Ish-komandanti i Flotës Detare, Vladimir Beja, deklaroi në emisionin “Oponencë” në News24 se Shqipëria po shfaqet inferiore ndaj Greqisë në diskutimet për ndarjen e detit dhe çështjen e ishujve.

Ai mori si shembull Italinë, duke shpjeguar se Roma dhe Athina e bënë ndarjen e detit në mënyrë të barabartë që në vitin 1977, përpara konventave të sotme.

Beja shtoi se politika greke, pavarësisht ndasive të brendshme, bëhet bashkë kur vjen puna për të përfituar sa më shumë territor detar nga Shqipëria.

Në përfundim, ish-komandanti nënvizoi se edhe Ngushtica e Korfuzit duhet ndarë nga e para, pasi në fuqi mbetet ende ndarja që nga koha e Perandorisë Osmane.

“Ngushtica e Korfuzit duhet ndarë nga e para, ajo ka qenë e ndarë para 400 vitesh kur nuk kishte as kufi grek dhe as shqiptar, kur ishte perandoria Osmane, Italia apo Franca. Si ka mundësi që fuqitë e mëdha të mos e dinin se Ngushtica e Korfuzit nuk ishte e ndarë, hajde ta ndajmë. Marrëveshjet për detin kryesisht gjykohen në Gjykatën e Hamburgut dhe atje duhet të shkohet, sepse ka më shumë hapësira dhe mundësi. Greqia ka një pretendim se ishullin e konsideron si kontinent. Ishujt që të quhen ishuj tamam duhet të ketë mbi 400 banorë. Greqia menjëherë çoi ushtarë atje, kjo nuk bëhet. Me Italinë i ka ndarë që më 1977 ishujt dhe territorin detar, kur nuk ishin ende konventat, kurse ne na e kërkon 100%, pse? Ne jemi vend anëtar i NATO dhe po integrohemi në BE. Greqia nuk na ka në dorë, por këta janë inferiorë, kemi ndërruar 4 ministra të Jashtëm”, tha ish-komandanti.

Ai u shpreh se Greqia është e qartë në atë që kërkon, edhe pse në mënyrë të padrejtë, kurse pala shqiptare shfaqet e përçarë, e pagrupuar dhe madje inferiore.

“Atje politikanët grupohen, Tsipras me Mitsotakis, me interesin e përbashkët që deti të ndahej sa më shumë në favor të Greqisë, këtu nuk grupohen. Këtu rrinë kokëulur dhe shohin se kush do gabojë. Unë edhe Gjykatës së Hagës po të çohet atje, nuk i trembem. Por Gjykata e Hamburgut ka një hapësirë tjetër, se pranon edhe ankimim shtesë. Kurse Haga i thërret për të dëgjuar palët se çfarë ankimimi kanë dhe nuk lejon më shumë se tre pyetje, kurse zgjidhja shihet si politike. Politikisht ishte gabim dërgimi në Hagë si nga Shqipëria ashtu edhe nga Greqia dhe Dendias në atë kohë. Sepse duhet të bien dakord të dyja palët. Ka shumë precedentë të tillë”, vijoi ish-kreu i Flotës.

Ai kërkoi më shumë vëmendje, teksa vlerësoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi marrëveshjen e vitit 2009, por vuri në dukje se në vitin 2013 u prish akordi dhe përparimi i arritur, për interesa dhe shkaqe ende të paqarta, për të cilat politika duhet të japë llogari.

“Ka një lojë politike që nuk është në interes të Shqipërisë, sepse flitet për një palë të tretë. Diskutimet duhet të jenë mes dy vendeve. Deri në 2013 erdhën disa gjëra në akord, po pse u prish, si u prish, kush kishte interes të prishej, ajo duhet gjetur, kjo i duhet kërkuar politikanëve shqiptarë. Protokolli i Firences është i qartë, që ekziston kufiri, pavarësisht disa paqartësive”, tha ai.

Beja theksoi se më e mira do ishte dërgimi në Gjykatën e Hamburgut të çështjes dhe jo në Hagë siç kanë rënë dakord palët.

Duke iu referuar deklaratave të zyrtarëve më të lartë të Athinës, Beja theksoi se pala greke po shfrytëzon hapësirat dhe mungesën e lëvizjeve juridike nga pala shqiptare për të zgjeruar territorin e saj në dëm të hapësirës sonë detare në detin Jon.

Beja hodhi dritë mbi një ngritje pikëpyetjeje të madhe sa i përket diplomacisë shqiptare dhe hapave ligjorë që duheshin ndërmarrë në arenën ndërkombëtare për të bllokuar pretendimet e Athinës zyrtare.

“Konventat ndërkombëtare thonë se nuk mund të zgjerosh aty ku nuk ka hapësirë për të zgjeruar. Shtetet kufitare, në raste të tilla, bëjnë një rezervë ligjore dhe e paraqesin atë në OKB. Dendias na kujton sot neve shqiptarëve se u bënë pesë vite që kur e shtuan detin në 12 milje. Kjo ndodh sepse, siç duket, pala shqiptare nuk ka bërë rezervën ligjore të nevojshme në OKB për të mbrojtur kufijtë tanë detarë,” deklaroi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb