GJERMANI- Një moderatore lajmesh në Gjermani ka shkaktuar një debat të madh online, pasi bëri thirrje gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë në televizion, kundër rritjes së racizmit ndaj emigrantëve.

Anja Reshke është shprehur kundër të gjithë atyre që përdorin një gjuhë, e cila ka ndikuar në sulmet mbi banesat e refugjatëve.

Ajo tha se është e befasuar nga fakti se sa thjesht publikohen fjalimet raciste me emrin e vërtetë të autorit, pasi më parë kjo bëhej me pseudonime. “Mesa duket kjo nuk është më e sikletshme. Përkundrazi, kur dëgjon fraza të tilla si: parazitët e ndryrë duhet të mbyten në det, ndodh që merr mjaft aprovime nga të tjerët”-është shprehur moderatorja.

Menjëherë pas transmetimit, deklarata u publikua në internet duke marrë një numër të madh klikimesh brenda disa orësh. Teksa iu bëri thirrje gjermanëve për të vepruar ajo tha: “Nëse nuk jeni të mendimit se të gjithë refugjatët janë parazitë të cilët duhet të dëbohen, të digjen apo të helmohen me gaz, atëherë duhet ta ngrini zërin, të kundërshtoni. Hapni gojën, mbani një qëndrim”- është shprehur ajo.

Apeli i gazetares erdhi pasi Kreu i Shërbimit të Inteligjencës gjermane, Hans Georg Maassen, paralajmëroi se disa ekstremistë të djathtë kanë planifikuar trazira dhe sulme ndaj emigrantëve.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: