NGA ORNELA MANJANI

TIRANE
– Bizneseve që u gjobitën masivisht me 10 mijë lekë për mosdeklarim të punonjësve në qershor të vitit të kaluar u ka shkuar një shkresë nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e Tatimeve ku u kërkohet pagesa e gjobës. Subjektet nuk e kanë paguar deri tani detyrimin, pasi ministri i Financave ka deklaruar se këto gjoba do të falen. Sistemi i ri e-tax u vu në funksion nga Tatimet nga janari 2015. Veprimi më i fundit ishte vënia në funksion e një aplikimi për gjobën automatike për deklarim të vonuar të punonjësve të rinj (në 9 qershor dhe 22 qershor, kur ndodhi dhe gjobitja masive).

Kjo gjobitje masive shkaktoi zemërim te bizneset, disa prej të cilave pohuan se kishin marrë gjoba përpara se të merrnin NIPT-et. Tashmë që bizneseve u ka shkuar nga sektori i mbledhjes së borxhit shkresa që i paralajmëron se, nëse nuk paguajnë ata do të jenë subjekt i proceduarve të mbledhjes me forcë të detyrimeve, ata janë të çoroditur për seriozitetin e mesazheve që u jepen nga administrata tatimore dhe ministri i Financave. Për më tepër që mbetet ende në diskutim plani për një amnisti fiskale, që parashikon ndër të tjera edhe faljen e gjobave.

MINISTRI

Në fillim të korrikut, ministri i Financave, Arben Ahmetaj pohoi publikisht se këto gjoba do të faleshin, pavarësisht se vuri theksin në faktin se ato ishin vënë me të drejtë. “Dua të sqaroj drejtpërsëdrejti që gjenerimi i gjobave nga sistemi është në referencë të plotë të ligjit dhe disiplinës fiskale, pra Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka zbatuar me përpikëri të plotë ligjin dhe është një domethënie e rëndësishme për atë disiplinë fiskale që ne po vendosim ditaditës në territorin fiskal. Pra, dua të sqaroj të gjithë qytetarët që këtu nuk kemi të bëjmë me një keqinterpretim apo një keqpërdorim të ligjit, por ka të bëjë me një zbatim të drejtpërdrejtë dhe rigoroz të ligjit. Janë vendosur gjoba nga sistemi në bazë të ligjit të sigurimeve shoqërore dhe të ligjeve të tjera për mosdeklarim të punonjësve dhe të vetëpunësuarve”, – tha Ahmetaj.

BIZNESET

Bizneset kundërshtojë gjobat pasi sipas tyre, bien ndesh me nenin 59 të ligjit për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Ky nen thotë se “Regjistrimi i subjekteve në QKR përbën gjithashtu regjistrimin e njëkohshëm të tyre pranë administratës tatimore, në skemën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe pranë Inspektoratit të Punës.” Bizneset pretendojnë se ky nen i çliron bizneset me një punonjës nga detyrimi për të dorëzuar formularin e punësimit te Tatimet, pasi regjistrimi në QKR nënkupton automatikisht edhe deklarimin e administratorit te Tatimet për efekt të kontributeve.

GJOBAT
Të dhëna zyrtare mbi numrin e bizneseve të gjobitura nuk ka, por burime nga Tatimet bëjnë me dije se ditët e fundit janë gjobitur mbi 30 mijë biznese të vogla. Bëhet fjalë për mikro-ndërmarrjet, me një të punësuar, të cilët janë kryesisht tregtarët ambulantë apo biznese të tjera mbijetese me xhiro minimale nën 2 milionë lekë në vit. Sipas Tatimeve, edhe pse janë të regjistruar në QKR, këto biznese duhej të dorëzonin edhe formularin e deklarimit të punonjësit në zyrat e taksave, pra administratorin. Ndaj me këtë motivacion, nga data 22 qershor këto biznese janë gjobitur masivisht me 10 mijë lekë të reja gjobë, sipas nenit 113 të procedurave.

Mijëra biznese të vogla janë ankuar që janë gjobitur nga sistemi elektronik i Tatimeve për mosdorëzim të formularit të punësimit. Pas shqetësimit të ngritur nga biznesi për gjobat e vëna në mënyrë masive nga sistemi elektronik i Tatimeve për mosdorëzimin e formularëve të punësimit, kreu i Financave premtoi faljen e tyre. Ministri Arben Ahmetaj u bëri apel të gjitha subjekteve që t’i dorëzojnë formularët e të punësuarve ose të vetëpunësuarve edhe në administratën tatimore.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb