Vlora Hyseni, ndaj së cilës Gjykata e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) caktoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe u pezullua nga detyra, u emërua në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror në mars të vitit 2023. Kryeministri Edi Rama njoftoi më 17 mars 2023 se i kishte propozuar presidentit Bajram Begaj emrin e Vlora Hysenit, ish-zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, për postin e drejtueses së SHISH.

“I paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj.VLORA HYSENI drejtore e Shërbimit Informativ të Shtetit, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar.”, shkruante në atë kohë kryeministri, duke shprehur vlerësime për figurën e saj.

Para se të emërohej në krye të SHISH, ajo punoi për disa vite në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ku fillimisht kishte mbajtur postin e drejtoreshës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe më pas, nga viti 2019, atë të zëvendësdrejtoreshës. Në mesin e vitit 2021, ajo u shkarkua nga detyra nga Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti për arsye që nuk bëhen të ditura publikisht.

Vlora Hyseni e mbante këtë detyrë që nga shkurti i vitit 2019. Ajo ishte emëruar për një mandat pesëvjeçar nga presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj. Më parë kishte qenë drejtoreshë e Marrëdhënieve me Jashtë në AKI dhe kishte pas vetes një karrierë të gjatë brenda inteligjencës kosovare.

Lindi më pas interpretimi se shkarkimi mund të kishte lidhje me një rrjedhje të dyshuar të informacioneve të klasifikuara. Por kjo arsye nuk figuron në vendimin zyrtar. Mediat e Prishtinës iu rikthyen çështjes në mars 2023, duke theksiar se detyrimi për ruajtjen e informacionit të klasifikuar vlen për personat që kanë punuar në AKI dhe se as Qeveria dhe as Presidenca e Kosovës nuk kishin deklaruar publikisht se një rrjedhje informacioni kishte qenë shkaku i shkarkimit. Edhe kur u pyetën përsëri nga gazetarët në vitin 2023, institucionet kosovare nuk dhanë një shpjegim publik për arsyet e vendimit të vitit 2021.

MASA E SPAK
Gazetarja Klodiana Lala raportoi ekskluzivisht për BalkanWeb se Hysen akuzohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit hetimor.

Ndërkohë gjatë kontrolleve të ushtruara nga SPAK në banesën e saj, Hyseni nuk u gjet. BalkanWeb mëson se Vlora Hyseni ndodhet në Baku të Azerbaxhanit, një një konferencë me 82 shefash shërbimesh Informative nga mbarë bota. Në një kohë kur GJKKO lëshoi këtë masë sigurie për numrin një të sigurisë së shtetit shqiptar, natyrshëm lind pyetja nëse është cënuar sigurua kombëtare?!

“Është rasti i parë që një zyrtare e lartë merr këtë masë sigurie. Teksa pretendohet se kreu i SHISH ka në dorë sekrete te shqiptarëve, ka përfunduar në një masë arresti. Nuk është e konfirmuar nëse i është komunikuar kjo masë sigurie apo jo. Është zyrtari i parë i lartë në këtë detyrë që përfundon në këtë akuzë nën dyshime nga SPAK.”, tha gazetarja Klodiana Lala.

Kujtojmë se SPAK mëngjesin e sotëm nisi një aksion blic, ndërsa ushtroi kontrolle në disa zyra dhe banesa të disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë, mes tyre ish-kreun e policisë Ilir Proda. Pas hekurave kanë rënë disa punonjës policie.

Kush është Vlora Hyseni?
Ajo është lindur në Kosovë në vitin 1984 dhe është mbajtëse e shtetësisë kosovare dhe asaj shqiptare. Para se të vinte në Shqipëri për ta udhëhequr Inteligjencën shqiptare, Hyseni ka punuar edhe në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Sipas biografisë së saj të publikuar nga SHISH, Hyseni AKI’së iu bashkua në vitin 2010. Para kësaj kishte nisur karrierën e saj në vitin 2008 në Prishtinë, pranë Zyrës së një organizate ligjore ndërkombëtare të SHBA, për promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, si përgjegjëse për iniciativën mbi sundimin e ligjit.

Në shkurt të vitit 2019 emërohet Zëvendësdrejtore e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, me përgjegjësinë për asistimin e Drejtorit për operacionet, performancën buxhetore dhe hartimin e strategjive zhvillimore dhe infrastrukturore të agjencisë.

Në dhjetor të vitit 2020, kalon ushtruese e detyrës së Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, detyrë të cilën e ushtroi deri në prill të vitit 2021. Këtë detyrë e mbajti deri në emërimin e Petrit Ajetit.

Por, ajo ishte shkarkuar më pas nga pozita e zëvendësdrejtoreshës së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë nga presidentja e atëhershme, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, pa dhënë ndonjë arsye se pse përveçse i kishin kujtuar asaj obligim për të ruajtur informacionit e klasifikuara, shkruan Express.

Presidenca dhe ZKM-ja e kanë paralajmëruar Vlora Hysenin se mosruajtja e informacioneve që ajo i posedon nga puna në AKI, do të mund t’i kushtonte asaj.

“Zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit nr.06/074 Penal të Republikës së Kosovës, Ligjit Nr.03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”, thuhej atëherë në njoftim.

Pasi u shkarkua në Kosovë, Hyseni tre muaj më pas u bë këshilltare për sigurinë kombëtare e kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Ajo këtë pozitë e mbajti nga shtatori i vitit 2021 deri në prill të vitit 2023.

Me propozimin e Ramës, Hyseni u bë drejtoresha e parë grua e Shërbimit Informativ të Shtetit shqiptar dhe në këtë detyrë u emërua në prill të 2023-ës.

“Vlora Hyseni është drejtori i 11të i Shërbimit Informativ të Shtetit, emëruar në detyrë me Dekretin e Presidentit të Republikës nr. 51, datë 3.4.2023”, thotë SHISH-i në biografinë për Hysenin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb