TIRANE – Kushdo e kujton terrorin që ndodhi në ndeshjen Serbi¬-Shqipëri, ku asnjë tifoz shqiptar nuk ishte i pranishëm në stadium. Me përjashtim të një numri shumë të kufizuar që kanë shoqëruar përfaqësuesit e lartë të FSHF- së dhe disa gazetarë, nuk ka pasur asnjë shqiptar tjetër të pranishëm në stadiumin “Partizani” të Beogradit.

Megjithatë, në Shqipëri ndodh ndryshe. Pavarësisht trajtimit aspak normal që ju bë shqiptarëve, edhe vetë ekipit kombëtar, duke i bllokuar në stadium dhe në aeroport, në ndeshjen që do të organizohet në Shqipëri, do të jetë një tjetër panoramë.

Në fillim u tha që do të ketë vetëm 100 tifozë serbë në stadium dhe ata do të ishin bashkëpunëtorë të Federatës Serbe të Futbollit, megjithatë, ditën e djeshme është mësuar se do të ketë më shumë sesa kaq. Ilir Shulku, sekretari i Përgjithshëm në FSHF, ka konfirmuar se do të ketë edhe 70 studentë serbë të pranishëm në tribunën qendrore.

“Është një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj serbe. Do të vijnë rreth 70 studentë serbë, të cilët do të akomodohen në familjet e studentëve shqiptarë dhe në ditën e ndeshjes do të jenë bashkë në stadium për të ndjekur takimin. Kuptohet që kjo është diçka sensibilizuese, mjaft e mirë dhe pozitive për një frymë bashkëpunimi e ‘fair play’, të cilën ne ua kërkojmë të gjithë tifozëve dhe njerëzve të pranishëm në stadium”, është shprehur Shulku në lidhje me këtë çështje.(panorama)

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: