Nga: KIÇO BLUSHI*
U mbars mali dhe polli një mi! Kështu duket se përfundoi edhe skandali disamilionësh i të famshmit proces ÇEZ-KESH-qeveriopozitë. Nuk është as e para dhe as e fundit herë që një histori e bujshme “ikën në drejtim të paditur”. Ashtu si prishja e “Zogut të Zi”, edhe pse Gjykata Kushtetuese e dënoi aktin; më pas dëmi mbi 200 milionë euro i rrugës së Kombit, etj., etj., edhe ky korrupsion madhështor, me përmasa ndërkombëtare “u arkivua” me të shumtët në kasafortën e indiferentizmit, por jo pa lënë gjurmë. Njëlloj si në diktaturë, ne nuk na bëjnë përshtypje milionat e humbura, dëmet që i shkaktohen pronës dhe interesit publik, ngaqë i quajmë mall pa zot, që nuk na përkasin ne, po atyre që na qeverisin. Ndaj shumëkush ndër ne beson sinqerisht se nuk ia vlen të merakosemi për dëmin ekonomik, ekologjik a kulturor. Sepse korrupsioni, abuzimet dhe vjedhja tashmë janë kthyer në traditë, në mënyrë jetese të begatë. Ky është zanati më i lakmueshëm dhe më fitimprurës i politikëbërjes: të marrësh e të përfitosh atë që nuk të takon. Pa këtë “shqisë” nuk ka e nuk gjen politikanë të motivuar në Ballkan e veçanërisht në trojet shqiptare.
Ne tanimë kemi një trashëgimi të suksesshme shtetërore për vjedhje, përvetësime e abuzime të pacak. Falë këtyre aferave skandaloze, të mbetura përherë pa fajtorë, udhëheqësit tanë fitojnë më shumë nam dhe lavdi, ndërsa opinioni publik bëhet gjithnjë e më i pafuqishëm e më i pandjeshëm. Si rrjedhojë e kësaj trysnie mediatike e politike është përforcuar bindja mbarëpopullore se të gjithë derrave të sotëm të politikës u ndryshon vetëm ngjyra e qimes, kurse turirin e kanë të njëjtë. Kjo bindje vazhdon të paralizojë besimin te partitë, te liderët dhe te politikëbërja, por edhe te Drejtësia, duke e mpakur shpresën për një të ardhme më të mirë e më të sigurt. Ikjet masive të shqiptarëve në Gjermani e provojnë për bukuri këtë dukuri ndjellakeqe, e cila po na zhbën dita ditës si komb.
***
Me apo pa qëllim, pavarësisht kush është në pushtet, -qeveri e djathtë apo e majtë – me sa duket, këtë synim paskëshin pasur të gjithë ata që na qeverisin: si e si të djerrëzojnë jo vetëm mjedisin, pasuritë kombëtare e publike, harmoninë dhe bashkëjetesën, por të sterilizojnë e mundësisht edhe të kastrojnë “në mënyrë demokratike” opinionin publik që të sigurojnë paprekshmërinë, adhurimin e verbër të votuesve e militantëve. Ndaj sot për sot vështirë të gjesh, si në veri e në jug, si në qytet dhe në çdo katund, një shqiptar normal që të besojë se po u ndërruan disa ministra, domosdo do të përmirësohet cilësia e qeverisjes, do të ketë më pak korrupsion, abuzime e arrogancë, do të hapen më shumë vende pune, taksat me gjasë do të ulen e do të mblidhen pa evazion dhe si përfundim, jetesa do të bëhet më e mirë.
Mosbesimi në rritje të detyron të besosh se ndryshimi i shumëpritur nuk mund të vijë, madje as nga ndërrimi i qeverive prej fuqisë së votës. Kjo sepse, edhe vota po na ikën në drejtim të paditur, duke përfunduar, jo rastësisht, në shtrat me hajdutët dhe kriminelët e rinj, të cilët pak ndryshojnë nga të vjetrit. Një zhgënjim i përsëritur e i tejzgjatur bën më shumë dëm se një epidemi kombëtare. Vështruar me këtë sy, natyrshëm lindin pyetjet: A ia vlen të ketë ndryshime emrash të ministrave? Dhe po qe kështu, pra po qe se me këtë operacion plastik do të përmirësohet qeverisja, përse Rama nuk e pranon ndryshimin e disa ministrave? Përgjigja është lehtësisht e kuptueshme: ai e di që kjo ndërhyrje nuk do të ndryshojë kurrgjë, përveçse do të dobësojë pozitat e tij. Po përse “aleati” i tij, Meta e kërkon “impulsin e ri” fill pas skandalit të ÇEZ-it dhe “pajtimit” dypalësh? Sepse edhe ai kërkon që me këtë veprim t’i japë vetes sa më shumë garanci për mosndryshim rolesh e pozicionesh. Meta pra, nuk e kërkon ndryshimin nga meraku për të shtuar “impulsin” e qeverisë, ashtu si dhe Rama e kundërshton atë jo dhe aq për të siguruar vazhdimësinë e reformave; por të dy, në kahje të ndryshme, synojnë të njëjtën gjë: të garantojnë mosndryshimin, statukuonë, sigurinë e mëtutejme vetjake të qëndrimit në pushtet.
***
Nuk ka terren socio-politik më të favorshëm për të abuzuar dhe për të përfituar padrejtësisht se sa ky yni, ku n’daç të vendoset hetim kombëtar, n’daç ndërkombëtar, kryemonarkët dhe klanet e tyre partiakë e klientelistë do të mbeten përherë të nderuar, në krye të sofrës, të gjithëpushtetshëm, hazërxhevap, tallës, përçmues, krenarë e fodullë, herë të zgjedhur nga ne “me vota të lira dhe demokratike” dhe herë të emëruar nga lart… Janë ata që jemi edhe ne, qytetarët e zakontë. E tillë do të jetë e do të mbetet paria partiake edhe sikur të miratohet me “konsensus” ligji i dekriminalizimit, sa kohë që nuk ndryshon kodi zgjedhor, fuqia absolute që i kanë dhënë vetes, pas ndryshimeve të Kushtetutës, dy a tri kryetarë partish, të cilët kanë uzurpuar më shumë pushtet edhe se një monark arab. Mjafton që të shohë se po bisedon me kolegët deputetë, të cilët shërbejnë si fasadë, përfshi edhe Berishën e Topallin, por sikur flet në miting, për t’u bindur se edhe një kryetar rishtar si ai nuk i shpëton dot tundimit për të folur e për t’u sjellë si një udhëheqës legjendar, i dlirtë, i ndershëm, i drejtë, i pagabueshëm. Kësisoj, edhe zëvendësimi i Berishës me Bashën nuk ka shërbyer si ndryshim, por si mosndryshim.
Ne qenkemi të dënuar të drejtohemi nga asish krerësh “karizmatikë”, që duket sikur na përfaqësojnë, meqë, medemek jemi ne ata që i kemi zgjedhur. Pikërisht pse të gjithë e dimë se sa pak peshë reale ka vota dhe vendimmarrja jonë, ata, krerët tanë të sotëm nuk e kanë aspak frikë gjykimin e votuesve, ndaj tjetër thonë e tjetër bëjnë… Në këtë kuptim, në Shqipëri nuk ka pikë rëndësie kush është në qeveri, aq më pak nëse do të ndërrohen herë pas here emrat e ministrave, sepse në këtë vend të bekuar, shumë-shumë mund të hiqet Lena e të vihet Prena, që më pas të ndryshojnë fasadat e pallateve dhe ministrive apo pedonalet e qyteteve, njëlloj si dekoret e spektakleve, në vend që të përmirësohet sadopak cilësia e jetës, detyrë kjo parësore e politikës. Kësisoj ndryshimi i qeverive, por edhe i ministrave, jo rastësisht tek ne rëndom ka përfunduar si legalizim i mosndryshimit.
Aq është çimentuar “me ligj” kjo mënyrë zgjedhjeje e përzgjedhjeje e atyre që na qeverisin, saqë krerëve tanë nuk u shkon në mend të dorëhiqen jo vetëm kur dështojnë e humbasin zgjedhjet, por edhe kur rrezikohen, pas zbulimit të skandaleve; përkundrazi ata shfaqin edhe në ditët e tyre më të zeza një guxim të hatashëm, edhe kur vrasin qytetarë, edhe kur kapen me zarfe… Ata na sfidojnë hapur, teksa dalin e thonë, pa u bërë syri tërr, se qoftëlarg, po të ikin ata nga pushteti, këtu do të bëhet qameti, dmth do të ketë destabilitet, rrëmujë, anarki, zullume, luftë civile… Prandaj ulni kokën e mos bëni zë…! Flini rehat, se tani që “u qetësua” situata mes Metës dhe Ramës, nuk ka pikë rëndësie në do të ndërrohen ministrat, në do të përfitojë apo jo impuls të ri qeverisja. Rëndësi ka që tani, – më në fund! – “rreziku i destabilizimit të shoqërisë u kapërcye!”.
E ç’na lipset më shumë se kaq?!

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: