Policia e Durrësit ka arritur të arrestojë një 47-vjeçar, pas një ndjekjeje spektakolare për plot 5 kilometra në autostradën Tiranë-Durrës.

Në pranga ka rënë shtetasi A. B., banues në Golem, Kavajë, i cili nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe ka ikur me shpejtësi me mjetin e tij tip “Audi”, por pas ndjekjes është bllokuar dhe arrestuar te mbikalimi i Shkozetit.

“Pas kontrollit të ushtruar u konstatua se në sediljen e pasme ndodhej një çantë krahu brenda së cilës ndodhej një pistoletë tip “TT” dhe një krehër me 7 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.

Njoftimi i policisë:

Durrës

Qarkullonte me armë zjarri me vete, nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar dhe u largua me shpejtësi, por pas ndjekjes rreth 5 kilometra, kapet e vihet në pranga 47-vjeçari.

Në automjetin e 47-vjecarit Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, krahas angazhimit maksimal për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, vijojnë punën për përmbushej e detyrave funksionale, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Në këtë kuadër, shërbimet e Policisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për evidentimin dhe kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, duke përfituar edhe nga situata, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas qarkullonte me armë zjarri, kanë organizuar punën për bllokimin e mjetit dhe të personit që dyshohej se qarkullonte me armë.

Shërbimet e Policisë kanë konstatuar mjetin e dyshuar në lëvizje të sheshi “Pranvera”, në Durrës dhe i kanë bërë shenjë për ndalim. Drejtuesi i mjetit ka kundërshtuar urdhrin e dhënë dhe është larguar me shpejtësi, por pas 5 km ndjekje nga ana e Policisë është bërë e mundur që në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, të bllokohej mjeti tip Audi që drejtohej nga shtetasi A. B., 47 vjeç, banues në Golem, Kavajë.

Pas kontrollit të ushtruar u konstatua se në sediljen e pasme ndodhej një çantë krahu brenda së cilës ndodhej një pistoletë tip “TT” dhe një krehër me 7 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb