Nga DARINA TANUSHI*

Ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit nuk do të jenë pjesë e Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë. Ky kufizim është përcaktuar në projektligjin e hartuar nga qeveria dhe që pritet të diskutohet në Kuvend, “Për Shërbimin e Jashtëm”. Pikërisht në nenin 35 të tij, projektligji përcakton kërkesat e pranimit në Shërbimin e Jashtëm, të cilat janë dy: “a) Të mos bëjnë pjesë në asnjë parti apo shoqatë politike. b) Të mos kenë qenë ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit”. Ndërkohë që pikërisht në ligjin tjetër që do të diskutohet paralelisht në Kuvend, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, ose njohur ndryshe si ligji për dosjet, nuk parashikohet lustracion për këtë kategori, pra për bashkëpunëtorët e Sigurimit.

Të pyetur nga “Gazeta Shqiptare”, ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi, ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu dhe ish-ambasadori Fatos Tarifa shprehin mendime të ndryshme për këtë përcaktim në ligjin për Shërbimin e Jashtëm. Ish-kreu i SHISH, Klosi këmbëngul se përcaktimi që përjashtohen ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit është “i parakohshëm”. Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Abdiu mendon se kufizimet e vendosura janë të ligjshme, sepse interesi kombëtar është mbi atë individual. Kurse sipas ish-ambasadorit Fatos Tarifa, ky përcaktim në nenin 35 të ligjit për “Shërbimin e Jashtëm” mund të qëndrojë formalisht në ligj, por nuk mund të zbatohet, pasi të gjithë ata që mund të kenë qenë ish-bashkëpunëtorë nuk janë sot në moshën për të nisur një karrierë diplomatike.

FATOS KLOSI (ish-kryetar i Shërbimit Informativ Shtetëror)
“Mua më duket e parakohshme, përsa kohë ka një ligj tjetër që përcakton ende mirë se kush bën pjesë në ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Ndaj më duket e hershme të përcaktohet në këtë ligj, pa e sqaruar më parë, pa pasur një qëndrim zyrtar për të gjithë bashkëpunëtorët. Duhet sqaruar patjetër ky pozicion në përgjithësi, pasi mund të jenë edhe bashkëpunëtorë të Sigurimit që i ka përdorur regjimi”.

FEHMI ABDIU (ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese)
“Përcaktimi në këtë ligj, që pjesë e shërbimit diplomatik të mos jenë ata që bëjnë pjesë në parti apo shoqatë politike apo që të mos kenë qenë ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit i prek interesat e këtyre kategorive. Unë mendoj që qeveria i ka vendosur me të drejtë këto kufizime, sepse nuk mund të lejohen këto kategori të kontribuojnë në Shërbimin e Jashtëm. Pra, unë mendoj se këto kufizime janë të arsyeshme edhe pse duket se prekin interesat individuale, por në raport me interesat e vendit, interesat kombëtare kjo është shumë e vogël”.

FATOS TARIFA (diplomat karriere)
Diplomacia, edhe pse politike, duhet të jesh i shkëputur nga aktiviteti i partive politike. Është fort normale, pika e parë. Kërkesa e dytë mua më duket një kërkesë formale e drejtë, por që nuk besoj se do të ketë shumë aplikim në kushtet e vendit tonë, sepse 25 vite që kanë kaluar nga ndryshimet politike në Shqipëri, zor se kanë mbetur diplomatë që të mund të rekrutohen në shërbimin diplomatik. Karriera diplomatike fillohet zakonisht në moshë të re dhe nëse kanë qenë 22 apo 23-vjeçarë në 1990, sot ata njerëz janë 47-vjeçarë. Nuk është kohë apo moshë kur fillohet një karrierë. Më duket një kërkesë formale, që mund të mbetet në ligj, por që s’do ketë aplikim, sepse nuk ka nga ai kontingjent më. Bëhet fjalë për ambasadorë, për rangje të larta që mund të jenë emërime politike, kërkesa është e drejtë. Posti i ambasadorit është post politik, por duhet të jetë i zhveshur nga politika partiake, gjithashtu duhet të jetë i mbrojtur edhe nga këto kërkesa që ka ligji me të drejtë. Sepse natyrisht, si çdo post i lartë shtetëror, edhe ambasadori nuk duhet të ketë qenë bashkëpunëtor i Sigurimit. Që të dyja kërkesat më duken me vend.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb