Piloti italian Francesco Bagnaia është kampioni i ri i botës në Moto GP. Ky është titulli i parë në karrierë për pilotin 25-vjecar, që piloton motorin Ducati. Ai u klasifikua në vendin e nëntë në garën e fundit sezonale zhvilluar sot në Valencia (Spanjë), por kaq mjaftoi për të fituar titullin kampion dhe festuar një trofe të merituar.

Një pilot italian rikthehet te titulli në Moto GP pas 13 vitesh (2009, fitonte Valentino Rossi). Ai zbriti nga froni francezin e Yamaha, Fabio Quartararo, që sot u klasifikua në vendin e katërt, duke dorëzuar kurorën.

Quartararo nuk arriti të menaxhojë si duhet një epërsi prej 91 pikësh që kishte në mesin e sezonit, duke e mbyllur renditjen pas Bagnaia, që në pjesën e dytë të sezonit bëri një rikuperim fantastik.

Gara e sotme në Valencia u fitua nga spanjolli Alex Rins me Suzuki (gara e fundit në Moto GP për Suzuki), që la pas afrikano-jugorin Brad Binder me KTM dhe spanjollin Jorge Martin me Ducati Pramac (i treti).

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb