KUKËS

Kryeministri Edi Rama tha se Kosova dhe Shqipëria janë një, duke i kthyer kështu një përgjigje të fortë Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Rama përsëriit nga Kukësi, ku po vaksinohen kundër COVID-19 bluzat e bardha të Kosovës me dozat dhuratë nga Shqipëria, se “ai shoku le të publikojë harta dhe të lozë në facebook” por “ne jemi një dhe kështu do vazhdojmë deri në fund”.

“Mirë se keni ardhur dhe më vjen shumë mirë. Ne kemi filluar me 500. Në fakt Blerimi më mori në telefon më tha t’i bëjmë 200. I thashë sa duhen, 500. Ne nuk do t’u lëmë në asnjë mënyrë vetëm atje sepse në fund të fundit jemi një. Edhe fakti që bëhet në Kukës lidhet me atë që kompanitë nuk lejojnë nxjerrjen e dozave jashtë. Kukësi është dhe i Shqipërisë dhe i Kosovës. Qëlloi të nesërmen e asaj hartës së leshit, por është më mirë kështu. Ai shoku në Beograd le të publikojë harta dhe të lozë në facebook, ne jemi një dhe kështu do vazhdojmë deri në fund. Me shëndet”, deklaroi Rama.

Vuçiç, dy ditë më parë publikoi hartën e Kosovës të mbuluar nga flamuri serb. Në foto shkruhej: “Kosova nuk është barra jonë, por kryqi ynë, dhe nga kryqi mund ta shihni ringjalljen më mirë se nën të. Rroftë Serbia!”; dhe më tej postimi shoqërohej me një dixhiturë: “Serbia sot nuk është e dobët, nuk kërcënon, por dhe nuk harron, dhe nuk do të lejojë që 17 marsi të ndodhë përsëri”.

Ky postim i Vuçiç ngjalli shumë reagime si nga Kosova ashtu dhe nga Shqipëria.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb