I ftuar në emisionin “Shqip” nga Dritan Hila në “Dritare TV”, historiani i njohur Pëllumb Xhufi ka komentuar vizitën e Presidentit turk Erdogan në vendin tonë.

Xhufi ka kujtuar edhe një vizitë të Erdogan në vendin tonë në vitin 2005, ku sipas tij opozita e asaj kohe me në krye Berishën la një përshtypje skandaloze dhe shumë të keqe teksa u largua nga parlamenti kur Erdogan po mbante fjalimin.

“Në prag të zgjedhjeve të vitit 2005 ka ardhur Erdogani ka bërë një vizitë në vendin tonë, mbajti edhe një fjalim në parlament dhe Berisha iku edhe nga parlamenti bashkë me grupin e tij opozitën. Ishte Fatos Nano kryeministër në atë kohë dhe Berisha me atë gjest, la një përshtypje skandaloze shumë të keqe. Sebepi ishte se ishte privatizuar Telekomi që e kishte marrë kompania turke.
Unë gjykoj që ishte një sinjal që i jepej Athinës që ne me Turqinë do vëmë ‘kufirin’. Nga ’97 Berisha kishte krijuar një bindje që pa mbështetjen e Athinës nuk vinte në pushtet”, u shpreh historiani Pëllumb Xhufi.

Sipas tij, vizita e Erdogan në Shqipëri nuk ka asnjë lidhje me datën së vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Kujtojmë që sot më 17 janar u shënua 554-vjetori i vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

“Arsyeja kryesore e vizitës së Erdogan ishte inaugurimi i banesave te reja në Laç, një vepër të cilës Turqia iu gjend afër Shqipërisë pas tërmetit. Kam dëgjuar zëra kundër vizitës së Erdogan për arsye nga më të ndryshmet që nuk lidhen fare me vizitën e Erdogan. Sot është rasti për të uruar bashkëqytetarët tanë që u goditën nga tërmeti dhe sot hynë në banesat e reja. Turqia për ne ngelet një partner strategjik A shikoj një lidhje mes datës së vdekjes së heroit kombëtar Skënderbeu dhe vizitës së Erdogan? Absolutisht që jo. Turqia për ne ngelet një partner strategjik. As pretendon besoj asnjë shqiptar që Erdogan të tundë flamurin e Skënderbeut këtu. Ai është heroi ynë kombëtar, i paprekshëm padyshim. Edhe Turqia ka heronjtë e saj, ndonjë hero i Turqisë edhe neve na pëlqen si Qemal Ataturku, i cili është krijuesi i Turqisë moderne që e ndau Turqinë nga e kaluara osmane dhe i cili dhe sot e kësaj ditë në Turqi nderohet, ndoshta presidenti Erdogan nuk e ka shumë shumë qejf, por ai është një emblemë të cilën nuk ka shtetar turk që ta refuzojë.”, u shpreh historiani i njohur Pëllumb Xhufi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb