Presidenti i SHBA Joe Biden informoi zyrtarisht Kongresin për përcaktimin e Shtetit të Katarit si “aleat kryesor jashtë NATO-s”, pas bisedimeve që zhvilloi me Emirin e Shtetit të Katarit, HH Sheik Tamim bin Hamad Al Thani, të hënën e djeshme.

Që nga marrja e detyrës para një viti, kjo ishte hera e parë që Presidenti Biden priti në Shtëpinë e Bardhë një udhëheqës nga vendet e Gjirit.
Biden tha se përcaktimi i Shtetit të Katarit si aleat kyç i Shteteve të Bashkuara është “njohje e interesit tonë kombëtar në thellimin e bashkëpunimit me të në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”.

Në fillim të takimit me HH Sheik Tamim bin Hamad Al Thani në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti amerikan theksoi se partneriteti mes dy palëve është thelbësor për shumë interesa jetike të të dy vendeve. Ai u shpreh se bisedimet Emirin e Katarit përfshinë sigurinë në rajonin e Gjirit dhe Lindjen e Mesme, si dhe stabilitetin e burimeve globale të energjisë.

Pentagoni tha se përcaktimi i Shtetit të Katarit si aleat kryesor jashtë NATO-s do të hapë derën e mundësive të shumta për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.
Nga ana e tij, Emiri i Katarit tha se bisedimet me Presidentin amerikan ishin të frytshme, ku u trajtuan zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare në kuadër të partneritetit strategjik që bashkon dy vendet.

Ai shtoi në një postim në Twitter se ky partneritet “po forcohet dita ditës për të arritur paqen dhe stabilitetin në rajon.”
Më herët, Emiri i Shtetit të Katarit pati deklaruar se do të diskutonte me Presidentin e SHBA-së një sërë çështjesh rajonale, midis të cilave edhe të drejtat e popullit palestinez, duke përsëritur se ishte krenar për rolin që luajti vendi i tij në evakuimet në Afganistan dhe duke theksuar vazhdimin e punës për të arritur paqen në rajon.

Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani, i cilësoi marrëdhëniet mes Dohas dhe Uashingtonit se ato shtrihen përtej administratave dhe dallimeve partiake. Ai vuri në dukje se në bisedimet midis Emirit të Shtetit të Katarit dhe Presidentit të SHBA-ve u diskutua edhe për marrëveshjen bërthamore iraniane, ku theksoi se angazhimi i palës katariane me iranianët dhe amerikanët nuk është thjesht përcjellje mesazhesh dhe se Doha e sheh rikthimin në marrëveshjen bërthamore si një “faktor stabiliteti për rajonin”.

Ai deklaroi se Doha po përfiton nga kanalet e hapura me Uashingtonin dhe Teheranin “për të afruar këndvështrimet”, dhe është e interesuar të arrijë një marrëveshje rreth programit bërthamor iranian. Gjithashtu kreu i diplomacisë katariane theksoi se vendi i tij mbështet diskutimin e shqetësimeve të të gjitha palëve, duke nënvizuar se Teherani po tregon gatishmëri për fqinjësi të mirë.

Lidhur me bisedimet për një krizë të mundshme energjetike në Evropë, ministri i Jashtëm i Shtetit të Katarit tha se Doha është e gatshme të bashkëpunojë me prodhuesit dhe konsumatorët e gazit, por tha se vendi i tij nuk do të jetë palë e asnjë polarizimi politik në këtë fushë.

Takim me Sekretarët e Mbrojtjes dhe Sigurisë së Brendshme
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, priti në Pentagon Emirin e Shtetit të Katarit HH Sheik Tamim bin Hamad Al Thani, para se ky i fundit të zhvillonte takimin e nivelit të lartë me Presidentin Jo Biden.

Në një postim në Twitter, HH Sheikh Tamim bin Hamad njoftoi se rezultatet e takimit rrisin bashkëpunimin strategjik dhe ushtarak midis Dohas dhe Uashingtonit, duke theksuar se përpjekjet e përbashkëta mes tyre janë tërësisht të orientuara drejt paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në botë.
Nga ana e tij, Sekretari amerikan i Mbrojtjes tha se vendi i tij është i përkushtuar për ta bërë partneritetin me Shtetin e Katarit edhe më të fortë se sa është tani. Ai shprehu gjithashtu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Dohas në krizën afgane dhe për mikpritjen e forcave amerikane në bazën ajrore Al Udeid në Katar.

Zyra e shtypit të Emirit të Katarit, nënvizoi fjalën e Austin ku tha se besimi që ngjall Emiri i Katarit si lider dhe partner i besueshëm, do të përmirësojë marrëdhëniet e mbrojtjes në kuadër të përpjekjeve të të dy vendeve për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon, si dhe për të përmbushur qëllimet e përbashkëta, zgjidhjen e konflikteve, mbështetjen humanitare për civilët dhe uljen e tensioneve.
Korrespondenti i Al-Jazeera citoi një zyrtar amerikan të Departamentit të Mbrojtjes, i cili thoshte se këto bisedimet u zhvilluan për të konfirmuar forcën e partneritetit midis dy vendeve.

Zyrtari amerikan shtoi se diskutimet përfshinë interesat e përbashkëta të sigurisë, situatën në Afganistan, uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme, si dhe bashkëpunimin në mbrojtje.
Korrespondenti raportoi se bisedimet midis HH Sheikut Tamim bin Hamad Al Thani dhe Sekretari të Mbrojtjes Austin janë të tretat në muajt e fundit, pas konsultimeve telefonike në fund të gushtit të kaluar dhe vizitës së ministrit amerikan në Doha për të falënderuar udhëheqjen e Katarit për mbështetjen e përpjekjeve të tërheqjes nga Afganistani.

Më herët, Emiri i Katarit u takua me Sekretarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Alejandro Mayorcas, ku u shqyrtuan marrëdhëniet e bashkëpunimit dhe rrugët për zhvillimin dhe forcimin e tyre në fusha të ndryshme, veçanërisht në fushën e sigurisë.
Ndër të tjera, u nënshkrua edhe një marrëveshje ndërmjet kompanisë ajrore katariane Qatar Airways dhe kompanisë amerikane “Boeing”, sipas së cilës do t’i shiten kompanisë Qatar Airways 34 avionë kargo, si dhe rreth 50 avionë pasagjerësh, që do të dorëzohen brenda 5 viteve.

Zyrtari amerikan për vizitën
Pak para samitit midis Presidentit Biden dhe Emirit të Shtetit të Katarit në Shtëpinë e Bardhë, një zyrtar i lartë amerikan dha informacion për vizitën.
Ai tha se Uashingtoni kishte ca kohë që po punonte për programimin e kësaj vizite, duke theksuar se Emiri i Shtetit të Katarit është lideri i parë i një vendi të Gjirit që viziton Uashingtonin këtë vit., si dhe theksoi se vizita e Emirit të Shtetit të Katarit në Uashington vjen në kohën e duhur dhe është një mundësi e rëndësishme për konsultime për një sërë çështjesh rajonale dhe globale.

Zyrtari amerikan shprehu mirënjohjen e vendit të tij për Shtetin e Katarit, për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme që ka dhënë në Afganistan për të realizuar zhvendosjen e dhjetëra mijëra personave që nga gushti i kaluar, përveç kontributit që ka dhënë më parë si partner në mbështetjen e procesit të paqes.
Ai nënvizoi se Uashingtoni po diskuton këto ditë me partnerët e tij të ndryshëm çështjen e furnizimit me energji të Evropës në rast të pushtimit rus të Ukrainës dhe se Presidenti Biden do të ngrejë në bisedimet e tij me Emirin e Katarit, përpjekjet diplomatike të SHBA-ve dhe partnerëve të tyre evropianë për të arritur një zgjidhje diplomatike të krizës, si dhe reagimin e mundshëm në rast të një pushtimi rus të Ukrainës.
Zyrtari amerikan theksoi se Shteti i Katari qëndroi krah Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit dhe klasifikimin e organizatave dhe rrjeteve në listën e terrorizmit.

Marrëdhënie më të forta se kurrë
Të dyja palët, si ajo katariane ashtu edhe ajo amerikane, bien dakord të përshkruajnë marrëdhëniet mes tyre si më të forta se kurrë.
Ata e demonstrojnë këtë me një sërë dosjesh strategjike ku janë përfshirë bashkë, ndër të cilat më kryesorja është bashkëpunimi në fushën e sigurisë rajonale dhe çështjet urgjente globale, veçanërisht në Afganistan. Atje Doha luajti një rol kryesor në lehtësimin e tërheqjes amerikane, si dhe në transferimin e shtetasve amerikanë e të huaj dhe të afganëve që dëshironin të largoheshin. Sikurse mbështeti fort stabilitetin politik dhe punën humanitare. I gjithë ky bashkëpunim kulmoi me nënshkrimin e një marrëveshjeje, sipas së cilës Shteti i Katari mbron interesat e SHBA-ve në Afganistan.

Përveç kësaj, bashkëpunimi mes dy palëve shtrihet edhe në çështje të tjera rajonale, si: çështja palestineze, programi bërthamor iranian, lufta në Jemen, Siri dhe Bririn Afrikan, si dhe mbështetja për të zhvendosurit dhe të shpërngulurit. Të dy vendet bashkohen, gjithashtu, në një partneritet të gjerë mbrojtës dhe ushtarak.
Sipas mendimit të Uashingtonit, Katari është një partner i rëndësishëm në promovimin e stabilitetit rajonal, jo vetëm duke mikpritur forcat amerikane në bazën Al Udeid, e cila ofron siguri në të gjithë rajonin, por edhe duke ofruar ndihmë ekonomike dhe humanitare në kohë të vështira.

Në planin ekonomik, të dy palët kanë një partneritet ekonomik me vlerë qindra miliarda dollarësh në fushën e tregtisë dhe investimeve.
Ashtu siç zhvillojnë një bashkëpunimit të ngushtë në fushën e shëndetësisë, veçanërisht në fushën e kontrollit të sëmundjeve, ku spikasin kontributet e Katarit në mbështetje të përpjekjeve amerikane dhe globale për të luftuar pandeminë e Covid-19.

Përveç kësaj, palët kanë një bashkëpunim të ngushtë për të garantuar një zhvillim të sigurt dhe të suksesshëm të Botërorit të futbollit 2022, sikurse do të vijojnë me konsultime më vonë, përpara organizimit të këtij turneu në Amerikën e Veriut në vitin 2026. Këtu vlen të përmendet edhe koordinimi i tyre në luftën kundër terrorizmit dhe fushën e sigurisë kibernetike, si mbështetja ndaj përpjekjeve ndërkombëtare në këtë drejtim.

Nga ana tjetër, senatori amerikan Chris Murphy tha se ai shpreson që “me ndihmën e Katarit ne mund t’i kthejmë të gjitha palët te marrëveshja bërthamore”. Murphy shtoi se ata janë shumë mirënjohës për rolin e Dohas në përpjekjen për të sjellë iranianët në tryezën e bisedimeve. Gjithashtu, ai shprehu shpresën e tij për zhvillimin e një dialogu për sigurinë rajonale, duke theksuar se Shteti i Katarit është i gatshëm të jetë një lojtar kryesor në këtë drejtim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: