Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka shpërthyer me akuza të forta në Kuvend ndaj qeverisë, duke e cilësuar situatën ekonomike të qytetarëve si alarmante dhe protestat kundër projektit në Zvërnec si pasojë të arrogancës së pushtetit.
Gjatë fjalës së tij, Korreshi u ndal te tensionet e krijuara në protestat e fundit, duke deklaruar se
“Zvërneci ishte pika që derdhi gotën” për qytetarët.
“Zvërneci ishte pika që derdhi gotën për arrogancën tuaj. Ajo tërheqja zvarrë është piktura më e shëmtuar që i keni dhënë këtij vendi në 13 vite pushtet. Ka të majtë e të djathtë në protestë”, u shpreh ai.
Deputeti demokrat kritikoi edhe nivelin e pensioneve dhe ndihmës ekonomike, duke thënë se shumë familje nuk arrijnë të përballojnë as shpenzimet minimale.
“Flisni për pensionet, por a i keni pyetur ndonjëherë pensionistët se si e mbyllin muajin? Kam pyetur nënën time, merr 128 mijë lekë të vjetra. Cila Europë të fut me 100 euro? Nuk pret dot as biletën e avionit. Cila Europë të fut me 100 euro, spret dot biletën e avionit. Njerëzit thonë ishalla sme ftojnë në dasëm se s’kanë lekë të shkojnë në sebepe e xhenaze, e mbajnë frymën gjallë me atë që u sjellin femijet”, tha ai.
Korreshi ironizoi gjithashtu deklaratat për fitore politike në të gjitha bashkitë e vendit, duke kërkuar më shumë vëmendje ndaj problemeve sociale.
“Ju që thoni do të marrim 61 bashki, merrini e mos u fryfshi. Shikoni sa ndihmë ekonomike marrin njerëzit, 27 mijë lekë. Nuk mban dot frymën gjallë. Duhet të dëgjojmë ulërimat e tyre dhe të shihemi në pasqyrë për të parë çfarë është bërë në këto 30 e ca vite. Prandaj janë derdhur në shesh, sepse u tregoni arrogancë dhe ua përplasni dyert në fytyrë në zyrat e shtetit”, përfundoi ai.
