Ndërron jetë në moshën 84-vjeçare ish-ministri i Jashtëm grek, Theodhoros Pangalos. Lajmi për vdekjen e tij u bë i ditur përmes një postimi të familjes së tij në Twitter.

“I dashuri ynë Theodoros Pangalos na la sot, i qetë në shtëpi, me familjen dhe bashkëpunëtorët e ngushtë pranë tij. Udhëtim të mbarë i dashuri ynë. Do të kujtojmë gjithmonë me dashuri”, ka shkruar familja e tij.

Pangalos ka qenë zëvendësministër i Tregtisë (1982), Zëvendësministër i Punëve të Jashtme për Çështjet e Komunitetit Evropian (1984), Zëvendësministër i Punëve të Jashtme (1985-1989). Gjatë periudhës 1989-1993 ai u emërua Përfaqësues i Parlamentit Grek në Këshillin e Evropës.

Ai ishte nipi i ish-gjeneralit e diktatorit grek Theodhoros Pangalos, ishte një nga politikanët më të njohur e të fuqishëm të Greqisë, që foli gjithmonë hapur për origjinën e tij arvanitase. Themelues i partisë së majtë PASOK, ishte deputet me shumë mandate në vijim, nënkryetar i qeverisë së Jorgos Papandreu 7 tetor 2009-17 maj 2012 dhe njëkohësisht kryeministër plotësues i vendit.

Theodhoros Pangalos ishte ministër i Jashtëm i Greqisë në mandatin e Kostas Simitis (22 Janar 1996 – 19 Shkurt 1999), si dhe zëvendësministër i Jashtëm për disa mandate në vazhdim në gjithë periudhën (5 qershor 1985 – 8 korrik 1994), periudhë kur Pangalos ka ushtruar tepër vëmendje në marrëdhëniet me Shqipërinë. Madje, gjatë vizitës në Shqipëri kishte deklaruar në median vendase se me shqiptarët jemi “una faccia una razza”, që do të thotë “një fytyrë, një racë”.
Pangalos ishte njohës i gjuhës arvanitase dhe studiues i gjuhës dhe kulturës arvanitase, prejardhje që nuk e fshehu kurrë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb