Në librin e tij “Në Vetërrethim” të botuar disa vite më parë, Dr. Jorgji KOTE, Mjeshtër i Madh, ka përshkruar disa aspekte sa interesante aq dhe intriguese në të kaluarën moniste. Duke qenë për dekada përkthyes i njohur zyrtar dhe shoqërues me shumë grupe turistike dhe delegacione të partive (m – l) si dhe ekspert dhe drejtor në ish-Ministrinë e Tregtisë së Jashtme ai ka treguar thjesht dhe me vërtetësi shumë fenomene dhe ngjarje jo shumë të njohura të asaj periudhe. Në këtë rast interesi është i madh mbasi rrëfimet i takojnë një qytetari dhe zyrtari aktiv të përfshirë në ingranazhet e sistemit të kaluar dhe në ngjarjet madhore të asaj periudhe të vështirë. Këto janë pasqyruar dhe në librin në gjuhën angleze të po këtij autori “True Stories from Red Albania” (Ndodhi të vërteta nga Shqipëria e Kuqe) e cila është pritur me jehonë dhe në median dhe publikun e huaj në Austri, Belgjikë, Luksemburg dhe gjetkë.

Redaksia po boton disa prej ngjarjeve më të rëndësishme që lidhen me tregtinë e jashtme, turizmin, lëvizjen marksiste – leniniste, qëndrimet armiqësore ndaj fesë, revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës, vullnetarizmin e detyruar dhe parrullat kryesore të kohës në periudhën 1965 – 1990, të cilat autori i ka jetuar aktivisht qysh në periudhën e shkollës dhe më vonë në shërbimin e jashtëm deri në agimin e demokracisë më 1990. Sot po e fillojmë me kreun e parë mbi tregtinë e jashtme.

Img 6560
Img 6560

Edhe Tregtia e Jashtme në Rrethim!
Gati 15 vite të rëndësishme të jetës ( 1978 – 1992) i kalova kundër çdo lloj parashikimi në ish-dikasterin e Ministrisë së Tregtisë së Jashtme, i cili që pas vitit 1990 u kthye në Ministrinë e Bashkëpunimit Ekonomik Ndërkombëtar e më pas në atë të Ekonomisë. Fillova aty në mars 1978 si specialist dhe dola në gusht 1993, si Drejtor i Drejtorisë së Biznesit, pasi kisha punuar gati 10 vjet në Drejtorinë e Koniunkturës dhe Çmimeve, e për ca kohë edhe ato të Kuadrit e të transaksioneve tregtare.

Ish – Ministria e Tregtisë së Jashtme ( MTJ) u krijua në Dhjetor të vitit1977. Deri atëherë aktiviteti i saj mbulohej nga një drejtori e veçantë në ish-Ministrinë e Tregtisë, e cila ishte drejtuar për 30 vjet rresht nga njerëz kompetentë, nga Ish- Ministri Kiço Ngjela dhe ish- Zv.Ministri Vasil Kati; të dy këta u dënuan më 1975 bashkë me pjestarët e tjerë të grupit armiqësor në ekonomi, të kryesuar nga Abdyl Këllezi, një tjetër “kollos” i ekonomisë liberale të asaj kohe.

Krijimi i MTJ-së u kushtëzua nga disa faktorë madhorë të asaj kohe, të cilat përmenden më poshtë:

Ishin gati për t’u ndërprerë, për shkaqe të njohura marrëdhëniet tregtare me Kinën. Kësisoj, Shqipëria kishte mbetur vërtet e vetme në llojin e vet, pasi kishte refuzuar cdo lloj aleati dhe traktati, madje duke shpërfillur edhe komponentin jetik të kostos në kuptimin e saj të plotë. Mirëpo Kina mbante peshën kryesore të tregtisë së jashtme dhe ekonomisë së vendit tonë. Ajo na furnizonte me të gjitha mallrat e nevojshme, nga lapsat e famshëm deri tek armatimet dhe objektet industriale, duke importuar edhe vëllimin kryesor të mallrave tona të eksportit. Kësisoj, për evadimin e mallrave tona të eksportit kishin mbetur vetëm tregjet e vendeve lindore ose “revizioniste”, siç i quanin ne; por dhe ato mund të kompensonin vetëm një pjesë fare të vogël të nevojave të eksport-importit tonë. Madje, edhe mundësitë që ekzistonin për rritjen e volumit tregtar me to praktikisht nuk mund të shfrytëzoheshin, nga frika apo dyshimi se mos kjo mund të konsiderohej si “afrim” me vijën revizioniste “ dhe sikur ne po u përulemi “; për më tepër pasi kohë më parë ishim betuar se “bar do të hamë, por parimet nuk i shkelim”!

Kësisoj, dilte në plan të parë nevoja e futjes në tregjet perendimore, si për evadimin e mallrave të eksportit ashtu dhe për sigurimin e importeve, për të furnizuar gjigandët e industrisë sonë, sidomos Kombinatin Metalurgjik, i cili gëlltiste pa mëshirë “pjesën e luanit”të lëndëve të para të importit, sidomos qymyrit të koksifikueshëm, të cilat kushtonin vërtet “një djall e gjysëm”.

Në vitin 1981 u vu në zbatim Plani i Tetë Pesëvjeçar, i pari sipas parimit të mbështetjes tërësisht në forcat tona (deri atëhere kishte qenë “kryesisht në forcat tona”). Prioritet i tij i domosdoshëm ishte shtimi i ndjeshëm i eksportit, shkurtimi i importit dhe rritja e fondit në valutë të fortë (dollarë amerikanë dhe monedha të tjera perendimore). Në kushtet kur dhe Kushtetuta e vitit 1976, jo vetëm e ndalonte, por e konsideronte tradhti marrjen e ndihmave dhe kredive, bashkëpunimin ekonomik me BE-në, FMN, etj, eksport – importi mbetej rruga dhe alternativa e vetme për të dalë nga udhëkryqi në të cilën ndodhej vendi
ynë.

Së fundi, kërkohej një lidhje organike dhe funksionale me organet prodhuese, të cilat kishin detyra shumë më të mëdha në fushën e shtimit të produkteve për eksport dhe pakësimit të importit. Edhe nga pikpamja e propagandës dhe imazhit, krijimi i një dikasteri të veçantë e të specializuar për tregtinë e jashme dukej se ngjallte shpresa edhe për publikun.

Dikasteri u vendos fillimisht në godinën e Bashkisë së sotme të Tiranës dhe pak më vonë, prapa godinës se MPJ-së, e cila ishte destinuar të shërbente si vendi i akomodimit të diplomatëve, meqenëse godina ku sot ndodhet MPJ-ja ishte parashikuar të bëhej selia e Ambasadës kineze. Ministër i parë i Tregtisë së Jashtme u emërua Nedin Hoxha, i cili deri në vitin 1975 kishte qenë Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Gjirokastrës. Njeri punëtor, energjik, operativ, me bon sens dhe masovik; vinte nga radhët e klasës puntore, por kishte mbaruar dhe Shkollën e Partisë. Zv. Ministër i Parë u caktua Marko Xega, Ish-Sekretar i I-rë i Komitetit të Partisë të Librazhdit, i cili ishte dhe Sekretar i Byrosë së Partisë së Ministrisë. Zv.ministra të tjerë ishin Myzafer Ahmati që vinte nga aparati i KQ të PPSH-së, njeri i fisshëm, por skolastik, që njihte vetëm parimet shabllone e që nuk ia kishte haberin punëve të tregtisë së jashtme; ndryshe ishte Zv.Ministri tjetër, i ndjeri Myrteza Sinoimeri, njeri pragmatik, i shkathët, që e njihte administratën dhe ekonominë, pasi kishte qenë edhe Zv.Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Fierit.

Emërimi i dy drejtuesve të dikasterit nga aparatet e larta të Partisë ishte një paralajmërim serioz se edhe tregtisë së jashtme do t’i qëndronte si “shpata e Demokleut” mbi kokë ideologjizimi dhe dogmatizmi partiak. Më 1982, pas eliminimit të Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut, Nedin Hoxha u largua si Ministër për t’u emëruar Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Gjirokatrës, më vonë në Burrel dhe në Vlorë, ku u dallua gjithnjë për frymën e iniciativës dhe për pragmatizëm; ndaj dhe sot kujtohet dhe përmendet me respekt nga njerëzit me të cilët ka punuar, por dhe njerëzit e thjeshtë. Vendin e tij e zuri i ndjeri Shane Korbeci, teknicien i aftë, inxhinier mekanik, ish-drejtor i “Makinaimportit”.

Zëvendësministra të tjerë gjatë kësaj periudhe, tejet të aftë dhe njerëz të mirë deri në vitet 90, kanë qenë Jetnor Rama ( i cili më 1982 u largua si i afërm i Fiqrete Shehut) Pajtim Ajazi, ndër drejtuesit e rinj me mentalitet të emancipuar dhe që e njihte mjaft mirë tregtinë e jashtme, pasi kishte shërbyer tetë vjet si Këshilltari ynë tregtar në Berlin; Altin Ylli, profesionist i zoti që i ngjiti me punë, profesionalizëm dhe urtësi shkallët e karierës, nga specialist, atashe tregtar në Greqi dhe Zv.Ministër.

Të dy ishin dhe mbetën njerëz të komunikueshëm, të aftë e të ndershëm, gjë kjo jo dhe fort e zakonshme për njerëzit e tregtisë. Pas vitit 1985 u caktua Zv.Ministër, pasi ishte zgjedhur dhe Kandidat i KQ të PPSH-së, ish-Drejtori i Transhqipit, Kostandin Hoxha; ky i fundit, ndryshe nga sa pritej, u shqua më tepër për zellin dhe aktivitetin partiak, duke mbetur larg pritmërive profesionale. Ministria ishte e organizuar si të gjitha dikasteret dhe me specifikën e saj. Ajo kishte edhe drejtoritë operative sipas shteteve e mallrave; gjithashtu në përbërje të saj ishin edhe drejtoritë funksionale – planit, financës, bilancit, personelit, etj.

Menjëherë pas krijimit të MTJ-së, me vendim të posaçëm të Byrosë Politike, u krijua edhe Drejtoria e Koniukturës dhe e Çmimeve, me 10 vetë, me degë nëpër të gjithë ndërmarrjet e tjera, madje dhe në ndërmarrjet prodhuese kryesore. Kjo Drejtori, bashkë me strukturat e saj në ndërmarrjet e specializuara të tregtisë së jashtme dhe Përfaqësitë tona tregtare jashtë vendit, si në Itali, Francë, Greqi, Suedi, Austri, Egjipt dhe vendet e lindjes ndiqte hap pas hapi prirjet dhe luhatjet e koninkturës dhe çmimeve në tregjet ndërkombëtare të mallrave dhe bursave, sidomos të kromit, naftës, metaleve, produkteve bujqësore, me qëllim që të përfitonim sa më shumë në eksport dhe të humbisnim sa me pak në import.

Në atë drejtori punuam për mbi 10 vjet pak a shumë me të njëjtin staf; ndaj, duhet të përmend drejtorin e saj të parë, të ndjerin Dervish Gjiriti; ata që e pasuan, miqtë dhe paraardhësit e mi drejtorë, Vaso Pilo dhe Vasillaq Shanon, veç të tjerash edhe qytetarë me vlera; po ashtu, kolegët dhe shokët e mi të vjetër e të mirë, ekspertë të mirëfilltë, Maksim Haxhiu, Alfred Pajo, Besnik Shtylla, Stavro Konduri, Kiço Kalaja, Andrea Laçej dhe Spartak Mersini; koleget e çmuara, Lumturi Budo dhe Vera Malile, të ndjerat Zaira Zoraqi dhe Zonjën e rrallë fisnike të krejt Ministrisë, Vasilika Xhixho.

Edhe pse në përbërje të ndërmarrjeve të tregtisë së jashtme, ne i kishim përherë pranë kolegët tanë të nderuar të konjunkturës atje, gjithnjë korrektë, efektivë dhe miqësorë – Vjollca dhe Avni Xhani, Pandeli Kozmai, Hysen Seseri dhe i paharruari për përkushtimin dhe mirësinë e tij – i ndjeri Dilaver Shkurti. Pavarësisht nga ngjarjet, tensioni i punës dhe peripecitë e shumta, ishim dhe mbetëm kolegë dhe miq besnikë, duke ndarë bashkë të mirat dhe të këqiat, në çdo situatë.

Ndërsa pas vitit 1980, për të përballuar nevojat dhe kërkesat lidhur me projektet për ndërtimin e veprave të mëdha, si uzina, kombinate, hidrocentrale, etj u krijua dhe Drejtoria e Objekteve, me degët e saj në Tiranë dhe në rrethe, e cila ka bërë një punë voluminoze. MTJ kishte vartësi politike nga sektori përkatës i KQ të PPSH-së dhe ai i Këshillit të Ministrave. Një ndër Sekretarët e KQ dhe Zv.Kryeministrat ndiqte direkt aktivitetin e saj në çdo qelizë. Drejtor i saj ishte Luan Gorishti, ndër njerëzit më fisnikë dhe Zotëri i vërtetë, krahas aftësive të larta profesionale.

Gjithashtu, në atë periudhë, duke qenë se kishte “uri” për kuadro ekspertë, pasi shumica dërmuese e tyre ishin dënuar me burg, ose ishin larguar si të padenjë nga tregtia e jashtme, duke qenë se duhet të dinin anglisht por dhe të mësonin disa gjëra elementare nga tregtia e jashtme, me 20 nga shokët dhe kolegët tanë që kishin mbaruar shkollën e lartë për anglisht dhe frëngjisht u organizua një kurs intensiv tre mujor specializimi dhe ata u emëruan në ndërmarrjet e tregtisë së jashtme ose në përfaqësitë tona tregtare jashtë vendit. Është fakt i njohur i asaj kohe se partnerët tanë tregtarë kishin plot vërejtje për komunikimin deficitar në anglisht.

Por, tregtia e jashtme e asaj kohe dhe më vonë pati mjaft specialistë dhe drejtues të shquar, ku spikasin edhe mjaft zonja, po aq të afta. Ata vinin kryesisht nga përvoja si specialistë dhe drejtues në prodhim, por që me punë dhe përkushtim ia morën dorën shumë shpejt zanatit të tregtisë së jashtme, megjithë kufizimet dhe vështirësitë që përmenden më poshtë. Duke u kërkuar të falur plot shokëve dhe kolegëve të tjerë të asaj kohe që nuk mund t’i përmend të gjithë këtu e duke qenë i bindur në mirëkuptimin e tyre, veç emrave të cituar më lart, po përmend vetëm disa prej tyre, ndër më të njohurit e me të cilët më ka lidhur më shumë puna; prapa tyre ka mbi 10 vite pune të përbashkët, sa sfiduese aq dhe interesante e tërheqësese si dhe një bollëk historish, ngjarjesh dhe episodesh të cilat kërkojnë javë që të tregohen:

Drejtorë dhe Zv.drejtorë në Ministri dhe në ndërmarrjet e tregtisë së jashtme: “ase” në zanat, energjike dhe të palodhura, e ndjera Aleksandra Çollaku, Fiqrete Sala, Tale Dibra dhe Loreta Bedalli; të ndjerët Niqifor Alikaj, Azbi Gjikondi, Ali Zajmi, Piro Bezhani, Jeton Hajdari, Ymer Buzi, Piro Totozani, Ylvi Sinani dhe Ante Kajo si dhe Stefanaq Tollkuçi, Ferdinand Kita, Ilir Abdiu, Jorgo Themeli, Sheraf Mosho, Gjolekë Zeneli, Ymer Çeliku, Ylli Treska, Luan Shahu, Hito Minga, Sevo Vangjeli, Ligor Dhamo; kryetarë dege, specialistë të mirëfilltë: Natasha Moisiu, Vilma Nushi, Donika Titka, Zare Berberi, dhe Vilson Ahmeti, i cili nga Makinaimporti ngjiti shkallët e karierës deri në Kryeministër për disa muaj; Vlejnë të përmenden edhe kolegët dhe miqtë tanë të mirë, ekspertë në fushat e tyre dhe atashe tregtarë jashtë vendit: Spiro Gjika, Muharrem Metani, Sadedin Sado, Vladimir Vezuli, Agim Hysaj, Llambi Thomaj, Dritan Selo, Sokol Kabo, Sali Ulqinaku, Petraq Gramo, Pashko Steaj, Sokrat Korini, Vangjel Kovaçi, Aljosha Gjondedaj, Simon Poreçi, Ali Mato, Pirro Trebicka, Ilir Kodra, etj.

Këta dhe plot të tjerë, duke përfshirë dhe ata të sektorëve të tjerë mbështetës që ishin dhe mbetën kuadro seriozë, të përgatitur, të aftë, që njihnin situatat e duhej te vepronin në kushte të vështira, por që e ngrinin zërin deri tek instancat më të larta, duke rrezikuar dhe vehten e tyre. Madje dhe njohjen apo reputacionin që kishin krijuar tek drejtues të lartë e shfrytëzonin kryesisht për të ndihmuar të tjerët në nevojë ose për t’i sqaruar ata për punën dhe hapat që duheshin ndërmarrë, natyrisht për aq sa ua lejonte vendi dhe mundësitë.

Ndaj dhe kur shihemi, kudo ku ata janë e jetojnë, pas mbi 20 vitesh takohemi si miq dhe me kujtime të mira. Koha është gjykatësi më i mirë – thotë një fjalë. Dhe koha e ka lartësuar në sytë tanë punën dhe karakterin e tyre. Dhe tani, pa rënë në “kurthin” e analizave shteruese apo teorizimeve të mërzitshme, thjesht për informacion për të interesuarit e jo për të treguar “se çkemi hequr ne”, po hyj në detaje të disa prej absurditeteve me të cilat duhej të merreshim gjatë punës sonë disavjeçare, ku ideologjizimi dhe politizimi ekstrem ishte pengesë serioze, pasi ai depërtonte edhe në aspektet më teknike, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Pa eksport, nuk ka import!
Ishte parrulla kryesore që mbizotëroi në jetën dhe punën tonë e të shumë qendrave të punës e të prodhimit. E bukur në tingëllim, por që krijoi aq shumë probleme dhe vështirësi në praktikë. Ky slogan u mendua si një rrugëdalje nga vetërrethimi absurd. Thelbi i tij ishte se Shqipëria nuk mund të blinte, pra të importonte nga jashtë vendi më shumë se sa të shiste, ose të eksportonte. Por, duke qenë se nevojat e vendit, sipas vendimeve të Kongreseve të PPSH-së sa vinin dhe rriteshin, si për mallra konsumi, veshje, ushqimore, ashtu dhe per industrinë e rëndë, këto nevoja mund të vlerësoheshin të paktën deri në 1 Miliard Dollarë. Në një kohë kur të ardhurat e eksportit tonë nuk e kalonin shumën 300 milionë dollarë. Si do t’i bëhej hallit? Zgjidhja ishte e gatshme dhe e detyruar dhe u bë
refren “Shkurtim me gërshërën e importit”. Le ta qartësojmë më mirë këtë aspekt, duke dhënë disa tregues sintetikë të strukturës bazë të eksportit shqiptar të asaj kohe: -mineral kromi (prodhimi 1,2 Million tonë në vi)t; Shqipëria zinte vendin e parë në eksportin e kromit për frymë) në botë bashkë me ferrokromin, i cili prodhohej në dy impiantë në Bulqizë dhe Elbasan dhe jepte 25 për qind të të ardhurave të eksportit, natyrisht me pluse dhe minuse, në vartësi të koniunkturës të tregut të tij. Minerali ynë, sidomos ai i Bulqizës kishte përbajtje të lartë kromi, deri 42 për qind, çka e bënte tejet të përshtatshëm për metalurgjinë; ndaj, ai ishte mjaft i kërkuar dhe përfaqësonte “artikullin” më të fortë të eksportit tonë. Por, kur çmimet shitjes binin ndjeshëm, ai bëhej “gangrene” për ekonominë dhe për tregtinë e jashtme, siç ndodhi psh në vitin 1978 – 1980, kur të gjithë pasagjerëve që kalonin në Durrës, u binte në sy “mali” me krom i pashitur e që priste
driten jeshile.

-nënprodukte nafte, gazoil dhe bitum eksporti i të cilave gjithashtu jepte rreth 25 për qind të të ardhurave. Ndaj, dhe në atë kohë ishte mjaft e njohur parrulla se “kromi dhe nafta çan bllokadën”

-Produktet e freskëta bujqësore, fruta, perime ( domate, speca, shalqinj ) dhe komposte frutash, sardele të konservuara me vaj ulliri) 25 për qind

-Metale, tela bakri, hekur – nikel, mermer, pije, prodhime tekstili, sixhade, qilima, 20 për qind;

-kripë, gur çakëll, gomerë, bretkosa, kërmij, olivinite, dolomite, produkte artistike, blu xhinsa, kominoshe, veshje, llulla artistike baraz më 5 për qind të të ardhurave, por që punësonin mijra njerëz.

Ia vlen të përmend këtu dhe disa prej ndërmarrjeve kryesore të vendit të specializuara për prodhime eksporti – minierat kromit në Bulqizë, Batër e Krastë të Dibrës, në Kam dhe Kalimash të Tropojës, minierat dhe fabrikat e pasurimit të bakrit në Pukë e Mirditë, Uzinën e Telave të Bakrit në Shkodër, impiantet e nxjerrjes së mermerit në Muhur të Dibrës, Ndërmarrjen e Punimeve Artistike “ Migjeni në Tiranë, ndërmarrjet e prodhimit të Qilimave dhe Sixhadeve në Tiranë, Krujë, Kavajë, Kukës, Korçë, kantina të ndryshme pijesh dhe vere, sidomos në Durrës, Lushnjë, Përmet, Librazhd, etj, ndërmarrje dhe kooperativa bujqësore në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Lushnje, Vlorë, Korçë, Gjirokastër, etj.

Ato drejtoheshin nga kuadro tejet të aftë edhe për kohën e sotme, me aftësi të spikatura drejtuese dhe ekspertë në fushat e tyre, edhe pse u duhej të vepronin brenda kufizimeve ideopolitike, administrative dhe financiare. I shikoja gjithnjë me admirim të veçantë ata njerëz të përparuar në mendime por dhe njerëzorë, që nuk dinin të bënin keq, por vetëm mirë. Më vijnë ndërmend ish-drejtori i respektuar i Minierës së Bulqizës Todo Manço e më vonë për shumë vite, Martin Cukalla, Drejtoresha e Uzinës së Telave të Bakrit në Shkodër, Terezina Marubi, e cila më vonë u bë dhe Ministre e Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore, Kryeinxhinieri i Kombinatit të Tekstileve Berat, Lefter Koka e plot të tjerë.

Kam patur fatin të njihem nga afër e të kem kontakte pune me disa prej tyre, madje të takohem edhe në këto vitet e fundit. Dua të përmend këtu Ish-Drejtorin e Kombinatit Ushqimor në Tiranë gjatë viteve 80, Sadik Shkëmbi; drejtues vital, energjik, i shkathët dhe njeri social. Këto vlera ai i rrezatonte dhe shumë vite pas daljes në pension. Për koincidencë fatlume ka qëlluar që djali i tij, Rezari, të jetë kolegu dhe miku im i ngushtë, qysh kur punonim bashkë në Ambasadën tonë në Berlin 10 vjet më parë; kënaqësi kur sheh se edhe Rezari është shquar, më parë në Bon e Berlin, pastaj në Konsullatën tonë në Bari, në Romë dhe tani në Milano për shkathtësitë, kompetencën, dhe bonsensin e tij shembullor, si diplomat qytetar në shërbim të njerëzve dhe bashkëatdhetarëve tanë.

Konsideratë të veçantë ka patur edhe për ish-Drejtorin e Ndërmarrjes Artistike “ Migjeni” Çerçiz Hoxha, biznesmen modern, mjeshtër i punimeve artistike e me shumë iniciativë. Gjatë takimeve brenda dhe jashtë vendit vëreja se ai shihte dhe vepronte me shkathtësi tej “mureve dhe gardheve.” Prodhimet e “ Migjenit” ishin mjaft të njohura jashtë vendit. Padyshim që suksesi i këtyre dhe drejtuesve të tjerë si ata i dedikohet dhe punës, mjeshtërisë dhe djersës së mijra punonjësve dhe specialistëve, të cilët bënin të pamundurën për vendin e tyre, për mirëqënien dhe emrin e tyre si mjeshtra.

Siç u përmend edhe më sipër, në zbatim të direktivave të Partisë të asaj kohe, kolektivat punonjëse të qytetit dhe të fshatit merrnin ose më mirë të themi detyroheshin të merrnin nisma për shtimin e prodhimit dhe sidomos të artikujve për eksport; ndërkohë, kishte momente të favorshme koniunkturore për kromin, të cilat bënin që shifrat e sipërpërmendura të rriteshin ose të uleshin. Por pak a shuma ai nivel nuk mund të kalohej.

Përsa i përket importit, nevojat dhe kërkesat reale ishin dhjetra herë më të mëdha së të ardhurat nga eksporti. Ja grupet kryesore të importeve shqiptare :

-Pajisje dhe makineri të të gjithë llojeve, për industrinë e lehtë dhe të rëndë deri tek pajisje dhe vepra komplete;

-Kimikate për bujqësinë ( mbi 15.000 lloje) të cilat kushtonin mjaft, ndaj dhe shumica e tyre blihej në klering

-Qymyr i koksifikueshëm për Kombinatin Metalurgjik, që ishte tejet i kushtueshëm, vinte nga Polonia dhe Kanadaja dhe ishte urgjent pasi mungesa e tij rrezikonte Furnaltën e Metalurgjikut;

-Veshje e materiale ushqimore, kryesisht ose tërësisht nga vendet e lindjes

Pikërisht këtu filloi aksioni i madh i tregtisë së jashtme dhe organeve të prodhimit; nga njëra anë kërkohej të shiheshin mundësitë e shtimit të eksportit me “artikuj të rinj” dhe nga ana tjetër të bëheshin shkurtime të importit. Për këtë qëllim, në tregtinë e jashtme, me të drejtë, u sollën dhe mjaft kuadro prodhimi, sidomos në fushën e shkurtimit të importit; këtë e ka treguar bukur në njerin prej emisioneve “ Histori me zhurmues “ kolegu Spiro Madhi, Inxhinier në NISH-Kimike, i cili më vonë punoi për mjaft kohë në Makinaimport;

Por, këto shkurtime kishin më shumë vlera propagandistike, pasi kursesi me to nuk arrihej ndonjë gjë e madhe, pavarësisht nga fryma dhe shpirti novator që mbizotëronte në vend. Kështu, sektori që u përmend më sipër, dhe që ishte ndër më të mëdhenjtë, nuk mund të kursente më shumë se 12 Milionë Dollarë në vit; së bashku me sektorët e tjerë bëheshin apo nuk bëheshin 50 Milionë Dollarë; kjo ishte një shumë jo e vogël për nevojat propagandistike, por krejtësisht e papërfillshme për përballimin e nevojave në rritje. Nga ana tjetër, në sektorin e eksportit kishte vazhdimisht probleme, pasi punëtorët prodhonin artikuj të ndryshëm, por për to mungonte tregu dhe kësisoj na mbeteshin “në derë dhe në dorë”.

Kjo sepse organet tona të prodhimit në atë kohë, nuk kishin si të njihnin kërkesat e tregut, standardet e tij, marketingun, apo procedurat e shitjes. Veçse ata ishin në rregull me porositë e Partisë, po tejkalonin planin, po prodhon artikuj për eksport, ndaj siç thoshtenjeri “ sytë le të pëlciste tregtia e jashtme për t’i shitur”. Veç kësaj, edhe kur të gjendej tregu ose kur ai ekzistonte, për shkak të konkurencës, duheshin 2 – 3 vjet për përpunimin e tij.

Mirëpo marketingu tregtar dhe reklama konsideroheshin “armiqësore“ në atë periudhë. Madje, shpenzimet për reklamë sipas teorisë së ekonomisë socialiste ishin shenja të kalbëzimit të kapitalizmit. Ndaj, ajo që ndodhte vazhdimisht ishte lavdërimi i kolektivave punonjëse dhe kritika ndaj tregtisë së jashtme për ngadalësinë e saj në gjetjen e tregjeve dhe evadimin e mallrave. Por, kjo nuk ishte një fjalë goje. Mbledhjet dhe analizat për këtë në parti, kolektiva, bashkime profesionale e deri në Byronë Politike ishin të përditshme, por rezultatet sërish mungonin, sepse faji në fakt ishte gjetiu, ishte vetë sistemi. Nuk kishte delegacion dhe grup pune që shkonte jashtë vendit e që nuk dorëzonte një listë të gjatë me artikujt e rinj në sasira gjigande.

Kulmi ishte me dolomitet, olivinitet dhe hekur – nikelin të cilat na jepeshin në sasi të mëdha; por cilësia e tyre linte shumë për të dëshiruar dhe kërkesat e tregut të jashtëm ishin minimale. Koniunktura e çmimeve të mallrave ishte nje pengesë dhe problem tjeter i madh për të gjitha palët; tregtia e jashtme, kur shihte se koniunktura e çmimit të kromit do të rritej, kërkonte që të depozitoheshin sasitë për më vonë, me qëllim që të shtohej efektiviteti; Mirëpo ngaqë nuk kishte burime të tjera valutore aq të nevojshme për blerjen e mallrave më të domosdoshme, kromi shitej në çdo moment dhe ne humbisnim shumë të ardhura. Kur na kritikonin për rënien e të ardhurave dhe ne jepnim arsyen, në mënyrë fare burokratike na thuhej pse nuk e parashikuam me parë koninkturën, pa e ditur as vetë ata se kush e përcaktonte atë.

Ndërsa kur binte koninktura, pra kur binte kërkesa, sepse ekonomia në krizë, kromi bëhej stok në Durrës dhe fillonin rrufetë nga të gjitha anët. Zgjidhja jonë ishte dërgimi i grupeve të punës në pikat kryesore jashtë vendit, por edhe ato nuk jepnin ndonjë rezultat, sepse siç shohim tani, në kohë krize, prodhuesit dhe tregtarët tregohen tejet të kursyer. Kështu ndodhi gjatë vitit 1980, kur bashkë me drejtuesit e Mineralimpeksit shkuam në Itali dhe në Zvicër për të bërë të mundur evadimin e “malit” me krom në Durrës; megjithë përpjekjet tona, partnerët tanë nuk pranonin një çmim më të madh se 40, nga minimumi 50 dollarë/toni që ne kërkonim, sepse aq e kërkonte plani! Aq e rëndë u bë situata financiare e vendit, sidomos pas vitit 1985, sa na kërkohej dhe shitja e kripës për shtrimin e rrugëve kur binte dëborë. Mirëpo ndodhte që nuk binte fare borë dhe nuk na e merrnin, edhe pse ne u luteshim si kolegë që ta mbanin në magazina. Porse kjo u kushtonte atyre shumë me tepër se importi, ndaj luteshim të binte pak borë!

Në prodhimin e sixhadeve dhe qilimave ne kishim vërtet prodhime mjaft të mira dhe sasi të mëdha. Artizanët tanë duarartë në Tiranë, Krujë, Elbasan Korçë, nxirrnin prodhime që ishin njeri më i mrë se tjetri. Sixhade dhe qimima vërtet të radhë. Mirëpo konkurrenca në tregjet ndërkombëtare nga Irani dhe vende të tjera arabe me emër nuk na lejonte shumë hapësirë, pa folur për taksat e mëdha. Në këto kushte,kërkohej përshtatja sipas kërkesave të tregut, duke dalë dhe me çmime më të ulta. Por, ekonomia e planifikuar dhe centralizimi i tepëruar i çmimeve nuk e lejonte një gjë të tillë. Derisa një ditë sixhadet dhe qilimat mbetën stok, ose siç thonim atëhere “ mall me qarkullim të ngadalshëm “ E vetmja mundësi ishte shitja e tyre me çmime dy herë më të ulta. Kjo ishte logjika e shëndoshë ekonomike dhe jo të mbaheshin nëpër magazina, pa arkëtuar asnjë lek. Mirëpo dënimi i grupeve armiqësore për këto motive e kishte bërë punën e vet dhe kurkujt nuk ia mbante të dilte me propozime të kësaj natyre.

Me zor të madh më në fund, u pranua një opsion i tillë që e lehtësoi situatën, por pa e zgjidhur atë përfundimisht. Padyshim, ndër mallrat me të cilët “ne ndiheshim rehat” ishin perimet dhe zarzavatet e freskëta; tregjet tona në Gjermani, Austri, Zvicër ishin të sigurta. Kjo për hershmërinë e prodhimit dhe karakterin e tyre “bio”. Mirëpo edhe këtu dilte pengesë transporti i ngadaltë, pasi parku ynë i automjeteve ishte i vogël dhe i amortizuar. Ndërkohë, Bullgaria revizioniste “kishte 4500 mjete transporti frigoriferike; nuk po përmend Izraelin dhe vende të tjera që përdornin avionët. Bimët medicinale ishin të tjerë artikuj me leverdi nga ana jonë por dhe shtimi i sasive të tyre kishte kufij, pasi tregjet tona ishin të fiksuara dhe nuk lenin shumë vend për hapësira veprimi. Shkurt, tregjet kishin specifikat e tyre dhe nuk donin t’ia dinin për parimet dhe dogmat e sistemit tonë.

Gjithsesi, dua të përmend këtu faktin se një lehtësim të madh në punë ndjenim edhe falë bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të dikastereve “ motra” – Ministria e Financave, Komisioni i Planit të Shtetit, Banka e Shtetit Shqiptar, etj, e në veçanti nga sektorët, drejtuesit dhe specialistët që mbulonin tregtinë e jashtme.

E theksoj këtë pasi dhe dikasteret me të cilat kishim shumë debate, deri në nivelet më të larta u diktohej gjithçka nga politika lart dhe në shumë raste, dashur pa dashur, impononin gjëra që nuk realizoheshin. Megjithatë, në shumicën me të madhe të rasteve tek ta mbizotëroi mirëkuptimi dhe realizmi. Mbahen mend dhe kujtohen gjithnjë me konsideratë të veçantë, ish-Zv.Kryetari i Komisionit të Planit, Gani Qemo, jo vetëm intelektual dhe teknicien i zoti, por dhe me mirëkuptim të spikatur dhe tejet njerëzor me të gjithë; Maqo Bleta, ish-Zv.Ministër i Industrisë, specialist dhe drejtues me kapacitete të mëdha; Tonin Paloka, specialisti dhe kolegu ultra korrekt dhe operativ i Ministrisë së Lehtë dhe Ushqimore, me të cilën kishte jo vetëm shumë probleme, por edhe të ndjeshme për shoqërinë dhe tregtinë e jashtme; eksperti i objektiv dhe i respektuar i Komisionit të Planit, që vijon kërkimet në këtë fushë edhe sot e kësaj dite, Eqerrem Beci; specialistja e çmimeve të Ministrisë së Financave, Dhurata Metohu; padyshim, një vend të veçantë në këtë vlerësim kanë edhe specialistët e atëhershëm në Institutin e Studimeve Ekonomike, dhe shumë kolegë dhe miq të vjetër.

Uji i Vlorës për Ushtrinë Amerikane?
Në vitin 1982, pas një investimi që u bë në impiantin e Ujit të Ftohtë në Vlorë, u vunë në dispozicion të tregtisë së jashtme për shitje burimet e tij me ujë të mrekullueshëm. Mirëpo, edhe ky artikull që konsiderohej lehtësisht i shitshëm, kishte problemet e veta, sidomos me përcaktimin e çmimit. Në një shërbim jashtë vendit në Francë me dy kolegë në Dhjetor 1988, gjatë një takimi me përfaqësues të një firme të mirënjohur franceze për ujin e pishëm, na u tha se në radhë të parë na mungonte emri dhe marka në treg, çka kërkonte kohën e vet dhe marketingun përkatës. Kësisoj, ne nuk mund kursesi të pretendonim të dilnim në treg me të njëjtin çmim si vendet e tjera të njohura nga tregu, pavarësisht nga cilësia e ujit tonë të Vlorës. Dhe së dyti, kërkohej amballazhimi në shishe që ne nuk e
kishim. Këto ndikonin në çmimet e shitjes të ujit të pishëm, sidomos në tregjet vërtet të etura arabe.

Në rastin tonë, për t’u futur në treg, ky çmim duhej të ishte dy herë më i vogël se ai i vendeve të tjera. Mirëpo Komisioni i Planit të Shtetit dhe Ministria e Financave kishin planifikuar shitjen me çmimet maksimale të tregut dhe ju “vritni vehten” – sikur donin të thonin zyrtarët e tyre.

Megjithatë, falë juristëve dhe ekspertëve tejet kompetentë që ne kishim, ku shkëlqenin i ndjeri Piro Totozani apo Dhame Pite dhe Agim Tartari, u bë e mundur të nënshkruhej një kontratë, por që nuk u zbatua për arsye besimi. Pastaj u gjet mundësia të shitej në Maltë, por me një çmim sa gjysma e tregut. Pavarësisht nga tarifa e ulët, sërish shitja e ujit atje ai dilte me leverdishmëri, pasi kostoja e prodhimit të tij ishte pothuajse zero. Mirëpo në atë kohë, vigjilenca e partisë e kishte bërë punën e vet. Se si u mor vesh rastësisht (ku kishte gjë që nuk merrej vesh atëherë) që uji ynë do të pihej nga ushtarët e bazës amerikane në Maltë dhe kjo ra si një bombë e vërtetë.

Pavarësisht nga argumentet e dhëna se “në fund të fundit, e ç’na duhet ne se kush e pin “sepse” ne i shesim ujin zyrtarisht dhe me kontratë Maltës”, tregtia e jashtme u kritikua dhe për mungesë vigjilence. U prish dhe kjo kontratë dhe uji në Vlorë vazhdoi të derdhej kot. Ata që e pësuan ishin natyrisht ekonomia jonë në krizë, pasi humbi një burim të ardhurash aq të nevojshme, si dhe juristët dhe ekspertët tanë.

Edhe depozitimi i energjisë – kredi
Në gjysmën e dytë të viteve 80, të gjithë ishim dëshmimtarë të ndërprerjeve të shumta të energjisë elektrike nëpër shtëpitë tona por dhe në qendrat e punës e të prodhimit, si konsumatorë të mëdhenj. Nisur nga këto problem dhe nga praktika ndërkombëtare, tregtia e jashtme sugjeroi depozitimin e sasive të tepërta të energjisë dhe eksportin e saj në Greqi, në periudhat e saj të pikut, pra kur ajo kishte nevojë dhe marrja në periudhë piku për ne. Është një formë e shkëmbimit të energjisë që aplikohet gjerësisht edhe sot në botë dhe me shumë leverdishmëri. Për çudinë tonë, edhe kjo formë shpëtimtare u kundërshtua nga udhëheqja e lartë e qeverisë, sepse konsiderohej si “dhënie dhe marrje kredie”.

Edhe pse u dhanë plot argumente teknike, por dhe politike se energjia ishte një mall krejtësisht i veçantë dhe se depozitimi ishte procedurë strikte teknike, dhe se këtu gjithçka do të bëhej me pagesë, do të duheshin vitë të tërë dhe mbi të gjitha nevojat ulëritëse të industrisë sonë për energji, që të lejohej më në fund aplikimi i kësaj forme normale tregtie.

Inkaso, saldot dhe taksat – mëkat dhe krim
Në shumë mbledhje dhe takime e dëgjoja shpesh termin “ pagesa me inkaso”, por nuk e kuptoja se ç’ishte dhe për më tepër pse “ mallkohej “ si kapitaliste e si kredi skllavëruese. Vonë, gjatë kualifikimit një vjeçar në Universitetin Ekonomik të Vjenës mësova se pagesa me inkaso ishte një formë e zakonshme pagese që në anglisht quhet “ collection of documents”.

Ideja është që shitësi e dërgon mallin, ndërsa pritësi, pasi bën verifikimin e sasisë dhe cilësisë, mbledh dokumentet dhe ia dërgon bankës së vet e cila bën pagesën përkatëse. Kjo procedurë thjesht teknike dhe pagesore zgjat një javë apo deri 10 ditë. Formë fare normale kur bëhet fjalë për partnerë të besueshëm, që kanë marrëdhënie tregtare për një kohë të gjatë, si në rastin tonë. Do thënë se besueshmëria e bankës dhe e ndërmarrjeve tona të tregtisë së jashtme lidhur me korrektësinë në kryerjen e pagesave ishte absolute.

Këtë formë pagesore ne e përdornim sidomos me Greqinë kur kërkonim urgjent, bie fjala, elektroda saldimi për Kombinatin Metalurgjik. Mirëpo, sërish syu vigjilent i Partisë e zbuloi këtë “ kredi” që ne merrnim nga kapitalistët grekë, duke shkelur me të dy këmbët Kushtetutën e vitit 1976. Megjithë argumentet e ekspertëve të asaj kohe, të cilët kishin edhe besueshmëri politike, urdhëri ishte i prerë “ Mos bëni shaka me inkaso, se do të futeni në burg po e praktikuat!

Një tjetër term që nuk e kuptoja por që kur ma shpjeguan kolegët u habita pse ai konsideronte krim dhe i palejueshëm nga rregjimi ishte “ saldo aktive dhe pasive”. Nuk kishte mbledhje ku të mos përmendej ky term kur vinte fjala për tregtinë me vendet lindore me kliring. Ky problem trajtohej edhe në disa mbledhje të Byrosë Politike dhe në fjalimet e Enver Hoxhës. Kurfarë krimi dhe mëkati nuk kishte në të. Sipas marrëveshjeve në “rubël kliring” që kishim për çdo vit, e të zbërthyer në afate tremujore dhe mujore, ne eksportonim dhe importonim nga vendet lindore mallra të ndryshme.

Vlera e tyre regjistrohej në bilancet dhe evidencat përkatëse. Psh, gjatë një muaji ose temujori, një vend i caktuar na dërgonte x vlerë me kimikate dhe ne i jepnim x ton krom. Mirëpo natyrisht brenda kësaj periudhe ishte e pamundur të përputhej vlera e tyre monetare, për shkak të çmimeve të ndryshme; kësisoj, në një tremujor të caktuar, rezultonte se kishim shitur ose kishim blerë më shumë ose më pak nga një vend i caktuar; por, në fund të vitit, bilanci eksport-import duhej të ishte i barabartë, pa patur kurfarë saldoje, pra asnjë diferencë në vlerën e eksport – importit, aktive ose pasive qoftë ajo.

Ndryshe, kjo konsiderohej si kredi që u kishim dhënë (saldo aktive) ose u kishim marrë partnerëve (saldo pasive). Kjo përbënte një pengesë tjetër në marrëdhëniet tregtare me vendet e lindjes, krahas aspektit tjetër ideologjik.

Nga fundi i viteve 80, në krye të Ministrisë së Financave erdhi ish-antari i Byrose Politike, Haki Toska, i konsideruar si ndër njerëzit më të fuqishëm të regjimit.

Mesa duket u mendua se ai do ishte në gjendje të vendoste rregull në financat shqiptare që kishin marrë tatëpjetën. Në fakt, siç do të shihet dhe me poshtë, faji nuk ishte tek financat. Kështu, ai “zbuloi” se Shqipëria na ishte vendi i vetëm në botë që nuk aplikonte taksa ndaj importeve të vendeve të tjera, ndërsa këto të fundit nuk respektonin reciprocitetin dhe zbatonin taksa, madje të larta ndaj eksporteve tona, duke i bërë shumë prej tyre të paleverdishme!!!

Ndaj, u dha urdhëri i prerë që në të gjitha bisedimet me delegacionet e huaja të trajtohej ky “mëkat” ndaj nesh dhe të shihej mundësia e heqjes së këtyre taksave. Të gjithë e kuptonin absurdin e kësaj direktive dhe se ishte e pamundur që ne të bënim gjithë botën pa taksa; por urdhëri duhej zbatuar, qoftë dhe formalisht. Filloi kështu odiseja e bisedimeve të gjata e të mërzitshme, ku gati 70 për qind të tyre e zinte debati mbi heqjen e taksave nga vendet e tjera, për reciprocitet me palën tonë. Mirëpo ky poblem ngrihej nga të gjithë biseduesit e dikastereve dhe homologët e tyre të huaj duhej të përsërisnin me dhjetra herë. Pak a shumë, të huajt kishinn sqaruar mirë e bukur dhe me kortezinë e nevojshme se e vetmja mënyrë që Shqipëria të mos i nënshtrohej sistemit të taksave ishte lëshimi prej autoriteteve të saj të larta i një deklarate zyrtare, ku vendi ynë të shpallej si “ vend në zhvillim”.

Mirëpo kujt ia mbante të lëshonte një deklaratë të tillë, kur me Kushtetutë, “Shqipëria ishte vendi i vetëm dhe i vërtetë socialist në botë”.

Bashkëbiseduesit tanë bënë lëshime dhe pranuan që kjo deklaratë të jepej qoftë dhe nga Ministri i Jashtëm, madje me premtimin se ajo nuk do të shpallej në publik! Kundërpropozimi ynë ishte që kjo të bëhej nga një drejtor drejtorie, çka natyrisht ishte e papranueshme për ta; Më në fund, pas gati dy vjet mundimesh, u pa se kjo ishte një aventurë e kotë dhe u hoq dorë prej saj.

Historia e “PM-ve”
Edhe pse bënim tregti të jashtme, ajo ishte tejet e cunguar dhe brenda shumë vijave kufizuese. Madje kjo edhe me shtete që i konsideronim miq. Këtyre u shtoheshin edhe kufizimet në import, pasi ne kërkonim që vetëm të shisnim, por jo të blenim. Për pasojë, në negociatat me vende të ndryshme viheshim në gjendje të vështirë, pasi duhej të refuzonim mjaft artikuj dhe mallra të tyre, të cilat për ne në të kohë konsideroheshin luks dhe pothuajse nuk importoheshin. Kjo në raste të caktuara krijonte edhe situata humori, të cilat edhe sot kur i kujtojmë nuk e mbajmë dot të qeshurën. Kështu ndodhi edhe gjatë një vizite pune në Turqi, në vitin 1984, ku ndodheshim me drejtorët e Ministrisë, Fiqrete Sala dhe Aleko Lipe. Në bisedimet në nivelin e grupit të punës për përgatitjen e listës së mallrave të eksport-importit, si pjesë e Proces Verbalit që do të nënshkruhej pas dy ditësh nga Ministrat, miqve tanë të mirë turq u “ ngeci sharra në gozhdë” .

Kështu, ata ofronin autobuzë turistikë, për të cilët nuk bëhej fjalë për t’u blerë nga ana jonë, pasi kishim shumë pak turistë. Ata ofronin, frigoriferë, ne thonim “jo” se nuk kishte fonde, ata ofronin lavatriçe, ne prapë jo, ata na jepnin televizorë, ne prapë jo; i refuzonim të gjitha, jo se nuk kishim nevojë, por sepse mungonin fondet e nevojshëme valutore. Në këto kushte, për të mos ofenduar mikpritësit tanë, që sa herë shkonim në Turqi tregoheshin tejet mikpritës, duke na krijuar një atmosferë shumë të këndshme dhe vërtet vëllazërore, gjatë këtyre bisedimeve, që të mos shkruhej “Jo“ ne u propozonim kolegëve tanë turq që të shënohej përbri “ Pro Memoir” pra “ Për Kujtesë”.

Kjo do të thoshte se do t’i kishim parasysh këto oferta dhe në rast se do të kishte kërkesa gjatë vitit dhe sidomos mundësi pagesore, do t’iu drejtoheshim atyre për të gjitha mallrat që shënoheshin me “PM”. Mirëpo, gjatë atyre bisedimeve, gati gjysma e listë së mallrave u mbush me “PM”-ra. Në një moment, drejtuesi turk, i ndjeri Ibrahim Ynly, njeri shumë i aftë dhe me humor, pasi dëgjoi me shumë durim edhe “PM-në” e fundit, kthehet nga ne dhe në shqip na thotë me shumë lezet
e duke buzëqeshur: “më duket se kjo u bë Punë m…”!

Fiqrete Sala ia plasi e para të qeshurit të saj me zë të lartë karakteristik dhe pastaj të gjithë ne. E pyetëm se nga e dinte këtë shprehje, në fakt shumë me vend në atë rast. Ai na u përgjigj se e kishte paralajmëruar një miku i tij nga shqiptarët e Kosovës, i cili që e dinte hallin tonë dhe ai ia kishte dhënë “përkthimin” e mësipërm origjinal të “pro memoir” në shqip.

Ishte vërtet banal, por tejet i goditur! Më vonë, me shokët dhe kolegët tanë, kur vinte puna për lista të tilla, i pyesnim me shaka nëse kishim shumë “Punë m…” të tilla dhe kjo e shtonte humorin kudo, sidomos jashtë vendit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: