VLORË

Policia e Vlorës ka vënë në pranga me qëllim ekstradimi drejt Italisë një 40-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar për “Krime seksuale me të mitur” dhe “Kërcënim”.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit ndaj Personit dhe Pasurisë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Vlorë, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin provizor të shtetasit E. D., 40 vjeç, banues në Vlorë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Lecce-s, Itali, me vendimin e datës 11.11.2019, i ka caktuar masën “Arrest në burg”, për veprat penale “Krime seksuale me të mitur” dhe “Kërcënim” parashikuar nga Kodi Penal italian. Maksimumi i dënimit për këto vepra është 14 vjet burgim.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb