Protestë e banorëve të Postribës janë stacionuar përpara bashkisë Shkodër, ndërsa protestojnë në lidhje me ujin e ndotur që pretendojnë se shkon në çezmat e tyre për shkak të guroreve që ndodhen në fshatin Domen.

Me pankarta në duar me mesazhe të forta, banorët kërkojnë ndërprerjen totale të punës nga guroret, ose do të bëjnë vetëgjyqësi.

Protestuesit shoqërohen nga administratori i Postribës, Bledar Brahimataj. Banorët i kërkuan kryetarit të bashkisë Shkodër, Benet Beci që guroret të largohen, ose në të kundërt do ta zgjidhin sipas Kanunit sepse kjo histori ka 5 vite që vazhdon.

Vetëm pak minuta pasi nisi protesta kryetari i bashkisë Shkodër, Beci u ul dhe takoi banorët e Postribës duke thënë se shumë shpejt çështja e ujit të pijshëm do të zgjidhet. Më pas një grup përfaqësuesish prej protestuesve u pritën në një takim nga kryebashkiaku Beci duke i parashtruar kërkesat e tyre.

Kryebashkiaku Beci tha se ka një projekt për ujësjellësin në fshatin Domen dhe ky investim do të zgjidh problemin e tyre ndërsa do të interesohet edhe për dokumentacionin e guroreve ndër vite. Në mbështetjeje të protestuesve ishte edhe aktivisti Sazan Guri. Prej 5 vitesh banorët e Postribës kanë protestuar herë pas here lidhur me guroret dhe ujin e pijshëm ndërsa kanë bërë padi edhe në organet e drejtësisë por deri më tani çështja e tyre nuk është zgjidhur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: