Nga: ADELA XHAMANI*
TIRANE- Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, vjen sot në “Gazeta Shqiptare” me një rrëfim jashtë kornizës politike. Z.Ndoka është një nga ata personazhe që ta bëjnë punën e gazetarit shumë më të lehtë. Ai u përgjigjet pa doreza çdo pyetjeje dhe merr gjithçka me sportivitet duke na treguar se i tillë është edhe në jetë. Deputeti na thotë se si e ka përballuar fenomenin “Nard Ndoka filozof” të rrjeteve sociale që tashmë vazhdon prej disa vitesh, duke u shprehur se shpesh është ndjerë i bezdisur, por e ka një përgjigje gati për të gjithë. Më tej ai pasqyron lehtësitë dhe kufizimet që i fal e përditshmja një politikani në Shqipëri, duke ndarë gjithashtu detaje nga jeta private dhe investimin e tij për të pasur një status të palëkundshëm nga bindja partiake.
Z.Ndoka së fundmi keni marrë titullin “Akademik Efektiv Nderi”, a ishte surprizë për ju ky vlerësim?
Nuk ishte surprizë, sepse nuk është titulli i parë që marr, kam marrë shumë tituj, certifikata, mirënjohje të ndryshme gjatë karrierës time politike. Me këtë Akademi italiane kam kohë që bashkëpunoj në fusha të ndryshme gjatë viteve të fundit. Titulli “Akademik Efektiv Nderi” vjen pikërisht prej bashkëpunimit me këtë Akademi dhe interesit të tyre për bashkëpunim me vendin tonë. Këtë titull e kanë marrë edhe mjaft politikanë të tjerë, ish-ministra dhe personalitete të fushave të ndryshme. Siç u shpreha dhe më lart unë kam marrë disa tituj të tjerë, në qershor të vitit 2013, kam marrë vlerësimin “Açademico d’Onore” (Akademik Nderi), nga Akademia Norman, “Ambasador i Paqes” në 2010-n, “Qytetar Nderi” në Bashkitë Vau-Dejës dhe Shëngjin, mirënjohje nga shumë shoqata të ndryshme. Por asnjëherë nuk jam mburrur me to, dhe as kam kërkuar që këto tituj të vijnë. Thjesht i kam vlerësuar kur më janë dhënë, tituj që nuk kanë asnjë kosto, por janë motivim dhe vlerësim për mua dhe atë që unë përfaqësoj, alternativën demokristiane.
Çfarë ndjesie ju dhuron titulli i akademikut?
Është një ndjesi e veçantë për mua dhe për atë çfarë unë përfaqësoj, por edhe për qindra e mijëra demokristianë në mbarë vendin, sepse vlerësimi ndër të tjera vinte me motivacionin: “Për kontributin e dhënë për promovimin e alternativës kristiane në Shqipëri”. Kjo tregon se ka vëmendje nga ana e institucioneve ndërkombëtare për zhvillimet demokratike në tërësi, si dhe për rolin e faktorizimit të alternativës demokristiane në veçanti, në vendin tonë. Është një vlerësim për CV-në time politike dhe profesionale, duke më motivuar akoma më shumë në këtë bashkëpunim tashmë institucional. Kjo Akademi ka një rol të rëndësishëm në Itali dhe në rajon, së fundmi edhe në Shqipëri. Ky vlerësim më bën të ndjehem mirë, por është edhe obligim që ky bashkëpunim të shtrihet në të gjitha ato fusha ku Akademia Internacionale Konstadiniane e Shkencave Mjekësore, Juridike dhe Sociale e Italisë, zhvillon aktivitetin e saj institucional.
Pas një periudhe të gjatë ku në rrjetet sociale krijohen shprehje “filozofike” nën emrin tuaj, tani që morët titullin e akademikut si i përgjigjeni?
Në rrjetet sociale ka pasur një tendencë dashakeqe të personave anonimë, duke abuzuar me “lirinë”, që ofrojnë këto rrjete sociale, me mungesën e një ligji për mbrojtjen e personalitetit të çdo personi. Shpeshherë është kaluar edhe limiti, por nuk ju kam dhënë shumë rëndësi, për faktin se kemi të bëjmë me një fenomen negativ që po përhapet me shpejtësi, e që në shumë raste denigron figurën e kujtdo që guxon të përballet. Është kostoja e të qenit një figurë publike. Gjithsesi ky titull është një përgjigje për të gjithë ata anonime, që nuk u lodhën duke “hapur” faqe false në emrin tim në rrjete sociale, se “filozofi” anonim në faqet e tyre, është një “Akademik Efektiv Nderi” real dhe i vlerësuar nga institucionet ndërkombëtare. Puna ime, rezultatet, perfomanca, bashkëpunimi, prezenca në politikë, janë më të rëndësishme, se batutat shpeshherë të “gatuara” keq në rrjetet sociale, me tendencë denigruese.
Z.Ndoka, si do ta përshkruanit sezonin që po përfundon? Ka qenë i lodhshëm?
Po, në fakt kaluam një sezon të lodhshëm, me një luftë politike në Kuvendin e Shqipërisë, me akuza të rënda mes palëve. Për fatin e keq Kuvendi është kthyer në një arenë konflikti deri edhe fizik. Mungojnë alternativat politike, mungon debati, argumentet dhe konsensusi. Unë jam përpjekur që të promovoj alternativën që përfaqësoj, pa u bërë pjesë e llogoreve të palëve. Kam ofruar konsensus mes palëve, si në rastin e fundit, ku u miratua një ligj për amnistinë, i propozuar nga unë dhe dy kolegë deputetë, por që bashkoi votat për herë të parë, të mazhorancës dhe opozitës. Gjithsesi ky sezon mbyllet duke lënë shumë probleme dhe projekte të hapura, si projektligji për dekriminalizimin, për reformën në drejtësi dhe shumë reforma të tjera.
Çfarë ju lodh më së shumti përgjatë një jave pune?
Komisionet parlamentare janë një obligim, dhe kërkojnë kohë e përkushtim, duke i ndjekur ato, por edhe duke dhënë kontribut si deputetë. Dita e hënë nis me shumë takime, aktivitete të ndryshme, dita e enjte është tashme një ditë e ngarkuar me seancën parlamentare, ku në shumicën e rasteve kalon mesnatën. Në përgjithësi java është super e ngarkuar, por unë jam sistematik si natyrë dhe përpiqem që të planifikoj çdo gjë deri në detaje. Kuptohet që kam edhe një staf bashkëpunëtorësh, që më ndihmon në aktivitetin tim politik. Në të gjithë këtë ngarkesë, unë gjej kohë që të shkoj edhe në palestër pothuajse çdo ditë. Një “ristartim” nëpërmjet ushtrimeve fizike të jep mundësinë të rifillosh me më shumë energji dhe me mendje të kthjellët.
Jeni një njeri që zgjoheni herët? Si është rutina e ditës suaj?
Nuk zgjohem herët edhe për faktin se dita e punës aktive mbaron shumë vonë. Duhet të ndjekim edicionet e lajmeve apo debatet politike, ku në shumë prej tyre mund të jesh pjesëmarrës. Tri ditët e para të javës, janë ditë debatesh në komisione parlamentare. Dita vazhdon edhe me shumë impenjime të ndryshme, pjesëmarrja në konferenca, aktivitete, pritje, si dhe shumë kontakte gjatë ditës me qytetarë, që të drejtohen për ndihmë për probleme të ndryshme. Për fatin e keq, këtu tek ne akoma nuk funksionon sistemi, një deputet duhet të merret me spitalet, kur dikush ka nevojë për një operacion apo shërbim të kualifikuar shëndetësor, kur dikush kërkon një të drejtë në një institucion shtetëror (ministri apo drejtori të ndryshme), kur dikush gjobitet pa të drejtë, në raste fatkeqësish, duke shoqëruar të zgjedhurit lokalë dhe shumë impenjime që kërkojnë kohë dhe energji pafund. Komunikimet me telefon gjatë ditës dhe natës, janë përsëri një obligim shtesë, por i rëndësishëm. Unë kam një numër celulari të pandryshuar asnjëherë, i përgjigjem kujtdo që më drejtohet. Kjo mënyrë komunikimi më ka krijuar një imazh besimi dhe respekti të njerëzit, ndryshe nga shumë kolegë, që i hapin telefonat vetëm kur i marrin bashkëshortet dhe shefat e tyre!
Me kë e pini zakonisht kafen?
Kafen e pi me ca miq, me të cilët më lidh një shoqëri e vjetër dhe është kënaqësi ta fillosh ditën me ta. Është një kafe mëngjesi, ku nuk flitet për politikë çdo ditë, as për biznes, por thjesht relaks mes miqsh të mirë, që ndajmë së bashku emocionet e punës dhe të jetës që na rrethon.
Keni më shumë miq nga politika apo njerëz të fushave të tjera?
Kam shumë miq nga politika, madje nga të gjitha palët, nuk kam komplekse në lidhje me përkatësitë politike, të majte apo të djathtë. Miqtë e mi më të mirë, nuk vijnë nga politika, por nga fusha të tjera, dhe me ta nuk më lidh vetëm puna.
Ju ndodh më shpesh të uleni për kafe me z.Rama apo me z.Basha?
Me z.Rama dhe me z.Basha më ka lidhur puna. Në shumicën e rasteve jemi ulur për kafe pune. Me Bashën kam njohje familjare vite më parë. Me Ramën njohje të hershme dhe një bashkëpunim institucional në periudha të ndryshme. Është kënaqësi kur nuk kushtëzohesh, apo shantazhohesh nga askush. Të pish kafe me këdo në politikë, të shkëmbesh mendime e ide, është domosdoshmëri për politikën moderne. Jo të gjithë e kanë këtë luks, apo ja kanë krijuar vetes këtë privilegj.
Si është përgjithësisht jeta e një deputeti shqiptar? Nga çfarë ju ka privuar të qenit deputet?
Nuk më ka privuar nga asgjë detyra e deputetit. Thjeshtësia dhe të qenit “njeri” ka qenë dhe mbetet motoja ime. Njeriu duhet të përshtatet me realitetin, të organizohet dhe të vazhdojë jetën normale, pa krijuar pengesa dhe tangërllëqe artificiale! Unë nuk kam refuzuar asnjëherë, që të ulem në një kafene ku mendohet, se nuk mund të ulet deputeti. Nuk e kam problem të eci në këmbë, të dal për vrap në ambiente publike, të frekuentoj palestrat ku ka shumë njerëz, të shëtis bregut të detit në Golem që është i mbipopulluar. Madje atje shpenzoj shumë kohë edhe me njerëz që nuk i njoh, por që duan të më përshëndesin, apo të pyesin për diçka, apo kur përballem me kuriozitetin e pushuesve nga Kosova që duan të dinë gjithçka. Pra, kontaktet e mia nuk janë vetëm me shoferin e taksisë!
A dilni ju në ‘pub’ për jetë nate?
Në ‘pub’ dal shumë rrallë, se nuk më pëlqen zhurma. Por ka pasur raste që kam dalë me familjen dhe me miq të ndryshëm sidomos me të huaj.
Çfarë lehtësish ka një deputet? Ju ndodh të prisni për të paguar faturat? Ju vënë gjoba policët?
Ka lehtësi. Duhet ta pranojmë këtë realitet dhe privilegj. Në shumicën e rasteve kur përballesh me radhët, nëse të njohin dhe kanë respekt për ty si figure publike, të krijojnë mundësinë që një shërbim ta marrësh pa radhë, kjo ndodh kudo. Ke përparësi në institucionet shtetërore të hysh pa radhë, të marrësh përgjigje në një afat të caktuar për çdo problem. Deputeti ka një status ligjor, i cili na jep të drejtën të kemi disa përparësi në ushtrim të funksionit. Në pikat e kalimit kufitar, kemi po ashtu përparësi për të kaluar pa radhë, sepse konventat Europiane ta japin këtë të drejtë. Policët të vendosin gjoba kur shkel rregullat, por ama je i mbrojtur, se nuk mund të të dhunojë apo abuzojë polici me ty, si ndodh në ndonjë rast me qytetarët.
Sa ju ka ndihmuar fenomeni Nard Ndoka i internetit në popullaritetin tuaj?
Është e vërtetë, që më ka ndihmuar edhe ky fakt, sidomos tek brezi i ri. Po ecja një ditë në këmbë me dy miq të mitë, që kanë qenë aktivë për disa vite në politikë, por tashmë nuk janë shumë aktivë. Më ndaluan dy djem (adoleshente) dhe më kërkuan të bënin një foto me mua. Unë ju ofrova që të dilnim së bashku me miqtë e mi, por ata refuzuan, duke më thënë “se këto ‘xhaxhat’ nuk i njohim fare”! Kjo është pjesa, që të ndihmon në popullaritet tek një kategori e veçante, që nuk kanë lidhje dhe nuk e ndjekin politikën, e as nuk ju intereson ajo. Si natyrë nuk jam tip i mbyllur, i marr me sportivitet gjërat edhe kur dikush mendon, se mund të ndjehem keq.
Keni ndjerë ndonjëherë bezdi nga kjo?
Ndjen bezdi, sidomos në raport me familjen, me të afërmit dhe me personazhe, të cilët nuk e njohin “llumin” që qarkullon në rrjetet sociale të servirura nga kuzhina politike. Shumë më thonë, se cila është arsyeja që hapen kaq shumë adresa në emrin tim. Unë e di përgjigjen, por janë aq shumë arsye, kuptohet politike, sa ju them se një ditë do të lodhen ose do e kuptojnë se po veprojnë gabim. Fali o Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë!
Po kolegët ju kanë ngacmuar me “thëniet” e Nard Ndokës së “Facebook”-ut?
Ka nga ata kolegë që mendojnë se ato adresa janë reale, madje ju pëlqen ndonjë thënie dhe bëjnë komplimenta! Pra, jo të gjithë marrin vesh nga rrjetet sociale, apo janë të informuar, dhe këtu krijohet problemi i keqkuptimit.
Ku do të shkoni sivjet për pushime? Me kë do t’i kaloni?
Nuk i kaloj pushimet vetëm në një vend, në përgjithësi lëvizim me 4-5 ditë. Velipoja, Dhërmiu dhe Mali i Zi janë si plane familjare. Pushimet i kaloj me familjen time, por në shoqërinë e tri-katër familjeve të tjera me të cilët dalim ndër vite së bashku, sipas rrethanave dhe vendit.
Vazhdojnë fëmijët t’i bëjnë pushimet me ju, apo zgjedhin shoqërinë?
E kemi obligim familjar, që pushimet t’i fillojmë të gjithë bashkë dhe deri tani ky rregull është respektuar. Fëmijët janë rritur tashmë dhe kanë shoqërinë e tyre, dhe kalojnë një pjesë edhe me shoqërinë. Pushimet janë një moment kur unë mund të jem gjithë ditën me fëmijët e mi, të cilët më janë bërë edhe si shokë. Luaj me ta, dal me ta, notojmë së bashku, hamë së bashku, pra është koha kur unë bisedoj gjatë dhe për çdo gjë.
Si e kaloni kohën nën çadër? Zgjidhni sportin, një libër, një gazetë, një lojë në celular?
Bëj pushime aktive, aktivitete sportive, luaj futboll, volejboll, ping-pong, eci shumë, luaj me letra dhe celularin e mbaj larg. Preferoj gjithashtu të lexoj, ndaj librat që më pëlqejnë dhe i marr me vete.
Po pushimet në Kubë si shkuan? Cili ishte momenti më argëtues?
Kuba një vend interesant, një komunizëm disi liberal përsa i përket turizmit dhe argëtimit. Ishte një eksperiencë që nuk harrohet lehtë. Në Kubë ka një jetë aktive, ka histori e kulturë, niveli i njerëzve është vërtetë për t’u admiruar, një shofer taksie, një kamarier, një roje, të jep informacione për çdo gjë, për historinë e tyre, për gjeografinë, për kulturën, pra ndjehesh mirë në këtë aspekt.
Cili është vendi më i bukur që keni vizituar?
Kam vizituar shumë vende, një pjesë edhe për arsye të punës. Kenia mbetet një eksperiencë ndryshe, Korea e Jugut, ndërsa vendet më të bukura i përkasin Spanjës dhe Zvicrës. Të udhëtosh është një kënaqësi më vete. Unë udhëtoj shpesh, dhe në shumicën e rasteve preferoj lëvizjen me makinë, sidomos tek fqinjët që na rrethojnë.
Si do të jetë rikthimi juaj në shtator? Keni ndonjë plan që prisni ta realizoni në sezonin e ri?
Në shtator do ketë ngjarje të reja edhe për Demokristianët, kemi një marrëveshje me mazhorancën aktuale dhe kryeministrin Rama për bashkëqeverisje në nivel lokal dhe atë qendror. Shtatori do të jetë muaji që do të fillojë realizimi i përfaqësimit politik për PDK-në në të gjitha nivelet e qeverisjes. Rezultati i zgjedhjeve vendore na renditi si një forcë e rëndësishme politike në mazhorancë dhe kjo na jep të drejtën morale dhe politike, që të përfaqësohemi në bazë të peshës tonë elektorale.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: