Xhihadistët mbajnë peng për gati 30 orë një hotel në Somali. Ekzekutuan 21 persona dhe plagosën mijëra të tjerë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Somali, ku një hotel në kryeqytetin Mogadishu është marrë peng për disa orë me radhë nga xhihadistët, të cilët kanë vrarë më shumë se 20 persona dhe kanë mbajtur peng dhjetëra të tjerë, të cilët u shpëtuan falë ndërhyrjes së policisë.

Forcat e armatosura elitare në vendin e Bririt të Afrikës luftuan me militantët e lidhur me Al Kaedën për 30 orë, pasi xhihadistët mësynë dhe qëlluan me armë në hotelin “Hayat” të premten në mbrëmje.

“Ne kemi konfirmuar deri më tani 21 persona të vdekur dhe 117 të tjerë të plagosur”, tha Ali Haji, ministri i Shëndetësisë për transmetuesin kombëtar SNTV.

“Mund të ketë viktima që nuk janë dërguar në spitale, por janë varrosur nga të afërmit. Numri i të vdekurve dhe viktimave bazohet në shifrat e dërguara në spitale”, shtoi ministri.

Grupi Al Shabaab i lidhur me Al Kaedën, i cili ka luftuar për të rrëzuar qeverinë somaleze për më shumë se një dekadë, mori përgjegjësinë për sulmin. Ky grup dëshiron të vendosë sundimin e tij bazuar në një interpretim të rreptë të ligjit islam.

Sulmi i së premtes në Hayat, një hotel i njohur me ligjvënësit dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë, ishte incidenti i parë i madh që kur presidenti Hassan Sheikh Mohamud mori detyrën në maj. “Ky ishte rrethimi më i keq i hotelit që kemi parë”, tha Ahmed, një oficer policie.
Sulmuesit qëlluan dhe vranë civilët që tentuan të largoheshin drejt murit të kompleksit të hotelit dhe portës së tij të hedhur në erë, tha Ahmed, duke shtuar se ata vranë 10 punonjës sigurie me armë zjarri dhe granata.

Aden Ali, një i mbijetuar, i tha Reuters se ishte duke pirë një filxhan çaj në hotel kur dëgjoi shpërthimin e parë. Ai vrapoi drejt murit të kompleksit me të tjerët ndërsa militantët qëlluan mbi ta.

“Ne ishim shumë persona që u përpoqëm të shpëtonim, mbi 12 veta. Kur dola nga hoteli, pashë tetë prej nesh. Ndoshta pjesa tjetër ndërroi jetë nga të shtënat. Një grup tjetër njerëzish në hotel ikën në një kat të sipërm, ku u vranë nga militantët, të cilët fillimisht hodhën në erë shkallët për të parandaluar arratisjen”, tha Ali.

Forcat e sigurisë arritën të lirojnë disa nga ata që u mbyllën në dhomat e tyre në katet e sipërme pas disa orësh, tha ai.

“Rreth 106 persona u liruan, duke përfshirë gra dhe fëmijë”, tha një komandant i lartë i policisë.

Nuk ka asnjë informacion të menjëhershëm për numrin e sulmuesve të përfshirë në sulm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: