ngjashëm. E konsideroj një veprim të papërgjegjshëm dhe fyes ndaj çdo këshilltari. Kërkesa jonë është që kjo mbledhje të shtyhet. Në rast të mosdakordësisë së palëve, këshilltarët duhet të presin derisa të bëhen pazaret, është e papranueshme.”- deklaroi Olli.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb