Sipas një mjeku norvegjez, që punon në spitalin Al-Shifa në Gaza për 16 vjet, spitali është shndërruar në një “Shtëpi të vdekjes”, transmeton Anadolu.

“Sot, ne jemi dëshmitarë të shkatërrimit total izraelit të spitalit special më të rëndësishëm me 700 shtretër në Gaza, kompleksit Al-Shifa”, shkroi mjeku Mads Gilbert në llogarinë e tij në X.

“Emri Shifa, që do të thotë ‘Shtëpi e shërimit’, tani është kthyer në një ‘Shtëpi të vdekjes’ nga Izraeli dhe SHBA-ja, e djegur, e shkatërruar tërësisht nën rrënoja dhe e kthyer në një varrezë pacientësh, personeli mjekësor, të afërmish dhe refugjatësh”, tha Gilbert, duke theksuar se spitali u krijua gjatë mandatit britanik.

Ai theksoi se kjo shënon një “simbol të politikës së pashpirt dhe cinike izraelitë të pushtimit kolonial, me qëllim eliminimin e popullit palestinez, institucioneve dhe jetëve të tyre”.

“Qeveritë e SHBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar qëndrojnë të turpëruara, bashkëpunëtore me mbështetjen e tyre për krimet e luftës dhe mizoritë izraelite kundër gjithë njerëzimit”, shtoi ai.

Më herët gjatë ditës, Izraeli njoftoi se është tërhequr nga kompleksi më i madh shëndetësor në Rripin e Gazës, spitalin Al-Shifa dhe rrethinat e tij, pas bastisjes 2-javore atje, që filluan më 18 mars.

Gjatë sulmeve 14-ditore, ushtria izraelite vrau mbi 200 palestinezë dhe mbajti mbi 900 palestinezë brenda dhe përreth spitalit.

Më parë, spitali ishte bastisur më 16 nëntor pasi ishte i rrethuar për një javë, kur u shkatërruan oborret e tij, pjesë të ndërtesave, pajisjet mjekësore dhe gjeneratori i energjisë.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë rreth 1.200 njerëz.

Që atëherë, të paktën 32.845 palestinezë janë vrarë dhe rreth 75.400 të tjerë janë plagosur në Rripin e Gazës së bllokuar në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe së fundmi gjithashtu kërkoi nga Izraeli të marrë masa për të parandaluar urinë në Gaza./Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb