Julian Nagelsmann e ka nisur me fitore aventurën e tij në krye të Gjermanisë. Pas katër humbjeve dhe një barazimi të marrë në pesë ndeshjet e fundit nën drejtimin e Hansi Flick, gjermanët janë kthyer te fitorja mbrëmjen në miqësoren kundër Shteteve të Bashkuara Amerikës, duke e mposhtur 1-3 në sfidën e luajtur në Connecticut.

Ka qenë një fitore me përmbysje për ekipin e Julian Nagelsmann. Ishin amerikanët që kaluan në avantazh në minutën e 27-të me një gol shumë të bukur të shënuar nga ylli i Milan-it, Christian Pulisic. Kundërpërgjigjja e gjermanëve erdhi në minutën e 39-të, me Gundogan që barazoi shifrat pas një vripimi të bukur individual. Pjesa e parë përfundoi në barazim 1-1.

Në të dytën erdhi edhe përmbysja e Gjermanisë. Fullkrug çoi shifrat në 1-2 në minutën e 58-të dhe Musiala fiksoi shifrat në 1-3 në të 61-ën, ku një meritë pati sërish Fullkrug. Një nisje shumë e mirë për ish-trajnerin e Bayern-it në drejtim të kombëtares gjermane, e cila do të jetë e impenjuar në një tjetër miqësore me 18 tetor ndaj Meksikës, sfidë që do të luhet në Philadelphia.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb