Përfundojnë pushimet dhe nesër deputetët do t’i rikthehen punës në Kuvend, me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Seanca e parë plenare e sesionit të tretë të legjislaturës së 11-të do të mbahet në orën 17:00.

Seanca e parë pritet të jetë kryesisht ceremoniale, ndërsa puna konkrete e Kuvendit do të nisë me përcaktimin e programit dhe kalendarit të punimeve për periudhën e re parlamentare.

Në orën 11:00 të paradites, pritet të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, ku do të diskutohet dhe miratohet projektprogrami i punës së Kuvendit dhe projektkalendari i punimeve.
Në sesionin e ri parlamentar pritet që vëmendja kryesore të përqendrohet te dy reforma të rëndësishme: reforma zgjedhore dhe reforma administrative-territoriale.
Sa i përket reformës territoriale, Partia Socialiste ka depozituar një propozim për ndryshimin e organizimit aktual të njësive vendore. Sipas propozimit, numri i bashkive në vend do të reduktohet nga 61 në 46.

Nisma ka hasur kundërshtime, veçanërisht në ato bashki që parashikohet të bashkohen me njësi të tjera vendore. Debati pritet të jetë një nga çështjet kryesore të diskutimit politik gjatë këtij sesioni.

Krahas reformës territoriale, në Kuvend pritet të rikthehet në fokus edhe reforma zgjedhore. Ndërkohë është paralajmëruar mbledhje e protestuesve para Kuvendit, ndërsa policia pritet të marrë masa si herët e tjera, me gardhe policore. Protestuesit kanë bërë thirrje që nesër deputetët të goditen me vezë dhe domate.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb