Momente paniku janë regjistruar në një hotel në Spanjë, ku një vajzë 13-vjeçare britanike u sulmua fizikisht nga një burrë vendas, duke pësuar thyerje të hundës. Sipas raportimeve të mediave lokale, ngjarja nisi pasi adoleshentja u ul në një shezlong pranë pishinës, pa e ditur se ai po përdorej nga burri. Në vend që t’i kërkonte të largohej, ai dyshohet se reagoi me dhunë, duke e goditur me grushte në fytyrë.
Pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes tregojnë turistë të shumtë që ndërhyjnë për të ndaluar konfliktin, ndërsa vajza dëgjohet duke bërtitur gjatë sulmit. Sipas dëshmitarëve okularë, situata u përshkallëzua me shpejtësi dhe krijoi skena kaotike pranë pishinës së hotelit.
Dëshmitarët i thanë mediave britanike se miqtë e burrit u përfshinë në përleshje për ta mbështetur atë, ndërsa turistë të tjerë u përpoqën të mbronin 13-vjeçaren dhe familjen e saj.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e policisë dhe shërbimet e emergjencës. Vajza u transportua me ambulancë në spital për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa më pas ajo dhe familja e saj u transferuan në një hotel tjetër në zonë. Autoritetet spanjolle kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.
