Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit përkujton sot 100-vjetorin e lindjes së artistit të popullit, Prenk Jakova.

Ai ishte kompozitor i shquar dhe themeluesi i gjinisë së operas kombëtare shqiptare, me dy veprat e tij “Gjergj Kastrioti Skënderbeu“ dhe “Mrika“ .

”Mrika” ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti që u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës.

Prenk Jakova u lind në vitin 1917 në familjen e patriotit të njohur shkodran Kol Ded Jakova, i cili ka qenë ndër organizatorët e mbrojtjes së kufijve kombëtarë nga agresioni jugosllav në Luftën e Koplikut, në vitin 1920,dhe vdiq tragjikisht më 16 Shtator të vitit 1969.

Mjeshtri i muzikës shqiptare Prenk Jakova pas moshës 18 vjeçare u bë drejtuesi artistik i bandës muzikore të Liceut “Illyricum”. Nxënësit e tij të parë ishin Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Simon Gjoni, Tonin Rrota, Zef Gruda, emrat e mëdhenj të muzikës shqiptare.

Opera e dytë e Prenk Jakovës “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu“ u prit shumë mirë nga kolegët e dashamirësit e artit, që në shfaqjen e tij të parë në Tiranë, por kritika zyrtare mediokre me qëllime keqdashëse e tundoi mjaft kompozitorin, i cili u detyrua të ripunojë disa pjesë. Gjithsesi vepra “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu“ ishte shumë më solide se “Mrika“ e cila vuante fatkeqësinë e subjektit dhe tematikës së artit skematik, ku duhet të frynte patjetër era revolucionare e kohës së absurditetit.

Prenk Jakova ishte një kompozitor që shkroi me sukses romanca, kantata dhe këngë. Këngët e tij “Syrin tek qershia“ dhe “Margjelo“ janë shumë të njohura dhe për shkak të popullaritetit që gëzojnë shumë kush i identifikon si këngë popullore shkodrane.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: