Nga: FATMIRA NIKOLLI

Me 22 të vrarë është ‘mbyllur’ konflikti i armatosur në qytetin e Kumanovës në Maqedoni. Ndërsa teoritë janë të shumta, askush nuk mundet ende të thotë zyrtarisht se cili qe shkaku a motivi që çoi në këtë përplasje me armë që zgjati 28 orë, shkatërroi qytetin duke e kthyer atë në gërmadhë. Nazim Rashidi, gazetar e analist shqiptar në Shkup, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, thotë se gjithë kjo që ndodhi, përtej bilancit të frikshëm, ka bërë që të harrohet çështja e përgjimeve, që përfshiu në skandale zyrtarë e politikanë të lartë. Përtej kësaj, politikanët shqiptarë në Shkup ‘janë zhdukur’. Asnjë deklaratë, asnjë thirrje, heshtje. I pari dhe duket i vetmi politikan vendas që ka vizituar Kumanovën e gjunjëzuar është Zoran Zaev, lideri i opozitës, i njohur ndryshe si njeriu që po bën publike përgjimet e ministrave dhe politikanëve të Shkupit. “Qytetarët pyesin: Si ka mundësi që UÇK-ja të bëjë luftë në një zonë të banuar kryesisht me shqiptarë?” – thotë Nazim Rashidi, duke hedhur dyshim edhe për këtë pikë, e teksa kritikon Tiranën zyrtare, vëren se shqiptarët dhe maqedonasit kanë qenë më të bashkuar se kurrë.
-A është e qartë pse nisi ose si nisi konflikti i armatosur në Kumanovë?
Në fakt, kjo është pyetja e madhe. Ende ka paqartësi se pse ka nisur. Nëse merren për bazë deklaratat e autoriteteve, policisë, që janë të përfshirë njerëz të cilët kanë qenë në struktura ushtarake më herët, prapë nuk është i qartë motivi se pse filloi tani. Kjo pyetje bëhet edhe më e madhe edhe për qytetarët këtu në Maqedoni, jo vetëm në Shqipëri, ngase tri ditë përpara nuk kishte asnjë lloj paralajmërimi, asnjë lloj tensioni, asnjë lloj parashikimi se në fakt mund të ndodhte një gjë e tillë në Kumanovë. Ndaj, kjo është pyetja e madhe së cilës nuk mund t’i japin përgjigje njerëzit dhe për të cilën banorët e Kumanovës janë të shqetësuar. Mungesa e përgjigjes i shqetëson, sepse nuk kishte sinjal për një situatë të tillë.
-Kjo, nëse heqim ato deklarata të cilat prej muajsh thonë se, Gruevski është në kërkim të një përplasjeje me shqiptarët në mënyrë që ta rikthejë vëmendjen tek entiteti i Maqedonisë dhe jo te protestat e shqiptarëve dhe maqedonasve të bashkuar kundër tij?
Sigurisht që, kjo është një teori dhe këtë nuk e thonë vetëm shqiptarët. Jo më larg se të dielën në mbrëmje, një ish-ministër i Brendshëm i Maqedonisë, maqedonasi Pavlo Tranajev tha në një televizion, ose le të themi aludoi direkt se bëhet fjalë për një inskenim, një situatë të cilën dikush e ka krijuar. Këto deklarata e këto supozime jepen sepse lidhet me situatën politike të para disa ditëve.
-Megjithatë, pse në Kumanovë?
Askush nuk kishte asnjë paralajmërim. Nëse diçka do dihej, njerëzit do kishin ikur më herët. Qytetarët pyesin: Si ka mundësi që UÇK-ja të bëjë luftë në një zonë të banuar kryesisht me shqiptarë? Janë një sërë pyetjesh që nuk kanë përgjigje. Duke iu kthyer pyetjes suaj më lart, dilema e madhe ka qenë mbulimi i aferës së përgjimeve dhe, përsëri, në këto momente që ne flasim bashkë (pasdite, datë 11 maj), subjektet politike shqiptare nuk kanë dhënë një shpjegim. Njerëzit, edhe këtë e presin. Kjo i shton dyshimet edhe për ato pyetje që ju bëni. Këto pyetje kemi edhe ne këtu.
-Ndërkohë që presupozohet se grupi i armatosur në Kumanovë është i UÇK-së, a ka një deklaratë nga UÇK-ja që e pranon këtë?
Një tjetër teori është që po përdoren elementë të UÇK-së. A ka një kundërdeklaratë që thotë se nuk janë tanët? N ë s e m a r r i m emrat që qarkullojnë, nëse marrim parasysh deklaratat e zyrtarëve në Maqedoni, disa prej këtyre emrave lidhen me ish-UÇK-në që ka vepruar në këto anë. Askush për momentin nuk mund të thotë me garanci se çfarë strukturash janë dhe sa prej këtyre strukturave të ish-UÇK-së janë realisht të përfshira. Mund të ketë raste edhe të individëve që mund të kenë qenë në UÇK, që mund ta përdorin këtë emër, por nga ana tjetër, askush nuk është në gjendje dhe nuk ka dhënë informacion se sa prej kësaj strukture mund të jenë mobilizuar sërish. Kjo është gjithashtu dilemë. Duke marrë parasysh pyetjen tuaj, mund të lindë pyetja: Pse kjo strukturë duhej të ngrihej tani? Kujt do t’i shkonte në favor një gjë e tillë? Siç thashë më herët, nuk kishte tension, që t’i jepte shkas, nuk kishte tension etnik. Përkundrazi, protestat, që bëheshin në Maqedoni për shkak të aferës së përgjimeve, e nxorën në plan shumë inferior çështjen e marrëdhënieve etnike, e kjo ndodhte për herë të parë që nga pavarësia e Maqedonisë. Ndaj shtrohen këto pyetje.

Lexoni intervistën e plotë në Gazeta Shqiptare (Print)

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb