Të dërguarit e NATO-s mbajnë sot një takim urgjent, për të diskutuar raportet se dy raketa ruse, që kishin në shënjestër Ukrainën, ranë të martën në Poloni, duke vrarë dy persona. Takimi mbahet me kërkesë të Polonisë – vend anëtar i NATO-s.

Takimi i përfaqësuesve të vendeve anëtare të NATO-s ka të ngjarë të diskutojë një kërkesë për forcimin e mbrojtjes ajrore në krahun lindor të aleancës, ka bërë me dije kryeministri sllovak Eduard Heger.

“Është e natyrshme që të ketë një kërkesë në tryezë për të forcuar hapësirën ajrore të vendeve në kufi,” tha ai.

Agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar dy diplomatë evropianë, tha se takimi mbahet në bazë të Nenit 4 të Traktatit të NATO-s. Sipas këtij neni, vendet anëtare mund të ngrenë shqetësimin kur ndiejnë se “integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e tyre” janë në rrezik.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë thanë se janë duke i hetuar raportet për shpërthimet në Poloni, për të përcaktuar origjinën e raketave.

“Do të përcaktojmë se çfarë ka ndodhr dhe cilët do të jenë hapat e duhur të ardhshëm”, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson. Polonia e vendosi ushtrinë e saj në gatishmëri të shtuar, pas takimit urgjent që mbajti Këshilli i saj i Sigurisë Kombëtare. “Ka pasur një vendim për të ngritur gjendjen e gatishmërisë së disa njësive luftarake dhe shërbimeve të tjera të uniformuara”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Qeverisë polake, Piotr Muller.

Derisa Ukraina fajësoi Rusinë për ngjarjen në Poloni, Rusia mohoi se raketat e saj kanë goditur territorin polak, duke thënë se raportet janë “një provokim i qëllimshëm” për të përshkallëzuar situatën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: