Ndërtesa e Radiotelevizionit të Serbisë (RTS) në Beograd është bllokuar nga studentët të cilët në në shenjë proteste kanë deklaruar se kjo do të zgjasë për 22 orë.

“Sonte jemi përshkruar si bandë nga një moderator i RTS-së. Prandaj jemi duke bllokuar ndërtesën e RTS-së. Nuk do të ketë dhunë dhe asnjë ndërhyrje. Të gjithë punëtorët do të mund të largohen nga ndërtesa, por askush nuk mund të hyjë”, kanë thënë studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Beograd.

Studentët kanë bllokuar edhe ndërtesën e Radiotelevizionit të Vojvodinës (RTV) në Novi Sad.
Drejtori i këtij televizioni, Goran Karagjiç ka refuzuar kërkesën e studentëve për të raportuar se çfarë është duke ndodhur në hyrje të ndërtesës, prandaj studentët vazhdojnë bllokadën.

Dhjetëra studentë dhe shtetas tjerë të Serbisë janë mbledhur para hyrjes së Radiotelevizionit të Kragujevcit (RTK) në shenjë solidariteti me studentët që janë duke bllokuar shërbimet publike në Beograd dhe Novi Sad, ka raportuar televizioni N1.

Përmes bllokadave dhe protestave, studentët kërkojnë që autoritetet të mbahen përgjegjëse për vdekjen e 15 personave, si pasojë e rrëzimit të një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

Policia ka thënë se do të ndërhyjë vetëm nëse protestuesit përpiqen të hyjnë në ndërtesë me forcë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb