Lideri i PD-së dhe i koalicionit opozitar, Sali Berisha, njoftoi se fronti i opozitës do të organizojë më 15 mars një protestë kombëtare në shenjë kundërshtimi për vendimin e Rama-qeverisë për ndalimin e përkohshëm, hë për hë 1-vjeçar të “TikTok”-ut, duke e vlerësuar si një nga burimet kryesore të dhunës në vend, sidomos në moshat e reja. Ky vendim është edhe subjektiv, edhe i diskutueshëm, edhe arbitrar! Sidomos, sepse nuk janë bërë anketime masive dhe analiza të zgjeruara për rolin e këtij rrjeti social për nxitjen e dhunës në shoqërinë shqiptare, veçanërisht në masat e nxënësve e të rinisë… Por, edhe sepse është i motivuar nga llogari dhe interesa politike dhe elektorale, me objektiv kryesor dëmtimin e opozitës në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Njëkohësisht, përbën edhe cenim të lirive e të drejtave të qytetarëve. Gjithashtu, nga Rama-qeveria “harrohet” me paramendim dhe tendencë selektiviteti dhe preferencialiteti se krahas “TikTok”-ut, ka edhe faktorë e burime të tjera për nxitjen dhe përhapjen e dhunës! Me këtë vendim arbitrar, Edi Rama dhe ata që e kanë mbështetur me të dyja duart mund të ndalojnë arbitrarisht e përkohësisht “TikTok”- un, por po ata, domethënë qeveria, dikasteret dhe institucionet më të lidhura me këtë shqetësim, përfshirë edhe AMA-s, lejojnë nga dreka deri në mesnatë serialet e telenovelave turke apo erdogantokun! Edhe në këto seriale, aktet e dhunës me shpata, thika, helme, grushte, shkelma, pistoleta, eksplozion… janë të frikshëm dhe jo edukativë!
Megjithatë, kam opinionin se kundër vendimit qeveritar për ndalimin e “TikTok”-ut do të ishin më të pranueshme e të justifikueshme protesta masive nga nxënësit e shkollave të mesme dhe nga studentët e universiteteve. Me humor: edhe më e mundshme dhe më e logjikshme nga punonjësit e kësaj kompanie në Kinë. Kjo edhe për faktin se kompjuterit, laptopët, tabletat, celularët, rrjetet sociale janë ndjeshëm më pak të zotërueshëm e të përdorur nga mosha e tretë, çka nënkupton interesim dhe pjesëmarrje më të pakët prej tyre për këtë protestë të re apo të radhës. Opozita ka shumë arsye apo motive të tjera më të forta, më madhore e me shtrirje më popullore për protesta. Kështu mund të organizohen protesta qytetare për mbetjen nga 29 nëntori 1944 deri më 11 maj 2025, domethënë për 80 vjet, të një “ushtrie” prej rreth 515 mijë pensionistësh me pensione nën 200 euro e të vendit ndër të fundit në Evropë për nivelet e pagave, pensioneve, mirëqenies, demokratizimit, shtetit ligjor e social funksional. Të tjera arsye të forta dhe masivisht të mbështetshme janë “mali i korrupsionit qeveritar” në të tria nivelet e piramidës si dhe nëpër spitalet publike; “përbindshat” në formën e kullave 40-60 katëshe në qendër të Tiranës, qindra milionë eurot e inceneratorëve në letra; 110 milionët si dëmshpërblim për Bechettin… Një temë dhe shtysë e fortë për protesta mund të jetë “harrimi” apo anashkalimi nga SPAK i skandalit McGonigal-PSSH, kur ai është edhe këto ditë temë hetimesh dhe debatesh në Dhomën e Përfaqësuesve e në Senatin amerikan!
Krahas këtyre, motiv nxitës për protesta të justifikueshme mund të jenë abuzimet flagrante në vend e në diasporë të kryeministrit dhe ekipit të tij qeveritar me statusin e nëpunësit civil për interes përfitimesh elektorale, për rritjen e çmimeve të artikujve ushqimorë, farmaceutikë, të higjienës dhe kozmetikës, të faturave të energjisë elektrike e të ujit gjatë 3 muajve të fundit… Nuk është e vështirë për të llogaritur se këto abuzime e rritje çmimesh dhe faturash i kanë “ngrënë” bonuset qeveritare për festat e fundvitit 2024 e bonusin e pranverës 2025. Shprehur në mënyrë figurative, qeveria na i ka “dhuruar” këto bonuse me dorën e majtë e na i ka rrëmbyer me dorën e djathtë!? Gjithashtu, arsye e motive të forta për protesta masive popullore mund të jenë sy, veshë e gojëmbyllja e KQZsë dhe nga struktura të tjera monitoruese të korrektesës ligjore të zgjedhjeve për lënien nga Ramaqeveria të promovimit të disa veprave në infrastrukturë e strehim, si dhe të bonusit të pranverës pak javë para ditës së 11 majit 2025…! PD-Berisha dhe aleatët e tij kanë arsye të forta të protestojnë edhe për format dhe përpjekjet e hapura e të fshehta që po përdor Rama-parti-qeveria për të fituar me çdo rrugë, mënyrë, faturë mandatin e katërt.
Ndër më flagrantet dhe skandalozet janë shfrytëzimi edhe i institucioneve dhe strukturave të administratës e të armatës së patronazhistëve, shumica me status nëpunësi civil, për blerjen e votave me thasë me ushqime, me dhurimin e një deleje, dashi dhie, sidomos në fshatra…; me lekë, euro, paund; me premtime për vende pune, për strehim; për rritje në poste e paga…! Natyrisht, liderët e opozitës mund t’i vrasin mendjet për të gjetur e shfrytëzuar edhe çështje dhe arsye të tjera për protesta jo për reklamë, si konkurse për fjalime e hartime, për dëshmi qenie gjallë edhe në rrugë e sheshe…!
Do “t’u kujtoja” edhe se protestat, edhe pse rrallë e për mall, kur organizohen si parada e konkurse fjalimesh për të mbushur ekrane e faqe gazetash si dhe memorien arkivore, bëhen edhe të lodhshme, monotone, bajate, formale apo të kota… Njëkohësisht janë edhe shfrytëzim e konsumim i pafrytshëm i idealizmit, vullnetit, dëshirave, gatishmërisë të dhjetëra mijëra demokratëve dhe opozitarëve nga Tirana dhe gjithë Shqipëria… Meqenëse dihet se Edi Rama ka një kokë që “kur vendos për diçka nuk ia ndryshon një dynja” e se jemi rreth 2 muaj para zgjedhjeve, do të sugjeroja që temës kryesore, asaj për “TikTok”-ut t’i bashkëngjitet një çështje tjetër. Më të arsyeshme do të ishin kritikat me fakte të reja për kryqëzatën qeveritare, në Shqipëri e në diasporë, për blerjen me çdo formë, rrugë e çmim të votave e për vjedhjen e tyre me marifete tradicionale dhe me mënyra “moderne”…! Kështu, protesta bëhet edhe më shqiptare, edhe me një problematikë më të zgjeruar, më të ndjeshme, më të rëndësishme…! Protestat e mëhershme në Paris, Romë, Bruksel e më të freskëta në Bukuresht, Athinë, Beograd, Podgoricë( Malin e Zi), Lubjanë (Sllovaki)… mund t’i shërbejnë edhe PD-së dhe opozitës sonë si modele apo leksione falas opozitarizmi dhe protestash! Sidomos për organizimin e tyre mbi bazën e çështjeve apo të motiveve me sfond të gjerë popullor, me kërkesa jetike e të mbështetshme nga masa të mëdha popullore, sidomos nga rinia dhe qytetarët.
Në protestat në këto vende kanë pasur e kanë rol parësor apo përcaktues edhe sindikatat. Por, me sa lehtë kuptohet, me “strategji e skenar largpamës” të klasës politike dhe ekipeve qeveritare, në vendin tonë “u varrosën për së gjalli” sindikatat!? Tani ato kanë mbetur thjesht si emërtime dhe kujtime nga e kaluara, nga historia, arkivat… Nënkuptohet, në këta 20 vjet vuajmë për mend e kokës, rrjedhojat disadrejtimëshe të një gjëme, ndër të shumtat, kryer me mendje e duar shqiptare! Pra, është në të mirë të shumicës së popullit e të vendit, të demokracisë, të drejtësisë, mirëqenies më të lartë e në rritje të vazhdueshme…, qeverisjeve më njerëzore, më të suksesshme, më të pakorruptuara, që edhe në Shqipëri të bëhen protesta të vërteta demokratike, me rrjedhoja e fryte të shikueshme e të prekshme dhe jo ngjashëm me manifestime flamurësh, pankartash, fjalimesh, aktrimesh…!
Nëse vazhdohet me protesta sa për të mbushur ekrane e gazeta, për garë se kush pëlqehet, duartrokitet e brohoritet më shumë për fjalimin, ato bëhen edhe të mërzitshme monotone, bajate, formale, të kota… Edhe të lodhshme e të kushtueshme jo vetëm fizikisht, por edhe financiarisht e si kohë për ata që vijnë në Tiranë nga qytete të tjerë e nga fshatra të largët. Parë nga shumica e këndvështrimeve, bëhet e qartë se shumë më tepër se për mbrojtjen e “TikTok”-ut, PD dhe opozita, si dhe rinia e shoqëria civile në Shqipëri duhet të mendojnë për mbrojtjen e interesave më madhore jetike, demokratike, kombëtare. Në protestat në vendet që përmendëm më sipër, përgjithësisht me karakter social, politik, demokratizues, jetik… kanë pasur rol parësor e ndikim të fortë edhe sindikatat! Por, nga sa lehtë kuptohet, në Shqipëri, me strategji e skenar largpamës nga klasa politike dhe ekipet qeverisëse, sindikatat që trondisnin e rrëzonin qeveri, “u varrosën për së gjalli”!?
Tani, prej 20 vitesh ndëshkohemi nga një gjëmë e kryer me mend dhe duar shqiptare, si shumë të tjera të kryera dekada më parë e deri më sot. Pra, arsye, shkaqe e motive për protesta popullore demokratike ka me bollëk edhe më Shqipëri. Por, ndryshe nga në Serbi, Greqi, Malin e Zi dhe në plot vende të tjerë më herët, në Evropë dhe Azi, këtu në Shqipëri nuk ka popull, rini, pozitë, opozitë, sindikata, shoqëri civile, demokraci, drejtësi…! Nëse vazhdohet me gjase protesta, kur një pjesë e popullit opozitar, kryesisht të moshave 40-70 vjeç mbushin rrugë e sheshe dhe shumica e rinisë së “depolitizuar”, por jo rastësisht me votë masivisht majtas, mbushin lokale, në të cilët, të dehur edhe nga drogat e me lakuriqësi të tepërt në veshje, kërcejnë si të harbuar valle moderne e tallava! Po këta janë edhe aktorë e spektatorë në spektakle televizive marramendës apo protestaharrues e shues, sikur të ishim populli më i pasur e më i lumtur në Evropë! Në këto kushte e në këtë koniunkturë, bëhet e justifikueshme edhe rritja e dozës së kritikës dhe humorit të hidhur. Përse jo, deri në përpunimin e titullit në variantin: “Opozita, protestë për ‘TikTok’-un, Edi Rama “kontrollon” nëse është gjallë apo “ka vdekur nga frika”… “Noc Rrokun”!
(BalkanWeb)