Klubet shqiptare janë treguar të kujdesshme në merkaton e dimrit, duke ndërhyrë me “pikatore”. E tillë është edhe Vllaznia, që ka ruajtur shumë balancat.

Në një lidhje Skype me emisionin “Sport News” në “News 24” të drejtuar nga Enxhi Biba, drejtori sportiv i Vllaznisë, Matko Djarmati, shpjegoi lëvizjet e pakta tek ekipi shkodran.

Djarmati gjithashtu foli edhe për ndeshjen me Tiranën, ku sipas tij, fjala “patjetër” nuk është në konceptin e tij, pasi futbolli sjell të papritura. Drejtori sportiv i Vllaznisë uron që ekipi ta nisë mbarë në klasiken shqiptare, por kjo sfidë nuk është vendimtare për të dyja skuadrat, pasi ende nuk është mbyllur faza e dytë.

“Testimin e fundit e kemi bërë para 7 ditëve, nuk kemi asnjë të infektuar, gjendja është shumë e mirë. Nuk kemi ndonjë problem të madh dhe shpresoj që kundër Tiranës të kemi të gjithë kontingjentin e lojtarëve.

U transferuam në Durrës se fusha “Reshit Rusi’ nuk është gati për stërvitje, as fusha tjetër me bar natyral ku kemi ndërruar barin e nuk mund të përdorim fushën. Por do vazhdojmë nga java tjetër përgatitjet në Shkodër, se nuk është e lehtë për klubin, është kosto e madhe financiare. Ishim 7 ditë në Ulqin e tani 5 ditë në Durrës. Por ndjehemi në shtëpi më mirë se sa çdo javë në një hotel tjetër.

Fjalët e Brdariç për fushën? Unë kam 11 vite që jam në Shqipëri dhe njoh shumë mirë ambientin. Unë kritikoj aty ku duhet, jo në media. Ai kërkon një fushë stërvitore që ekipi ynë të stërvitet më mirë, të luajë më mirë, të stërvitet si duhet për ndeshjet. A-ja e futbollit është që si stërvitesh edhe do luash ndeshjen. Kur nuk ke kushte stërvitjesh, si do të bësh ndeshjen?

Merkato? Jemi shumë të kënaqur, kemi absolutisht besim te çunat që kemi për momentin. Unë personalisht mësoj edhe nga gabimet, jo vetëm nga gjërat e mira. Vjet në merkato kemi sjellë 4 lojtarë dhe asnjë nuk kapi formacionin. Këtë vit ishim shumë, shumë të kujdesshëm, kemi bërë punë shumë të mirë në verë dhe tani nuk kemi nevojë për të marrë lojtarë vetëm se është merkato.

Lind gjithmonë pyetja pse duhet të jetë i lirë një lojtar në merkaton e janarit? Pastaj tani është edhe koha e shkurtër për të përshtatur një lojtar. Një i huaj do një apo dy muaj të përshtatet dhe të shohë ku ka ardhur, të njohë shokët, trajnerët, stilin e trajnerit, si funksionon klubi. Nuk është e lehtë në një kohë kaq të shkurtër.

Afrime? Ne jemi përqendruar për momentin nëse realizojmë një shitje, se interes ka. Pastaj do të veprojmë. Besoj se kemi 24 lojtarë, me çdo pozicion të dubluar dhe çdokush që vjen nga stoli ka shumë mundësi të luajë në kampionat. Do veprojmë vetëm nëse shesim një lojtar apo nëse largohet.

Klasikja? Jemi shumë të barabartë me Tiranën. Luajmë në “Air Albania”, patjetër është pak më shumë në avantazh ekipi i Tiranës se e ka përdorur atë stadium javë për javë. Por edhe ne do të përdorim stadiumin më të bukur në Ballkan dhe lojtarët tanë do të kenë një motiv më shumë të tregojnë para shqiptarëve një lojë të bukur dhe do të jem shumë i lumtur nëse dalim me një rezultat pozitiv.

Objektivi minimal është prania në Europë, maksimal është kampionati. Si ta përmend, është edhe shkalla e objektivave. Por po kështu mendojnë edhe ekipet e tjera në fillimin e sezonit.

Ne kemi faj vetë për gjendjen ku jemi për momentin se deri tani në kampionatin shqiptar që para fillimit të sezonit dihej se kush ishin skuadrat që luftonin për titull e Europën. Në një ditë aty ka ardhur edhe Vllaznia dhe jemi aty ku për momentin ai klub e meriton, jemi në majat e futbollit shqiptar.

Edhe ne kemi faj sepse çdo ekip kundër nesh nuk luan më si ndaj Vllaznisë që po bie apo është në vendin e 8. Por jemi këtu dhe çdokush jep maksimumin të luftojë kundër Vllaznisë”, u shpreh Djarmati.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb