VLORE – Policia ka finalizuar operacionin antikanabis të koduar “Ndërmjetësi”, në kuadër të të cilit janë sekuestruar 89 kg e 800 gr lëndë narkotike dhe u asgjësuan me djegie 3 parcela me 663 rrënjë bimë narkotike, në fshatin Shkozë të Vlorës.

Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se janë arrestuar në flagrancë shtetasit Dilaver Kapaj, 32 vjeç dhe Behari Bazaj, 38 vjeç, të dy me banim pranë njëri-tjetrit në fshatin Shkozë.

“Seksioni kundër narkotikëve, gjatë një kontrolli të ushtruar në këtë zonë të thellë malore, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, ka bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e një sasie bimësh narkotike prej 89 kg e 800 gr, të varura për t’u tharë, gati për t’u shitur, në banesën e shtetasit: Dilaver Kapaj, i cili u arrestua në kushtet e flagrancës duke fjetur gjumë. Këtij personi i është gjetur dhe sekuestruar pranë vetes një armë zjarri të llojit, Automatik model 56′, bashkë me krëhërin dhe 30 fishekë të kalibrit 7.62 mm. Efektivët e Policisë, si rezultat të këtij Operacioni, kanë asgjësuar me djegie 3-parcela me 663 rrënjë bimë narkotike të mbjella në stanin e shtetasit: Behari Bazaj, në fshatin Shkozë.”- bën të ditur policia e Vlorës.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: