Shumë shpejt profesioni i psikologut në vendin tonë do të jetë i rregulluar me ligj të veçantë dhe atë nuk do mund ta ushtrojnë dot më persona që nuk janë të kualifikuar dhe standardizuar sipas kërkesave bashkëkohore. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka gati draftin e këtij ligji, të cilin para se ta çojë për miratim në institucionet vendimmarrëse, ka vendosur ta debatojë me grupet e interesit, siç janë pedagogët, studiuesit dhe studentët e Psikologjisë.

Për këtë qëllim është zhvilluar sot debati me studentët dhe pedagogët e Fakultetit të Shkencave Sociale në Tiranë, ku i pranishëm ka qenë edhe ministri Blendi Klosi. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte gjithëpërfshirja e të gjithë aktorëve në prezantimin e projektligjit “Për Urdhrin e Psikologut në Republikën e Shqipërisë”, për të bërë të mundur garantimin e shërbimeve të standardizuara dhe cilësore për qytetarët, nga figura profesioniste të psikologëve.

Në fjalën e tij, ministri Klosi vuri theksin te synimi kryesor i Reformës së Shërbimeve Sociale të ndërmarrë nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ku figura profesionale të psikologjisë do të ofrojnë shërbime sociale të integruara jo vetëm në sistemin e mirëqenies sociale, por edhe në fushat e drejtësisë, shëndetësisë, arsimit, mbrojtjes etj., si në nivel qendror, ashtu dhe në atë vendor.

“Zbatueshmëria e këtij ligji do të sjellë ndryshime thelbësore lidhur me psikologët profesionistë që do të punojnë në sistemin gjyqësor, shëndetësor e arsimor, të cilët ndikojnë në parandalimin e problemeve sociale, si dhe psikologët profesionistë që do të punojnë drejtpërdrejt me qytetarët për të garantuar cilësi dhe standarde të larta”, – tha ministri Klosi në fjalën e tij.

Më tej ai shtoi se kjo nismë ligjore do të bëjë të mundur rregullimin e profesionit të psikologut, duke shmangur mbivendosjen nga profesione, ruajtjen e standardeve të larta në ushtrimin e tij, rritjen e cilësisë së shërbimit për përfituesit, si dhe krijimin e Urdhrit të Psikologut.

“Ky ligj garanton shmangien e personave të pakualifikuar nga ushtrimi i profesionit të psikologut. Ai parashikon ngritjen e një urdhri të psikologut, në mënyrë që kushdo që ofron këtë profesion të jetë i regjistruar, i kualifikuar dhe i standardizuar. Personat e pakualifikuar dhe ata që janë të mangët e që vijnë nga profesione që nuk kanë lidhje me psikologun dhe nuk kanë asnjë nga masterat apo doktoraturat në këtë fushë, nuk mund të jenë pjesë e Urdhrit të Psikologut; nuk mund të jenë njerëz që ofrojnë shërbime aty ku s’duhet dhe të shtrembra”, u shpreh ministri Klosi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb