Ditën e sotme, protestës 37-ditore të qytetarëve përpara Kryeministrisë i janë bashkuar edhe zëra të fuqishëm nga diaspora. Një qytetar shqiptar që jeton dhe punon në Bruksel ka ngjitur shkallët e podiumit në bulevard, duke përcjellë një mesazh mjaft kritik për mënyrën se si kryeministri Edi Rama e paraqet situatën e Shqipërisë përpara zyrtarëve europianë.
Ai ftoi bashkëatdhetarët të kenë durim e qëndresë, duke theksuar se Shqipërisë nuk i mungon asnjë pasuri në krahasim me Europën, por vetëm drejtësia dhe liderët e duhur.
Folësi solli në vëmendje kontrastin e madh mes propagandës që bëhet në zyrat e BE-së dhe realitetit me të cilin përballen shqiptarët çdo ditë në vendin e tyre.
“Vij nga diaspora, nga Brukseli. Atje është gjithë administrata shtetërore evropiane. Aty vjen edhe xhaxhi Edi Rama dhe flet në emër të popullit. O popull, sa shumë gjëra bëhen në emrin tënd, edhe ‘naltmadhnia’ flet në emrin tënd! Mund të gënjejë për një farë kohe, por kurrë nuk gënjen një popull të tërë bashkë! Ndaj bashkimi dhe bashkëpunimi është shpëtimi,” u shpreh ai nën duartrokitjet e turmës.
Duke marrë shkas nga jeta në emigrim, protestuesi inkurajoi masën që të mos dorëzohet, duke thënë se standardet europiane mund dhe duhet të ndërtohen brenda Shqipërisë, pa pasur nevojë që rinia të largohet.
“Nëse jemi të gjithë bashkë, kemi durim e qëndrim… unë kam ardhur sepse e dua vendin tim. Dua t’ju përgëzoj të vazhdoni të mbani këtë ritëm, të qëndroni! Çfarë ka Europa dhe bota më shumë se Shqipëria? Asgjë nuk kanë, vetëm disiplinë dhe standarde të tjera. Ne e kemi mundësinë t’i krijojmë! Pse të mos ecim në vendin tonë? Na mungon vetëm drejtësia e duhur dhe njerëzit e duhur”, tha ai.
