“Tërmeti në Amatrice për pak më mori jetën, por një ‘hero’ më shpëtoi nga gërmadhat duke rrezikuar jetën e tij”. Këtë rrëfim e bën murgesha shqiptare, Mariana. 32-vjecarja ndodhej në Amatrice në konventën “Don Minozzi” të fshatit.

“Një djalosh i zonës rrezikoi jetën e tij për të më shpëtuar. Një gjest heroik që Zoti do ia shpërblejë”, thotë Mariana. Ajo u shpëtua nga ndihma e shpejtë, ndërkohë që në manastirin e murgeshave po gërmohet ende pasi nga apeli i bërë, rezultojnë ende persona të zhdukur.

“Kur gjithçka nisi të lëkundej, e kuptova që ishte tërmet ai që po binte. U çova nga shtrati dhe po kërkoja ndihmë nga ballkoni, dhe shihja njerëzit sesi dilnin nga banesat. Por ndërsa bërtisja gjithçka sipër meje dhe rreth e rrotull meje po rrëzohej. Mbeta aty në dhomë. Këkoja ndihmë dhe gjithçka shembej e rrëzohej, gurë, hekura. Gjithë natën qëndrova nën shtrat dhe një djalosh që flinte ketej rrotull më dëgjoi teksa kërkoja ndihmë. Më nxorri nga aty duke rrezikuar jetën e tij. Pastaj dëgjuam zërat e tjerë që thërrisnin ‘Ndihmë”, dhe shkonim aty dhe nxirrnim një tjetër të mbijetuar”.

Murgesha shqiptare thotë se, momentet e shpëtimit të të mbijetuarve ndodhnin në çast dhe e frikshme kur nuk mund të ndërhyje dot.
“Më i frikshëm ishte momenti kur dikush thërriste nga poshtë gërmadhave dhe thoshte; Ndihmë! Nuk marr dot më frymë, po më mbaroj ajri, më nxirrni nga këtu dhe ne ishim këtu jashtë dhe nuk mund të bënim dot gjë”.

Mariana thotë se, 3 shoqet e saj murgesha ende nuk janë gjetur.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: