Nga: XHEVAT MUSTAFA*
Shqiptarët e kanë treguar me vepra ndër shekuj se janë një popull mirënjohës ndaj miqve të sinqertë e të vërtetë. Këtë e kanë shprehur shqip e me nëntekst të fuqishëm edhe në thënien e tyre ekskluzive: “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Mirënjohja dhe mikpritja shqiptare shkëlqyen edhe më 13 maj, në ceremonitë zyrtare e qytetare, me rastin e vizitës njëditore në Shqipëri të Presidentit të Turqisë, Taip Rexhep Erdogan. Nënkuptohet se, gjithë çka iu shpreh atë ditë nuk ishte thjesht e ngushtësisht për të si njeri e si president. Shqiptarët nuk kanë harruar e nuk mund të harrojnë të mirat që u janë bërë gjatë këtyre rreth 25 viteve nga qeveritë turke dhe nga shteti e populli turk. Ashtu siç nuk mund të harrojnë se, gjatë rreth 450 viteve të pushtimit osman, edhe në kohën e kryevezirëve, vezirëve dhe pashallarëve me origjinë shqiptare, u janë shkaktuar gjëma historike, kulturore e gjeografike, që u therin në shpirt edhe sot e kësaj dite. Në fund të fundit, edhe Turqia ka përgjegjësi historike, si aktore apo spektatore, që Shqipëria u copëtua padrejtësisht dhe mbeti në hartën e sotme, me gati gjysmën e trojeve të saj etnike falur Serbisë, Greqisë, Maqedonisë e Malit të Zi. Shqiptarët kanë arsye apo të drejtë të ndjejnë e shprehin qejfmbetje ndaj Turqisë edhe për dy fakte të tjera. I pari ka të bëjë me marrëveshjen apo bashkëpunimin turko-jugosllav për të realizuar politikën apo strategjinë e Beogradit për zbrazjen e trojeve etnike shqiptare nga qindra mijëra banorë të tyre autoktonë, duke i lejuar ata të vendoseshin në qytete e fshatra të Turqisë. Natyrisht, edhe atëherë, edhe më vonë e sot e kësaj dite, gjithçka që u bë në këtë kuadër, në periudhën kohore 1920-1970, justifikohet me dëshirën e Ankarasë zyrtare për t’u dhënë strehë, punë e mundësi jetese vëllezërve dhe motrave shqiptare. Kjo dëshirë nuk mund të quhet e pasinqertë apo sa për propagandë, por as nuk mund të mbulojë edhe fatkeqësinë e madhe kombëtare shqiptare, sikur mbulon perçja fytyrën e një vajze apo nuseje shqiptare.
Arsyeja e dytë për qejfmbetje shqiptare ndaj Turqisë gjendet e shprehet lidhur me një dukuri të vjetër, por që vazhdon deri në ditët e sotme. Rreth 5-6 milionë shqiptarët apo qytetarët turq me orgjinë shqiptare, përgjithësisht janë trajtuar pa komplekse apo paragjykime raciste e nacionaliste. Falë kësaj klime të ngrohtë, popullsia me orgjinë shqiptare në Turqi vlerësohet si më masivisht e integruara dhe më me rol deri në nivelet më të larta të institucioneve qeverisëse, shtetërore, administrative, ushtarake, ekonomiko-financiare etj., në Turqi. Por, krahas kësaj, vazhdon edhe sot e kësaj dite që popullsisë me origjinë shqiptare, me kontribute të madha historike dhe aktuale për Turqinë, nuk i janë njohur dhe siguruar edhe disa liri dhe të drejta themelore të njeriut. E kemi fjalën për të drejtat dhe liritë për organizime politike mbi baza kombëtare, për hapjen e shkollave shqipe apo për ta futur gjuhën shqipe si gjuhë të dytë apo të tretë në sistemin arsimor turk. Nuk është arritur kjo as në kuadër të reciprocitetit, gjatë këtyre rreth 25 viteve të fundit, kur në Shqipëri janë lejuar dhe afirmuar për cilësi dhe masivitet disa shkolla turke, laike e fetare.
Megjithatë, duke vlerësuar më shumë të mirat nga Turqia sesa të këqijat po prej saj, shqiptarët, qytetarë, politikanë, qeveritarë e shtetarë, e kanë renditur dhe vlerësuar me të drejtë Turqinë si aleate strategjike të tyre. Shqiptarët i janë mirënjohës Turqisë edhe që nëpërmjet kompanisë “Kurum” rivuri në punë një pjesë të ish-Kombinatit Metalurgjik dhe punësoi qindra qytetarë elbasanas. Por, njëherazi, nuk mund të mos ndjejnë dhe shprehin qejfmbetje që po nga “Kurumi”, Elbasani vazhdon të jetë një nga qytetet me nivel të lartë ndotjeje të ambientit dhe sëmundjesh të shkaktuara prej saj, që rrugët dhe trotuaret e Shqipërisë kanë mbetur pa puseta e shtylla metalike dhe rrjeti mjeran hekurudhor pa shina në shumë pjesë të tij.
Me mirënjohje të sinqertë për të mirat nga populli dhe shteti turk dhe tolerancë ndaj disa prej veprimeve jokorrekte nga qeveritë turke, shqiptarët e pritën më 13 maj 2015 edhe Presidentin e Turqisë, Taip Rexhep Erdogan. Sa ai u ndje dhe foli si President i Turqisë, Erdogan u shpërblye shqiptarisht, me dashuri, mirënjohje, duartrokitje dhe ovacione. Ndërsa kur e “harroi” funksionin e lartë shtetëror dhe veproi e foli si kryetar partie e si lider fetar, shumica e shqiptarëve i thanë me zë e me zemër: Faleminderit, zoti Erdogan, që na nderove dhe erdhe e për dëshirën për të na ndihmuar! Por, më shumë se xhamitë dhe godina e re e Kuvendit, në të cilin më shumë bëhen llogje e fyerje sesa punë të dobishme për qytetarët dhe vendin, neve na duhen fabrika, uzina e kombinate, që të na ndihmojnë për uljen sa më të shpejtë e më të madhe të nivelit të papunësisë e të varfërisë e që të na shpëtojnë nga rënia në ferrin e krizës greke.
Erdogani mund të jetë viktimë e dyfishtë. Së pari, e vetvetes, e ëndrrës së tij për të parë të ribashkuar në një perandori të re të gjithë myslimanët e Lindjes e të Ballkanit, “nga brigjet e detit Adriatik deri në Murin Kinez”, nënkuptohet, me të si sulltan, e për t’i mbushur qytetet dhe fshatrat e të gjitha vendeve të përfshira në të, me xhami dhe medrese dhe fytyra femërore rrethuar nga perçet.
Erdogani mund të jetë viktimë edhe e disa këshilltarëve të “këqij”, turq apo shqiptarë. Këta mund t’i kenë thënë se shtetarët dhe qeveritarët shqiptarë, nën presionin e mirënjohjes dhe dashurisë së madhe ndaj Turqisë si dhe të krizës ekonomiko-financiare, mund t’i pranonin çdo dhuratë, kërkesë apo çdo kusht… Por, ndryshe nga sa mund t’i kishin thënë këta këshilltarë, shqiptarët nuk mund të falënderonin dhe duartrokisnin Taip Rexhep Erdoganin kur ai harronte se ishte president e fliste si sulltan i një perandorie të ëndërruar prej tij, duke e përfshirë edhe Shqipërinë të tërën si një vilajet të saj. Pandehmën e tij se Shqipëria e sotme mund të ishte si e dyqind apo edhe 105 viteve më parë, kur mund t’i impononin mbylljen e shkollave shqipe dhe hapjen e atyre greke, duke i kërkuar më 13 maj 2015 jo me lutje, por me kushte të papranueshme, që të mbyllë shkollat turke të kundërshtarit të tij politik, duke i etiketuar si terroriste, sipas syzave apo interesave të tij. Ndryshe nga ai, shqiptarët kanë bindjen se për rreth 23 vite ato janë afirmuar si shkolla laike, me programe bashkëkohore të suksesshme e konkurruese edhe në vendet më të zhvilluara në Evropën Perëndimore, në SHBA, Kanada etj.
Gjithsesi, shqiptarët i shprehën dhe i dhuruan mirënjohje, falënderime dhe duartrokitje Erdoganit, për dëshirën dhe gatishmërinë e tij për të financuar disa projekte në Shqipëri, përfshirë edhe godinën e re të Parlamentit të Shqipërisë, e për ta ngritur nivelin e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare mes dy vendeve në rreth 1 miliard euro. Njëherazi, nuk mund t’ia falnin këto kur as ai dhe as Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk mund të fshihnin as me flamurë, banderola, portrete e as me minare e perçe, qëllimin e të dyve, për ta shfrytëzuar këtë vizitë edhe në kuadër apo dobi të fushatave zgjedhore në Turqi e në Shqipëri. Duke përfunduar, faleminderit zoti Erdogan për gjithë të mirat që ke në mendje apo në zemër, edhe pse na vure disa kushte të sikletshme e të papranueshme! Faleminderit për kërkesat, edhe për ato që nuk t’i mbështesim dhe plotësojmë dot! Mos e vër në dyshim: Sa të jesh president i Turqisë “motër” apo “mike”, do të të presim dhe përcjellim me të gjitha nderimet që meriton posti, shteti dhe populli që përfaqëson! Por, mos ndje xhelozi e qejfmbetje: Më shumë se ty, duam popullin dhe shtetin turk, që ashtu si populli dhe shteti shqiptar, nuk janë kalimtarë apo të mandatuar.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: