Në vijim të fjalimeve përpara godinës së Kryeministrisë në ditën e 87-të të protestës, aktivisti Arben Kola i ka drejtuar një thirrje të fortë dhe direkte Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke kërkuar veprime konkrete ndaj krerëve të politikës në vend.
Kola theksoi se drejtësia ka në dorë një rol kyç për t’i hapur rrugë ndryshimit politik në mënyrë paqësore, ndërsa vendosi një afat për veprimet e prokurorëve të posaçëm.
“Edhe një herë thirrje për SPAK: Mundësoni revolucionin paqësor! Në javën e parë të shtatorit presim nga ju arrestimet e para në hierarkinë e lartë politike, duke filluar me Edi Ramën! Gjithë shqiptarët i kanë sytë te ju,” deklaroi Kola përpara protestuesve.
Aktivisti paralajmëroi organin e akuzës se mosveprimi ndaj aferave korruptive të pushtetit do ta përfshijë këtë institucion si bashkëfajtor të status-quosë politike.
“Përndryshe ju do të bëheni palë me sistemin e kalbur politik 35-vjeçar. SPAK, veproni sa më shpejt që të bëni të mundur revolucionin paqësor,” përfundoi aktivisti Arben Kola fjalën e tij.
