TIRANË- Ministria e Brendshme ka reaguar ndaj deklaratave të Selisë Blu për incidentin e ndodhur dje në Vaun e Dejës, ku vëllai i kandidatit të PD-së, u sulmua me armë nga polici i zonës. Një një njoftim për mediat, Ministria e Brendshme shprehet se me kandidatin Zef Hila, jo vetëm ministri Saimir Tahiri por edhe kryeministri Edi Rama kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm. Sipas MPB, punonjësi i Policisë i akuzuar, Gjergj Dodani është shoqëruar në Komisariat dhe i është nënshtruar hetimit ku është përfshirë menjëherë edhe Prokuroria.

“Në qoftë se z. Paloka ka interes të dijë të vërtetën lidhur me çfarë ka bërë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit lidhur me incidentin të cilit i referohet, në kryerjen e detyrës së tij si shpifës profesionist, mjafton që Partia Demokratike të informohet nga kandidati i saj. Me kandidatin jo vetëm Ministri i Punëve të Brendshme, por edhe vetë Kryeministri kanë qenë në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm, për të dëgjuar versionin e tij për ngjarjen, si edhe për ta informuar mbi veprimet e menjëhershme të ndërmarra për zbardhjen e plotë të incidentit”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Më tej MPB sqaron se polici i shoqëruar është pezulluar nga detyra deri në përfundim të hetimeve dhe nëse rezulton fajtor do të marrë ndëshkimin sipas ligjit, ndërsa i kujton PD-së situatën në të cilën qeverisja e saj e kishte lënë Policinë e Shtetit.

“Punonjësi i Policisë është shoqëruar në Komisariat dhe i është nënshtruar hetimit ku është përfshirë menjëherë edhe Prokuroria. Deri në përfundimin e plotë të hetimeve, punonjësi i Policisë do të qëndrojë i pezulluar nga detyra dhe në rast se hetimi do të provojë fajësinë e tij, padyshim do të ndëshkohet njësoj siç janë ndëshkuar për shkelje në detyrë, penalisht apo administrativisht, 11% e trupës policore, që në fillim të këtyre tetëmbëdhjete muajve e gjetëm rrugëve, siç gjetëm rrugëve vetë shtetin e rrënuar nga keqqeverisja e Partisë Demokratike”, deklaron MPB.

Në përgjigje të deputetit Edi Paloka MPB thotë se PD ka zgjedhur të bëhet kundërshtare e Policisë së Shtetit.

“Të mbetur pa drejtim, pa program, pa skuadër dhe pa asnjë mundësi për ta kthyer vendin në drejtimin e gabuar, kundërshtarët politike të Aleancës për Shqipërinë Europiane kanë zgjedhur të bëhen kundërshtarë të Shtetit e të Policisë së Shtetit. Aq më keq për ta”, përfundon deklaratën MPB për incidentin në Vaun e Dejës.

Alfred Hila, vëllai i kandidatit të PD-së për Bashkinë e Vaut të Dejës denoncoi dje një sulm me armë ndaj tij nga ana e policit të zonës Gjergj Dodani. Ngjarjen e konfirmoi për News24, vëllai i tij, kandidati i PD-së, Zef Hila, i cili tha se Dodani kishte qëlluar me armë Alfredin ndërsa udhëtonte me makinë me kreun aktual të Bashkisë së Vaut të Dejës. Sipas Zef Hilës, veprimi i Dodanit ka ardhur pasi ai e kishte paditur tek Drejtori i Policisë së Qarkut se ishte angazhuar në fushatë në kundërshtim me ligjin. Sot, kreu i Grupit parlamentar te PD-së, Edi Paloka duke dënuar ngjarjen në Vaun e Dejës, tha se qeveria e nisi fushatën me dhunë policore.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb