Analistët Fatos Lubonja dhe ArjanVasjari debatuan me ish-deputetin demokrat, Oerd Bylykbashi, në emisionin “Real Story”, në News24.

Dy analistët kërkuan nga Bylykbashi, si i mandatuari i PD për tryezën e përbashkët politike për Reformën Zgjedhore, se çfarë është kjo reformë, që më në fund ka ulur palët në dialog.

Pjesë nga diskutimet:
Lubonja: Na thuaj mor burrë nja dy detaje, se çfarë është kjo reforma, që të binden shqiptarët. Kjo reforma do t’i vërë kufi krimit të organizuar, oligarkëve. Na thuaj nja dy gjëra që të binden?

Bylykbashi: Reforma do bëjë pjesën e vet. Shit-blerjen e votave.

Lubonja: Si do e ndalojë reforma shit-blerjen e votës? Më thuaj këtë dhe unë jam i kënaqur.

Bylykbashi: Më jep 5 fjalë dhe do ta jap përgjigjen unë. Ne sot kemi një prokurori që nuk lëviz gishtin për krimet zgjedhore.

Lubonja: Dhe reforma do ta bëjë prokurorinë të lëvizë gishtin?

Bylykbashi: Ne kemi propozimet tona.

Vasjari: S’kanë asnjë propozim. Prokuroria, SPAK, s’kanë lidhje fare.

Bylykbashi: Shit-blerja e votës është krim i rëndë, pra bëhet krim i SPAK. Nëse SPAK nuk e nis me këtë, atëherë ai ka dështimin e parë.

Vasjari: Bukur, por kjo s’ka lidhje me reformën.

Bylykbashi: Policia sot bën fushatë, mbron shit-blerjen e votës, do t’i vëmë rregulla.

Lubonja: Me çfarë rregulli. Bind njerëzit.

Bylykbashi: Do t’i vëmë rregulla shtesë, propozimet tona.

Lubonja: Aaa, akoma s’i keni rregullat.

Bylykbashi: Ky problem do shumë zgjidhje. Krimi duhet bërë një gjë e zezë, që njerëzve të mos iu shkojë në mend ta bëjnë. Nuk do e bëjmë vetëm ne. Nëse nuk vënë dorën e tyre në ato ndryshime, nesër do thonë nuk janë tonat. Që ca rregulla më mirë do futen, nuk ka diskutim.

Vasjari: Kuadri ligjor ka qenë korrekt në Shqipëri. Ju po prodhoni bashkë një set rregullash, që të minimizoni atë që sipas jush ka ndodhur. Korrektimet që ju bëni do na prodhojnë një Kod Zgjedhor më të mirë, apo korrektime që do mundësojnë, apo do vërtetojnë, se ai që ka fituar zgjedhjet i ka fituar dhe ai që i ka humbur i ka humbur? Ju i keni humbur zgjedhjet e shkuara?

Bylykbashi: Zgjedhjet e fundit i bëmë ne dhe i humbëm. Mund të ketë shumë spekulime, por kemi dosjen e 313, të zgjedhjeve të 2017, ku katalogu i bandave kriminale, që konkurrojnë në Evropë, bënin terror mbi zgjedhësit. Në Durrës besoj se janë dy mandate të marra nga kriminelët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb