*Episodi brenda në parlament
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është qëlluar nga deputetët e Vetvendosjes, AAK dhe NISMA me vezë ndërsa ka nisur të raportojë para Kuvendit për marrëveshjet e arritura me Serbinë.

Ndërkohë që ka ndërhyrë sigurimi i kryeministrit, kryeparlamentari Kadri Veseli ka shpallur një pushim prej 10 minutash.

Mustafa është qëlluar kur ka thënë se marrëveshjet e arritura me Serbinë janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e vendit.

Po ashtu javën e kaluar, deputetët opozitarë kanë penguar rrjedhën e seancës së Kuvendit, pasi kryeministri Mustafa ka shtyrë raportimin për marrëveshjet me datën 22 shtator.

VESELI: I PAPRANUESHËM PENGIMI I LIRISË SË FJALËS NË DEMOKRACI PARLAMENTARE

Ora 17:27- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një njoftimi dërguar mediave, ka sqaruar situatën që ka mbretëruar sot në seancë.

Në njoftim thuhet se në mbledhjen e fundit të kryesisë së Kuvendit të Kosovës u vendos që sot me datë 22.09.2015 të kemi seancë parlamentare, me një pikë të vetme të rendit të ditës, “Raportimin e Kryeministrit të Kosovës, z.Isa Mustafa mbi marrëveshjet e 25 gushtit të arritura në Bruksel”.

“Qysh në fillim të seancës, partitë opozitare ndërhynë duke penguar raportimin e kryeministrit dhe pamundësimin e vazhdimit të seancës përmes veprimeve të drejtpërdrejta fizike. Sulmi me vezë ndaj Kryeministrit Mustafa ishte veprim jodinjitoz”, thuhet në reagimin e Veselit.

Ai thotë se Qeveria, ashtu sikurse edhe deputetët, kanë të drejtën e pacenueshme për t’i shprehur pikëpamjet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

“Pengimi i lirisë së fjalës në demokracinë tonë të re parlamentare është i papranueshëm. Komunikimi, debati dhe respektimi i njeri tjetrit janë vlerat që na duhen dhe të cilat i presin qytetarët nga ne”, thotë më tej Veseli.

Ndërkaq, në fund, kreu i Kuvendit të Kosovës, tha se “si kryetar i Kuvendit të Kosovës do të angazhohem maksimalisht për funksionimin demokratik të Kuvendit të Kosovës, sepse vetëm kështu i përmbushim obligimet ndaj qytetarëve të cilët na kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar”.

PËRFUNDON SEANCA E KUVENDIT
Ora 17:05- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka lajmëruar se ka përfunduar seancën e ditës së sotme.

Ai ka theksuar se seanca do të vazhdoj në momentin kur do të krijohen kushtet për të vazhduar ajo normalisht.

“I ftoj liderët e partive politike me ose prezencën e kryetarit të Kuvendit që të takohen dhe të merren vesh”, ka thënë Veseli.

 

VETËVENDOSJE: POLICIA DO TË NA NXJERRË ME FORCË NGA KUVENDI
Ora 15:45- Lëvizja Vetëvendosje thotë se “Pushteti po përgatitet që të ndërhyjë për t’i larguar dhunshëm dhe me polici deputetët e opozitës nga Kuvendi”.

Kjo parti i ka ftuar mbështetësit e tyre që të mblidhen para Kuvendit. “Pushteti po përgatitet që pas 20 minutash të intervenojë për t’i larguar dhunshëm dhe me polici deputetët e opozitës nga Kuvendi”, thuhet në njoftimin e VV-së.

“Ftojmë të gjithë mbështetësit tanë dhe të Republikës, të gjithë qytetarët e këtij vendi që të mblidhen para Kuvendit të Kosovës. Në mbrojtje të Republikës! ‘Zajednica’ nuk kalon!”, thuhet në kumtesë.

VV: E ndalem gënjeshtrën e Isa Mustafës
“Deputetët e opozitës ia ndalën gënjeshtrën Isa Mustafës, përmes së cilës ai synonte që edhe njëherë t’i gënjejë qytetarët dhe deputetët për marrëveshjet e Brukselit. Kështu thuhet në një komunikatë të lëshuar sot nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Isa Mustafa sërish po i trajton deputetët dhe qytetarët si të padijshëm. Veprimet e tij janë tallje dhe shpërfillje e Kuvendit, ashtu siç marrëveshjet e Brukselit janë rrënim i Republikës”, thuhet në postimin e Vetëvendosjes në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është qëlluar me vezë, teksa raportonte para Kuvendit për marrëveshjet e arritura me Serbinë.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: