Akuzat ndaj kreut të qeverisë Edi Rama dhe Belinda Ballukut kanë qenë tejet të ashpra nga foltorja e protestës kombëtare përpara kryeministrisë.
Një prej të rinjve që mori fjalën përpara turmës ka denoncuar publikisht atë që e quajti sabotim të hapur të turizmit dhe të projekteve të mëdha të infrastrukturës në vend për interesa të ngushta klienteliste.
Protestuesi u ndal specifikisht te vonesat në nisjen e fluturimeve në aeroportin e ri të jugut, duke hedhur dritë mbi prapaskenat e këtij bllokimi.
Gjatë fjalës së tij, i riu deklaroi se ky vit duhet të shënonte pritjen e vizitorëve të parë nga ky projekt, por gjithçka ka mbetur e pezulluar për shkak të dështimit të marrëveshjeve të fshehta.
“A ka sabotim më të madh të turizmit se sa për interesat e tyre Edi Rama dhe Belinda Balluku kanë marrë peng aeroportin e Vlorës? Këtë vit duhet të kishim turistët e parë që të vinin nga ky aeroport, por për shkak se janë prishur pazaret mes oligarkëve, Ramës dhe Ballukut ata po sabotojnë turizmin!”, shpërtheu ai nga tribuna.
