Një i ri shqiptar u paraqit në gjykatë në Angli, i akuzuar për grabitjen e rezidencës luksoze të futbollistit Raheem Sterling ndërsa ai përfaqësonte Anglinë në Kupën e Botës.

Emiliano Krosi, 23 vjeç, dyshohet se ka marrë pjesë në 33 vjedhje, duke përfshirë grabitjen e shtëpisë me vlerë 7 mln paund të sulmuesit të Chelsea në Oxshott, Surrey, në dhjetor të vitit të kaluar.

Në banesë u vodhën bizhuteri dhe ora me vlerë 300 mijë paund. Sterling, 28 vjeç, u largua nga banesa vetëm disa orë përpara ndeshjes vendimtare të Anglisë me Senegalin në Katar vitin e kaluar.

Sulmuesi u intervistua nga detektivët që hetonin vjedhjen përpara ndeshjes së Anglisë në çerekfinale kundër Francës, të cilën e humbën.

Shqiptari Krosi, banues Southend-on-Sea, Essex, kishte mbërritur vonë në gjykatë pasi furgoni i burgut që transportonte të pandehurin nga HMP Wandsworth u prish.

Krosi, foli në gjyq vetëm për të konfirmuar emrin e tij përmes një përkthyesi në gjuhën shqipe. Ai u përfaqësua nga avokati mbrojtës Graham Blower.

Çështja u shty dhe një gjyq dhjetë ditor para gjykatësit Rufus Taylor u caktua për në shkurt të vitit të ardhshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: