Mesfushori i Kroacisë, Luka Modriç është shprehur i kënaqur pas kualifikimit të skuadrës në gjysmëfinalen e Botërorit (Eliminuan Brazilin me penallti).

“Askush nuk e besonte se mund të shkonim kaq larg. Por ne kishim besim në vetvete. Kemi një ekip shumë të mirë, me të rinj që kanë cilësi. Të fitosh kështu të jep një lumturi të jashtëzakonshme dhe më shumë besim për atë që vjen.

Ishim thuajse të eliminuar kur shënuan, mendoj se të gjithë na menduan të vdekur. Por kemi treguar edhe një herë tjetër që nuk dorëzohemi kurrë, që besimi ynë është i pamasë. Në fund, te gjuajtjet e penalltive, qartësisht që kemi besim. Kur e nis duke shënuar dhe ata gabojnë, të jep më shumë besim. Kishim mentalitet të fortë.

Livakoviç? Ka qenë përsëri mbresëlënës, por jo vetëm gjatë penalltive. Gjatë gjithë ndeshjes ka bërë 2-3 pritje shumë të mira. Është një portier i madh. Gëzohem për të, është një djalë fantastik. Tani duhet të pushojmë, na pret një tjetër ndeshje e madhe në gjysmëfinale.

Gabimi i Rodrigos? Mund t’i ndodhë kujtdo, por duhet përgëzuar Rodrigo pasi të gjuash një penallti në këtë ndeshje, tregon forcë dhe mentalitet. Të gjithë mund të gabojnë, këtë e kam thënë. Nuk është e lehtë, por kjo do ta bëjë më të fortë. Do t’i japë më shumë eksperiencë dhe forcë që të vazhdojë, unë gëzohem për vendin tim, për Kroacinë, pasi jemi në gjysmëfinale” – Tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb