Eliminimi në gjysmëfinalen e Kupës së Turqisë ka bërë që sezoni i Beshiktashit të cilësohet praktikisht i mbyllur, pasi skuadra nuk mund të bëjë më mirë në kampionat për t’iu afruar ekipeve që ka më lart në renditje. Kësisoj, ka ardhur koha e vendimeve të rëndësishme dhe një prej tyre ka të bëjë me Kristjan Asllanin.

Sipas të përditshmes turke  “Sabah”, klubi i qytetit të Stambollit, ka marrë vendimin që të mos ushtrojë klauzolën për blerjen e kartonit të 5 lojtarëve që ka marrë në huazim e mund të nënshkruante përfundimisht gjatë kësaj vere. Një prej tyre është pikërisht mesfushori i Kombëtares shqiptare, iu cili u mor nga radhët e Interit në janar.

Që në fillim kishte shumë mëdyshje për Asllanin për shkak të klauzolës së lartë që vendosi Interi, rreth 12 milionë euro. Por tashmë, me fundin e një sezoni pa trofe dhe maksimumi kualifikimi në Ligën e Konferencës, në klubin turk nuk e shohin të arsyeshme të paguajnë një shifër të tillë për futbollistin.

Ndaj pritet që Asllani pas dy javësh të mbyllë eksperiencë e tij të shkurtër te Beshiktashi dhe të kthehet në Itali te Interi, në pritje të transferimit në radhët e një klubi tjetër pasi për të nuk ka hapësira te zikaltrit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: