Babai i Leart Haxhiut, i cili akuzohet si një nga autorët e masakrës së Lushnjës, ku mbetën të vrarë dy të rinj, kërkon drejtësi për të birin. Haxhiu, bashkë me Anterio Kaloshin dhe Orges Bilbilin akuzohen për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhë, ngjarje kjo e ndodhur më 11 tetor të 2016 në Lushnjë.

Babai i të riut ka lëshuar akuza në drejtim të sistemit të drejtësisë, se nuk janë bazuar te provat reale, ndërsa pohoi se i biri nuk ka lidhje me vrasjen e dy të rinjve. Sipas tij, i biri ishte jashtë vendit kur ndodhi krimi, gjë që sipas tij e vërteton edhe sistemi TIMS.

Ndërkohë, ndaj Haxhiut, i cili ndodhet në arrati, rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e qetësisë publike”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe u është caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”.

INTERVISTA
Cfarë kërkoni nga drejtësia?
E drejta jonë është se ne kërkojmë drejtësi nga prokuroria. Asgjë tjetër. E drejta jonë duhet të zbardhet me dëshmitë që kanë dhënë dëshmitarët dhe me të gjitha procedurat që ka ngritur prokuroria.

S’ka ndërmend djali juaj që të vetëdorëzohet?
Djali im vetëdorëzohet dhe bën deklarimin, por kujt do t’i dorëzohet ai? Kësaj drejtësie që është e korruptuar?

Nuk ka lidhje me vrasjen?
nuk la lidhje. Prokuroria duhet të hetojë se djali im s’ka lidhje me vrasjen. Duhet të shikoni sistemin TIMS, ka qenë jashtë shtetit në atë kohë. Nuk ka qenë në Shqipëri.

Ku ndodhet?
Nuk e di se ku është. Me dy persona që flitet dhe akuzat, nuk ka pasur asnjë konflikt. Këtu ka filluar një proces me hipotezë, jo proces që të jetë i mirëfilltë.

A keni prova të tjera për të provuar pafajësinë e djalit tuaj?
Janë kamerat e vendngjarjes, dëshmitarët. Edhe duke parë kamerat, kanë ndryshuar 3 herë dëshminë ata. A mund të kemi tre dëshmi të ndryshme? Besoj se jo! Dëshmitarë duhet t’u merret parasysh deklarata e parë që kanë bërë në polici.

Pse kanë ndryshuar qëndrim dëshmitarët?
Pyesni prokurorinë. S’ka prokurori në botë që të shqyrtojë brenda 15 ditëve një çështje voluminoze. Kjo prokurori që ka ngritur këtë akuzë, kërkon që të na vrasë, të zhdukemi ne si njerëz. Pyesni prokurorët, ata janë të varur.

A keni konflikt me familjet e viktimave?
Kemi konflikt se ata po na hedhin akuza sipër. Akuza rëndon mbi kurrizon tonë.

A keni folur me familjarët e viktimave?
Kam kërkuar të komunikojë, por kush pranon të flasë.

A keni marrë kërcënime?
A nuk duhet të ruhem? Unë nuk ruhem sepse nuk kemi faj. Prokurorja e çështjes ka arritur deri aty sa i ka bërë presion dëshmitarëve në sallën e gjyqit. Çfarë pres unë? Po na çojnë në vëlla vrasje. Prokuroria nuk pranon që të hapet asnjë kamer. Nuk pranon asnjë ekspert.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb