Kasat e telefonave inteligjentë vijnë në ngjyra dhe forma të ndryshme. Disa janë krijuar për të mbrojtur telefonin, disa janë thjesht për bukuri, ndërsa disa të tjerë janë krijuar thjesht për të sjellë diçka ndryshe, ashtu si një kasë për telefonin inteligjent që duket si një armë.

Një kasë e tillë ka shkaktuar pakënaqësi tek punonjësit e policisë në SHBA. Komisariatet e Policisë në SHBA kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për të apeluar që kasa të tilla të mos përdoren, pasi ngatërrojnë policët.

“Ju lutem njerëz- kjo kasë për celularë nuk është një pajisje e mirë. Profesioni i zyrtarëve të policisë është mjaft i vështirë, prandaj nuk kemi nevojë ta detyrojmë atë të marrë një vendim të gabuar, në një çast ku mund të jetë errësirë dhe shikon dikë që nxjerrë diçka nga xhepi që duket si armë. Si mendoni ju?”, thuhet në një prej apeleve të policisë.

Duke folur për Mashable, një zyrtar policie në SHBA tha se nuk ka pasur incidente deri tani. Megjithatë, ai thekson se kasa mund të jetë e rrezikshme, pasi njerëzit zakonisht i mbajnë armët në xhepin e pasme, dhe në këtë rast, kasa e telefonit mund të ngatërrohet me armën.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb