TIRANE– Nxënësit e shkollave dhe kopshteve në mbarë vendin do të ulen në banka më 9 janar. Ndonëse ishte parashikuar që mësimi për vitin 2017 të fillonte më herët, vonesa ka ardhur për shkak të motit të ftohtë dhe situatës gripale në vend.

Për të shmangur përhapjen e gripit në kopshte, shkollat 9-vjeçare dhe shkollat e mesme, Ministria e Shëndetësisë në kuadër të masave të ndërmarra, parashikon mbylljen e këtyre institucioneve në datat 4, 5, 6, 7 Janar 2017.

Nisur edhe nga situata me motin në vendin tonë, ku në ditët në vazhdim parashikohet ulje e mëtejshme e temperaturave dhe reshje dëbore, janë marrë masa për të shmangur virozat.

“Me qëllim kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit të gripit në vend për të mbrojtur popullatën nga sëmundjet infektive që kanë impakt në shëndetin e saj, Ministria e Shëndetësisë, në bazë të nenit 7, pika 4 (masa të veçanta) të Ligjit 15/2016 (“Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”), sipas udhëzimeve kombëtare, të përgatitura nga Instituti i Shëndetit Publik, ka urdhëruar sot më datë 03.01.2017, mbylljen e çerdheve, kopshteve dhe shkollave të arsimit parauniversitar në datat 4, 5, 6, 7 Janar 2017”, thuhet në njoftimin e MSH.

Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik rekomandon masat e mëposhtme për parandalimin, kufizimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive nga përhapja e virusit të gripit:

Masa të higjienës dhe kontrollit të infeksioneve
– Mbulimi i gojës dhe hundës me shami (mundësisht letre) gjatë kollitjes dhe teshtitjes e cila të hidhet menjëherë në koshin e mbeturinave.
– Të teshtihet apo kollitet duke përdorur gropëzën e bërrylit si mburojë.
– Të mos pështyhet në tokë.
– Larja e menjëhershme, dhe sa më shpesh, e duarve me ujë të rrjedhshëm dhe sapun. ose pastrimi i tyre ato me alkool apo dezinfektantë.
– Mënjanimi i prekjes së syve, hundës dhe gojës.
– Përdorimi i maskave gjatë kollitjes apo teshtitjes, apo në mjedise të mbyllura ku ka grumbullim masiv të njerëzve për një kohë të gjatë.

Masa të distancimit social
– Mënjanimi i kontaktit të ngushtë me njerëzit të cilët janë të sëmurë, pra çdo i sëmurë duhet të mbajë distancë nga të tjerët për ti mbrojtur ata.
– Qëndrimi në shtëpi për çdo të sëmurë.
– Njëkohësisht, në këtë sezon gripi, duhet të përpiqemi të kufizojmë sa më shumë takimet dhe grumbullimet.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: