Mesarete Ymeri, e cila ndërroi jetë ditën e djeshme, një nga partizanet që frymëzoi skenaristët për ta kthyer atë në një frymëzim për një rol filmi, vite më parë ka rrëfyer jetën e saj në luftë.

Në një intervistë për gazetaren e News24 Aurora Golemi, e moshuara, asokohe 90-vjeçe tregoi vështirësitë e luftës kur ishte partizane si dhe momentin e plagosjes së saj në fushë-betejë.

E moshuara tregoi se njihej me emrin Lilo Labja, që më pas u bë personazh filmi në ‘Malet me blerim mbuluar’, partizania që plagoset në luftë, rol që e luajti Yllka Mujo.

Veterania e luftës antifashiste nacional-çlirimtare cilësohet padyshim monument i gjallë i partizanes trime që vuri lirinë e atdheut  mbi gjithçka.

RREFIMI PER NEWS24
90 vjeçarja  rrëfen për News24  momente nga jeta e saj mes shtigjeve të luftës. Sapo kishte braktisur bankat e gjimnazit në Gjirokastër për t’u veshur partizane Në operacionin e qershorit ra në pritë nga gjermanët, u plagos rëndë me dy plumba një në këmbë, plumbi tjetër i dërrmoi krejt gojën, gjaku i kullonte deri tek kepucët.

“Kam qene 17 vjeçe kur kam dalë partizane në luftë. 6 ditë dhe 6 netë kam qenë e plagosur në Ferrë. Por rinia është ajo që të bën të jetosh.  17 dhëmbë më janë hequr nga plumbat. Ndërsa jashtë shtetit  me vunë buzën prapë, ma qepën. Jemi krenarë për brezin që kemi qenë,  asnjë brez nuk i ka dhënë Shqipërise atë që i kemi dhënë ne”

E pyetur për mënyrën si trajtohen veteranët sot, ajo ka rezervat e saj: “Qeveria të na ketë në vëmendje  sidomos për ne invalidët pasi  ka mungesa të mëdha. Ne jemi invalidë na kanë lënë me seli në katin e 5 të pallatit”

Por jeta si partizane nuk eshte e gjitha. Ajo e ka ndare jetën e saj me një bashkëshort pilot, që jo rastësisht, zbulon ajo, ka qenë edhe piloti personal i Enver Hoxhës.

Edhe pse në moshë të thyer, ajo nuk ndahet nga shoqet e shoket e saj veteranë, dhe sot ishte e pranishme në  konferencën e zhvilluar me rastin e themelimit të “60-vjetorit te organizates se veteraneve të LANÇ”.

Në konference u mbajten fjalime në lidhje me rezistencën antifashiste dhe u kërkua që 20 korriku të shpallet “dita kombëtare e veteraneve”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: